Ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, Parlamenti Rinor ka organizuar një protestë paqësore përpara Universitetit Politeknik, me moton: jo korrupsionit në arsim. Sipas përfaqësuesve të studentëve ky fenomen po pushton gjithmonë e më tepër universitetet dhe sistemin tonë arsimor.
“Korrupsioni në arsim nuk është një marrëdhënie vetëm mes dy vetëve, por një marrëdhënie me një sistem të tërë, prandaj mos bëni pazar me notat, mos bëni pazar me diplomat, sepse kështu keni bërë pazar me edukimin e brezave dhe integritetin e gjithë sistemit arsimor, keni dëmtuar të ardhmen tonë dhe investimin e prindërve tanë”, deklaroi Klarenc Refati, aktivist i Parlamentit Rinor
Më tej të rinjtë janë ndaluar në atë që e kanë konsideruar degradim të sistemit arsimor universitar për shkak të korrupsionit. “Konsolidimi përfundimtar kërkon, jo vetëm reforma strukturale, të cilat sjellin risi organizative, por edhe goditjen e fenomeneve të cilët minojnë funksionimin dhe të ardhmen e tij. Padyshim gangrena me e rrezikshme është korrupsioni në arsim. Goditja e këtij fenomeni do të krijonte premisa të forta për ecjen akoma më të shpejtë, të sigurt dhe të qëndrueshme të sistemit arsimor shqiptar drejt standardeve më të larta arsimore evropiane”,-deklaroi Erdion Macolli aktivist i Parlamentit Rinor. Vetëm vitin që kaloi, ka pasur tre denoncime të pedagogëve të cilët kryenin mitmarrje në shkëmbim të notës.
“U drejtohemi studentëve që të denoncojnë korrupsionin në institucionet e specializuara dhe të mos pranojnë të blejnë me para atë që u takon me meritë. Ne nuk mund të lejojmë që sistemi arsimor të shndërrohet në një sistem ku zotësia, dhe dija të zëvendësohen nga paraja dhe miqësia! Urojmë që ky vit të mos jetë shumë i begatë për pedagogët dhe shumë i vështirë për prindërit!”, deklaroi Rigels Xhemollari, koordinatori i Përgjithshëm i Parlamentit Rinor.
7 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)