17,1 milionë km² – Janë gjithsej 17,114,493 metra katrorë objekte dhe troje prona të ushtrisë, që PS-ja pretendon se janë nxjerrë në shitje nga Imami
160 mijë m² – Vetëm në Karaburun janë mbi 160 mijë metër katrorë, duke përfshirë Ravenën, Kepin e Gjuhëzës apo edhe depot në Orikum
Faza II – PS ka nisur fazën e dytë të denoncimit të abuzimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo përmban procesin e shitjes së objekteve ushtarake
Kontratat – PS ka denoncuar dhe kontratat e shitjes së armëve, ku ato janë kryer me trafikantë të përfshirë në listën e zezë të OKB-së
“Janë 17,114,493 m² objekte dhe troje prona të ushtrisë, Imami po ua jep privatëve”
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste nis fazën e dytë të denoncimeve ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, atë të shitjes së pronave të paluajtshme. Sekretari i grupit të PS-së, deputeti Taulant Balla, akuzoi ministrin Imami se po tjetërson miliona metra katrorë objekte dhe troje, prona të ushtrisë. “Janë 17,114,493 metra katrorë objekte dhe troje prona të ushtrisë, të cilat Arben Imami po i tjetërson nga pronësia e shtetit dhe qytetarëve në drejtim të disa privatëve. Janë reparte ushtarake brenda vijës së verdhë të qyteteve: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Janë reparte ushtarake, baza të rëndësishme, në të gjithë shtrirjen e bregdetit shqiptar si Bisht Palla, Kalaja e Ali Pashës, tunelet e nëndetëseve, Shkolla e Marinës që do t’u jepen privatëve. Reparte ushtarake tek rëra e hedhur në Shëngjin, në bregdetin e Kurbinit, në Durrës, Kavajë, Fier, Vlorë: Novosela, Narta, Zvërneci, Pusi i Mezinit, Kanina, Uji i Ftohtë, Radhima, Orikumi, Karaburuni; më poshtë Palasa, Jala, Porto Palermo, Himara, Lukova, Lëkurësi, Ksamili. Vetëm në Karaburun janë mbi 160 mijë metër katrorë, duke përfshirë Ravenën, Kepin e Gjuhëzës apo edhe depot në Orikum”, deklaroi Balla. Sipas socialistit, në këtë proces tërësisht jotransparent dhe të paligjshëm, për asnjë moment nuk janë marrë fare në konsideratë nevojat sociale të Forcave të Armatosura. “Si ka mundësi që në tjetërsimin e këtyre pronave, nuk u kujtuan qoftë edhe një herë të vetme për statusin e ish-ushtarakëve, për ushtarakët e pastrehë. Si nuk u kujtuat për nevojat sociale të komuniteteve pranë këtyre pronave. Fare mirë, një pjesë e pronave të ushtrisë që Arben Imami ka shitur dhe po shet, mund të përdoren për nevoja strehimi, për ambiente mësimore apo shërbim mjekësor, qendra sociale për fëmijët apo moshat e treta. Si nuk u kujtuat për nevojat e përmbushjes së detyrimeve ligjore ndaj ish-pronarëve”, theksoi Balla. Akuza tjetër e opozitës lidhet me faktin se këtyre pronave iu është vënë shifër qesharake. “Prej tre vitesh, nën drejtimin e Arben Imamit, ministër i Mbrojtjes, ushtria shqiptare është zhveshur pothuajse tërësisht nga pronat e paluajtshme në pronësi të saj. Përmes një procesi tërësisht jotransparent, janë hequr nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes, janë nxjerrë në privatizim, janë shitur me vlera qesharake, objekte dhe troje të divizioneve, brigadave, batalioneve, reparteve, depove të armatimit, poligoneve të qitjes, shtëpive të ushtarakëve. Pa asnjë ligj, duke anashkaluar tërësisht Kuvendin e Shqipërisë, në errësirë të plotë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka kryer dhe po kryen një proces zhvatjeje të pronave të ushtrisë shqiptare”, tha më tej Balla. PS-ja, ndërkohë, ka shpallur strategjinë e saj të re të denoncimit të çështjeve të pronësisë. “Prej nesër do t’i tregojmë qytetarëve shqiptarë kudo nëpër Shqipëri, këto prona të tjetërsuara përmes këtij procesi tërësisht antikombëtar, që nëse do ta kishte bërë, është një ushtri pushtuese”, theksoi Balla. Socialistët do të shkojnë në çdo objekt të ushtrisë, të cilat kanë dalë në shitje, duke bërë denoncime faktike. Prej ditësh, partia më e madhe e opozitës, PS, po denoncon me fakte kontratat për shitjen e armëve dhe të municioneve. Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka paraqitur disa kontrata me të cilën pretendohen abuzime dhe favorizime me kompani që janë të lidhura me ato serbe. Të tilla janë ato lidhura me kompaninë shtetërore serbe, filialin e së cilës e ka Sllobodan Tesiç, një nga financuesit kryesorë në zgjedhje të partisë radikale të Presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç. Ministri i vënë nën akuzë, Arben Imami, ka hedhur poshtë akuzat e PS-së, duke theksuar se nuk e ka takuar asnjëherë biznesmenin Sllobodan Tesiç, i cili drejton “Moon Strom”, me të cilin Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar dhjetëra kontrata për shitjen dhe blerjen e armatimeve ushtarake. Një tjetër akuzë e PS-së është ajo e blerjes në mënyrë të jashtëligjshme të aparaturave të përgjimeve.
Kilometra katrorë – Janë gjithsej 17,114,493 metra katrorë objekte dhe troje, prona të ushtrisë, të cilat Arben Imami po i tjetërson nga pronësia e shtetit dhe qytetarëve, në drejtim të disa privatëve
Objektet – Janë reparte ushtarake brenda vijës së verdhë të qyteteve: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë
Bregdeti – Baza të rëndësishme në të gjithë shtrirjen e bregdetit shqiptar si Bisht Palla, Kalaja e Ali Pashës, tunelet e nëndetëseve, Shkolla e Marinës do t’u jepen privatëve
Reagimi
Kulluri: Nuk kemi tagrin të shesim pronat, vlerësimi i objekteve erdhi nga Shtabi i Përgjithshëm
Sekretari shmang nga përgjegjësia Imamin: I firmosi Presidenti
Ministria e Mbrojtjes reagon ndaj akuzave të reja të opozitës për shitjen e aseteve të paluajtshme të FA-së. Sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Edvin Kulluri, tha se “Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se nuk shet dhe nuk e ka në tagrin e saj ligjor shitjen e pronave që ka nën administrim. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura vlerëson se cilat prona duhet të mbeten në Planin e Përhapjes së FA-së, plan ky i miratuar nga Presidenti i Republikës me dekret”. “Ministri i Mbrojtjes as nuk vendos e as nuk heq prona nga Plani i Përhapjes. Pronat që nuk i nevojiten FA-së në plotësimin e misionit të vet kushtetues, i nënshtrohen procedurave ligjore të tjetërsimit, sipas disa prioriteteve ligjore. Së pari, transferimin e tyre pranë pushtetit lokal ose institucioneve të ndryshme të pushtetit qendror me Vendime të Këshillit të Ministrave, bazuar në kërkesat e tyre, prona këto që përdoren për shkolla, qendra sociale, e shërbim shëndetësor e nevoja të tjera të komunitetit. Numri i pronave të transferuara nga viti 2003 deri në 2012 është 71. Së dyti, një pjesë e pronave të tepërta i kanë kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensim fizik të pronarëve, kur mbi truallin e pronës nuk ka objekte ndërtimore”, theksoi Kulluri. Më tej, ai theksoi se “pjesa e mbetur, i kalohet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila është pronare ligjore e pronave shtetërore. METE është organ përgjegjës për drejtimin dhe mbikëqyrjen e procesit të kalimit të pronës shtetërore në pronë private. Ministria e Financave, nëpërmjet Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike është organi përgjegjës për realizimin e procedurave të shitjes së pronës”.
Sekretari i Përgjithshëm i MM-së bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Financave ka raportuar se deri më tani, në total janë shitur vetëm 23 prona, që kanë qenë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, nga të cilat, 70 për qind e tyre janë përfituar nga ish-pronarët, me të drejtën e parablerjes. Duhet të theksojmë se Ministria e Mbrojtjes nuk vendos çmime për këto prona, por me ligj, kjo kompetencë është e Ministrisë së Ekonomisë dhe ekspertëve të licencuar e të pavarur, të kontraktuar nga kjo ministri. “Pra siç kuptohet, pretendimi se Ministra e Mbrojtjes shet prona përbën dezinformim publik. Padituria e një deputeti për ligjin nuk e bën procesin të ndryshëm nga ç’është. Roli i Parlamentit në këtë proces ka qenë miratimi i ligjit nr. 9967, datë 24.07.2008, “Për miratimin e Aktit Normativ Nr. 4, datë 09.07.2008, për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve dhe objekteve të veçantë, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, tha Kulluri. B.HOTI
Pronat e Ushtrisë