Këto zgjedhje do të jenë një referendum mbi rezultatet e politikave socialiste të Chavez
Sot, venezuelianët do të shkojnë në votime për të zgjedhur mes zgjatjes së mandatit 14-vjeçar të Presidentit Hugo Chavez edhe me gjashtë vite, ose zgjedhjen e sfiduesit të tij të ri, Henrique Capriles. Ndërkohë që beteja e vazhdueshme e udhëheqësit venezuelian me kancerin është një çështje shumë e përfolur në garën presidenciale, për shumë votues, këto zgjedhje do të jenë një referendum mbi rezultatet e politikave sociale të zotit Chavez.
Me afrimin e zgjedhjeve, Presidenti Chavez shtoi numrin e projekteve qeveritare të ndërtesave në Karakas, që ofrojnë vende pune dhe strehim falas për të varfrit. Duke përdorur burimet e mëdha të naftës për financimin e programeve sociale, me vlerë miliarda dollarë dhe subvencioneve, Presidenti i Venezuelës në të kaluarën ka qenë në gjendje të ruajë mbështetjen e shumicës së votuesve.
Në Venezuelë benzina kushton më pak se uji. Dhe mbështetësit e Presidentit Chavez nuk shqetësohen nga pritja në radhë të gjata për të blerë ushqimet e racionuara që subvencionohen nga shteti.
Por kritikët e Hugo Chavez thonë se shtetëzimi i kompanive private, caktimi i çmimeve dhe kontrolli i vlerës së monedhës kanë minuar zhvillimin ekonomik. Kritikët e tij gjithashtu e fajësojnë atë për nivelin e lartë të krimeve të dhunshme. Në këto zgjedhje, opozita e Venezuelës është bashkuar rreth Henrique Capriles, një ish-guvernator i cili thotë se dëshiron të ruajë programet e njohura sociale, por dëshiron ta bëjë vendin më të hapur për bizneset. Mbështetësi i tij, Luis Maceto thotë se Venezuela ka nevojë për udhëheqje të re.
“Ai ofron ndryshim për situatën në të cilën po jetojmë, e cila është përfshirë nga dhuna, papunësia dhe pasiguria”.
Anketuesi i pavarur, Luis Vicente Leon, thotë se Chavez është në epërsi, por gara presidenciale është e ngushtë. Ai thotë se edhe mbështetësit e Chavez janë gjithnjë e më kritikë ndaj favorizimit të miqve të qeverisë dhe paaftësisë. “Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm me ideologjinë, të majtët apo të djathtët, radikalizmin apo centrizmin. Nota vlerësuese për qeverinë e zotit Chavez është shumë e dobët”.
Sot votuesit në Venezuelë do të vendosin për vazhdimin e formës së socializmit të zotit Chavez, ose për ndryshimin e saj.