Drejtësia: Mazhoranca ka pranuar se do të ketë një amnisti për të burgosurit, të paraburgosurit dhe personat nën hetim. Do lirohen 250 nga 4600 të burgosur që janë aktualisht në qeli


Amnistia për 100-vjetorin


Më 28 Nëntor lirohen 250 të burgosur, ulje masive të dënimit me një të katërtën


Mazhoranca, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, ka pranuar për herë të parë se do të ketë një amnisti për të burgosurit, të paraburgosurit dhe personat nën hetim. Sipas saj, do të lirohen rreth 250 të burgosur, nga 4600 që janë në total, ndërsa do të ketë ulje masive të dënimit në masën e ¼. Mësohet se gratë mbi 55 vjeç dhe fëmijët nën 18 vjeç do të lirohen. Lirohen edhe personat që janë në vitin e fundit të dënimit.


Në një deklaratë publike, Halimi tha se ka edhe një kategori veprash penale që nuk përfitojnë nga amnistia.


“Për 100-vjetorin do të ketë një amnisti. Do të jetë një amnisti e cila nuk do të jetë e gjerë. Nuk do të jetë shumë e gjerë, si ministër do të më interesonte të ishte e gjerë, sepse edhe të dënuarit mund të kishin më shumë interes për të përfituar, edhe familjarët e tyre, edhe shteti tregohej zemërgjerë në një moment të caktuar, siç është momenti historik i 100-vjetorit të pavarësisë. Por, si një politikan dhe si një qytetar, duke pasur parasysh dhe gjendjen e kriminalitetit që është në Shqipëri më është dashur të tregohem i kujdesshëm nga çfarë jemi treguar në vitin 2007, ku amnistia ka përfshirë të gjithë të dënuarit të cilët kishin dy vitet e fundit të dënimit dhe liroheshin”, ka thënë Halimi, duke shtuar se me amnistinë e këtij viti do të lirohen nga dënimi të gjithë personat që i ka mbetur viti i fundit. “Pra, ata persona që do të kenë 365 ditë dhe më pak do të lirohen. Sigurisht do të përfitojnë pastaj dhe të gjithë personat, gratë, të cilat janë mbi 55 vjeç. Pra të gjitha të dënuarat femra që në datën 28 Nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç”, vijon ministri.


Sipas tij, lirohen të gjithë të dënuarit me burgim, të miturit, që në moshën kur kanë kryer veprën, kanë qenë më pak se 18 vjeç apo baras me 18 vjeç. Për të gjithë pjesën tjetër të të dënuarve, që nuk plotësojnë këto kritere, jo se edhe ata do të dalin duarbosh nga amnistia, shteti përsëri do të tregohet zemërgjerë në momentin e këtij evenimenti historik për Shqipërinë që është 100-vjetori, do të zbritet 1/4 e dënimit. Atyre që janë përsëritës iu ulet 1/8. Dhe nuk përfitojnë të gjithë sigurisht ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, të gjithë ata që kanë kryer vrasje, asnjë nga vrasësit nuk do të përfitojë as edhe një ditë ulje nga amnistia, askush që ka kryer krime kundër njerëzimit, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitura, askush që ka kryer vepra penale kundër lirisë së personit: mbajtje peng dhe me radhë, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me prostitucionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me trafikun e armëve dhe të drogës, si dhe një sërë të tjerash.


Ndërkohë, amnistia me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë mund të prekë edhe çështjet nën hetim nga prokuroria. Ministria e Drejtësisë po diskuton mundësinë që të pushohen procedimet penale që parashikojnë burg deri në 1 vit ose çdo lloj tjetër dënimi më të lehtë, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që të amnistohen veprat penale që parashikojnë maksimumi dënimin me dy vjet heqje lirie. Deri më tani, diskutimet kanë qenë vetëm në institucionin e drejtuar nga Eduard Halimi, ndërsa më vonë do të pyeten edhe grupet e interesit, Prokuroria e Përgjithshme apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Megjithatë, të dhënat janë ende në fazë verifikimi dhe pas konkluzioneve paraprake do të nxirret një kategori veprash penale që përfitojnë. Nga burimet paraprake mësohet se amnistia do të prekë veprat penale që kanë si maksimum dënimi deri në një vit ose çdolloj dënimi më të lehtë, madje edhe veprat penale që parashikojnë dënime me gjoba.


Si kategori veprash penale mësohet se do të pushohet ndjekja penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe të vendoset mosfillimi i procedimit për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 28 Nëntor 2012, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 1 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të lehtë, madje edhe me gjoba. Madje, kjo zgjidhje ligjore pritet t’u jepet edhe procedimeve penale të pezulluara për vepra penale që përfitojnë nga amnistia, që ndodhen në prokurori ose në shërbimet e Policisë Gjyqësore, duke vendosur më parë rifillimin e hetimeve të pezulluara. Në rastet, kur nga të dhënat që ndodhen në aktet e kallëzimit, ngjarjes ose ankimit apo në aktet e hetimeve paraprake në ndjekje, nuk mund të konkludohet për kualifikimin ligjor, nëse ndodheni ose jo para veprës penale të amnistuar, duhet të kryhen hetime të nevojshme, për të provuar faktin dhe pasi të bëhet kualifikimi i drejtë i veprës penale, të vendoset për mënyrën e zgjidhjes ligjore të përfundimit të çështjes.


Lirohen: Numri i personave që përfitojnë do të jetë diku rreth 220-250, të cilët do të përfitojnë lirinë më 28 Nëntor të vitit 2012


Të prekurit: Numri i tyre sigurisht që është më i madh, është në proces llogaritjeje. Aktualisht, ministria po verifikon bazat ligjore


Amnistitë e vitit 2002 dhe 2007


Kush përfitoi


1. Amnistohen personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht ose me gjobë.


2. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç, femrat që kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe meshkujt që kanë mbushur moshën 65 vjeç


3. Amnistohen personat e dënuar me burgim ose me dënime më të buta, të cilëve u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.


4. U zbriten 1/4 (përsëritësve të së njëjtës vepër penale u zbriten 1/8) e dënimit të mbetur të gjithë të dënuarve, të cilët nuk përfitojnë nga pikat e mësipërme të këtij neni