Europa
Ideja e krijimit të buxhetit të përbashkët në Bashkimin Europian ka fituar më shumë nga sa pritej, mes vendeve anëtare, njofton “Reuters” duke cituar burime diplomatike. Samiti për buxhetin pritet të mbahet më vonë këtë muaj dhe diplomatët thonë se ideja e buxhetit të përbashkët ka njohur shumë më pak kundërshti se sa pritej fillimisht.
Në një darkë private të mbajtur javën e kaluar mes ambasadorëve të BE-së të shumë vendeve nordike, të pranishmit u befasuan nga fakti se sa shumë u mikëprit kjo ide.
“Nuk mund të them se kishte mbështetje të fortë, por pashë se dominonte mendimi që kjo ide të shqyrtohet më tej”, tha një diplomat në kushtet e anonimitetit.
Buxheti i përbashkët u propozua fillimisht nga Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy. Ai tha se ka nevojë për një bashkim fiskal mes 17 vendeve të Eurozonës, duke përfshirë krijimin e një thesari të përbashkët dhe një buxhet qendror me funksione dhe role që mbeten për t’u përcaktuar. Ideja do të diskutohet më 18-19 tetor. Nuk ka ende një përcaktim të qartë se çfarë nënkuptohet me buxhetin e përbashkët, por Gjermania e mbështet këtë nismë, ndërsa Franca ka dhënë miratim paraprak.
Megjithëse ideja e buxhetit të përbashkët ka shumë kuptim për vendet anëtare të euros, ajo ngre menjëherë pyetje mbi sovranitetin, disiplinën buxhetore dhe ambiciet afatgjata. Idetë e Gjermanisë se si duhet të financohet, menaxhohet dhe përdoret buxheti qendror ka gjasa që do të jenë shumë të ndryshme nga idetë e vendeve të tjera.