Vendimi merret këtë javë, por shikohet si presion. Çekët: Po goditemi shpesh
ARD KOLA
Acarohet edhe më tej situata mes shtetit dhe kompanisë më të madhe private në vend. CEZ mori hapin e fundit për t’i dhënë një tjetër shans qeverisë para se të vendosë largimin final, kurse Enti Rregullator po i jep, gjithashtu, paralajmërimin e fundit para se t’i heqë licencën. Pas më shumë se dy vitesh përplasjesh të forta, madje edhe në gjykata, tashmë raportet mes CEZ dhe Entit Rregullator konsiderohet në nivel krize. Të dyja palët pretendojnë se kanë të drejtë, por nuk është gjendur asnjëherë zgjidhje, ndërsa rezultati duket sakaq me kufizime dritash, mungesë investimesh, borxhe pafund energjetike dhe rrezik kolapsi në muajt e ardhshëm.
Gazeta “Shqip” disponon një kopje të projektvendimit të ERE, miratuar javën e kaluar, nga ku planifikohet nisja e shqyrtimit për heqjen e licencës.
Shansi i fundit
Në zbatim të nenit 7 të Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003, “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”; nenit 9 të Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Brendshëm të Entit Rregullator të Energjisë të miratuar me vendimin Nr. 141, datë 24.12.2008 dhe nenit 14 të Rregullave të Praktikës dhe Procedurave të ERE-s, Sokol Ramadani, kreu i ERE ka njoftuar se, ditën e enjte më 11 tetor do të zhvillohet mbledhja e Bordit të Komisionerëve me rend dite:
Lidhur me shqyrtimin e propozimit për fillimin e procedurave për heqjen e licencës për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike shoqërisë CEZ Shpërndarje dhe Licencës për Furnizimin Publik me Pakicë të Energjisë Elektrike. Këto të drejta, kompania i mori në vitin 2008, kur u nda nga KESH dhe quhej me emrin tregtar OSSH.
Tashmë, privatizimi më i madh i kohërave po kthehet në dështim të qeverisë shqiptare, por edhe të institucioneve ndërkombëtare që asistuan shitjen e operatorit publik të shpërndarjes te privati, në maj të vitit 2009, për 102 milionë euro.
Largimi i CEZ nga vendi ynë do të sjellë gjithashtu kosto të rënda si politika, por edhe ekonomike për vendin, pasi kompania çeke konsiderohet lider në tregun rajonal, me 7 degë, dhe me xhiro deri në 2 miliardë euro.
Vendimi, në rast se merret këtë javë, hap rrugën për heqjen e licencës, i cili do të kërkojë të paktën dy muaj kohë, megjithatë, burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ky hap konsiderohet si mjet presioni për të shtruar kompaninë në rrugën e duhur të respektimit të kontratave.
Zanafilla e krizës
Kompania CEZ thotë se zanafilla e krizës që po përjeton aktualisht shoqëria, me pasoja tashmë edhe për buxhetin e shtetit, janë disa vendime të entit rregullator të energjisë elektrike. “Janë pikërisht humbjet në rrjet, të cilat nuk u matën dhe u njohën kurrë si duhet, duke ndikuar në bilancet e shoqërisë dhe më tej, duke fryrë artificialisht detyrimin për të importuar më shumë nga sa duhej”, thotë kompania për “Shqip”.
Përplasjet mes tyre nisën në 2010-n, një vit pas privatizimit. ERE dhe CEZ shkuan në gjyq, pasi Enti nuk njohu nivelin e humbjeve të pretenduar nga kompania çeke, sipas vlerësimit të pavarur të kryer nga auditues të huaj. Nëse niveli i humbjeve në rrjet pretendohej se ishin 37 për qind, ERE deklaroi se janë 35 për qind. Duhet thënë se sa më të larta janë humbjet (vjedhjet në rrjet dhe mospagesat e faturave), aq më shumë duhet të investojë CEZ, për rrjedhojë nevojiten para dhe natyrshëm rritje të çmimit të dritave. Gjithashtu, nivel më i madh humbjesh, e detyron CEZ të ketë më shumë importe, pasi KESH i jep atë energji vetëm për pjesën tjetër, sikurse është caktuar në kontratën e privatizimit.
Në fund të vitit 2011, ERE mori vendimin për t’ia rritur çmimin e energjisë elektrike CEZ-it që blinte te KESH, duke e rënduar më tej, kurse METE vendosi t’i hiqte klientët më të rregullt, të mëdhenjtë, me ndikim negativ në bilanc prej 50 milionë dollarësh në vit.
Gjobat dhe KESH
Viti 2012 nisi ters për CEZ-in, e ndërsa javët kalonin, korporata më e madhe energjetike, ajo e prodhimit, KESH, po zhytej në borxhe. Me vijimin e thatësirës, KESH ndërpreu eksportet, por nuk kishte mundësi të importonte, kurse CEZ deklaronte në bilance humbje të mëdha nga mospagesa e faturave të dritave në rang vendi, kryesisht në zonat rurale dhe ato informale të qyteteve të mëdha. Në muajt e verës, CEZ gjobitet nga tatimet me 30 milionë euro dhe më pas nga ERE me një tjetër gjobë me 3 milionë euro, duke e rënduar më shumë situatën për kompaninë çeke, e cila i kishte bërë publike qeverisë me anë të disa letrave se borxhet po e falimentojnë, dhe se ndëshkimet nuk japin shpresë për zgjidhje. Sakaq, KESH ka borxhe, për faturat e papaguara të kompanive importuese, duke fajësuar CEZ-in se nuk ka respektuar kontratën e shitblerjes së energjisë, duke i lënë peng 700 milionë kilovat.
Në këtë mori përplasjesh të shumta, CEZ njoftoi ardhjen e një grupi britanik, shoqëria e të cilëve zgjidh rastet e krizave mes shtetit dhe një kompania private publike. ERE thotë se kompanisë çeke i janë dhënë të gjitha mundësitë për të pasur performancë pozitive, por nuk ka punuar si duhet. Megjithatë, të dyja palët janë optimiste se nuk do të ketë vendime radikale, si për largime, ashtu edhe për heqje të licencës, por faktet tregojnë se mundësitë për zgjidhje janë të pakta.
Nëse ERE nis procedurat për heqje licence, vendimi final merret brenda 2 muajve, nga miratimi
Bilanci
Totali – Në raportet e CEZ-it për detyrimet e prapambetura, thuhet se në total, kompanisë i kanë borxh rreth 50 miliardë lekë, krijuar në tri vitet e fundit
Shtetit – Përveç familjeve, që kanë peshën më të madhe në totalin e borxhit, edhe administrata shtetërore është përgjegjëse, me detyrim afro 7 miliardë lekë
Kredia – CEZ kërkoi nga bankat private 100 milionë euro kredi për të investuar, por i nevojitej garanci nga ERE për respektimin e vendimeve, e cila nuk u dha
Mbledhja – Kopje e njoftimit të kreut të ERE-s, Ramadani, për shqyrtimin e vendimit të heqjes së licencës së CEZ-it
Fushata e CEZ-it nuk është mirëpritur në disa rajone të vendit
Pa drita kush nuk paguan, por banorët protestojnë
Motoja e CEZ-it është shumë e qartë. Kush nuk e paguan energjinë elektrike nuk do të furnizohet. Këtë moto kompania e mbajti si refren për dy vite, por vetën në muajt e verës të 2012 nisi ta zbatonte seriozisht. Borxhet e akumuluara të komunave dhe fshatrave 100 për qind debitore arrinin në rreth 2 miliardë lekë. “Mundohemi të mos bëjmë kufizime kolektive, por vetëm te kabinat ku detyrimi është 100 për qind, pra ku e gjitha zona ka borxhe ndaj nesh”, thotë kompania.
Aksionet nuk janë pritur mirë, sidomos në Kukës dhe Dibër. Banorët thonë se nuk kanë para, të tjerë protestojnë se i kanë paguar dhe dritat u janë hequr, por ka edhe nga ata që pretendojnë se me ngritjen e hidrocentraleve janë dëmtuar tokat dhe shteti nuk u kanë dhënë asgjë, për rrjedhojë s’do paguajnë faturat.
Në Kukës, tri ditët e fundit, të paktën dy raste të regjistruara dhe të rënduara, banorët bllokuan Rrugën e Kombit. Ata futen në nënstacionet elektrike për të rilidhur linjat e stakuara nga CEZ, kurse kompania për të shmangur pasojat me jetën u heq totalisht rrymën elektrike. Protesta ka pasur katër ditë më parë në Bathore, lagje e Kamzës, në Tiranë, pasi CEZ aplikon kufizime prej 12 orësh në ditë. Reagime të ashpra ka pasur edhe në fshatrat e Durrësit, ku është dashur ndërhyrja e policisë.
Kompania po përballet me mentalitetin mospagues të dritave, por edhe me problemet ekonomike të familjeve të varfra, të cilat nuk paguajnë dot as fatura mujore prej 1500 lekësh.
Sakaq, kufizimet vijojnë ende. Në ditët e djeshme, zona të ndryshme të vendit nuk kanë pasur energji elektrike, për shkak të defektit, si p.sh, ajo e Kërrabës, por edhe të kufizimeve të lidhura me mospagesa faturash. Kompania thotë se nuk do të ketë asnjë tolerim, madje ka nisur edhe një fushatë në media: kush vjedh energjinë, ndëshkohet!, por as ky paralajmërim nuk ndërgjegjëson mendjet e banorëve të varfër. A.Kola
Zonat ku debia ndaj CEZ arrin 100 për qind, i kanë kompanisë të paktën 2 miliardë lekë borxh
Kriza
Prova “britanike” për negociatat
Kompania CEZ njoftoi së fundmi se ka plotësuar pozicionet e saj në Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin e Drejtorëve të CEZ Shpërndarje me ekspertë të pavarur nga kompania SCHINDLERS, një kompani me bazë në Britaninë e Madhe me eksperiencë afatgjatë në negociata strategjike. CEZ pret që kjo lëvizje të qetësojë klimën aktuale të tensionuar të komunikimit dhe do të bëhet e rëndësishme në ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshëm për të zgjidhur situatën në Shqipëri. Të premten e kaluar, bordi miratoi drejtimin e ri nga britanikët, të cilët do të qëndrojnë disa muaj, me shpresën se do të zgjidhin me qeverinë mosmarrëveshjet që CEZ nuk mundi t’i sheshonte. Grupi CEZ vendosi të ndërmarrë këtë hap pas një serie bisedimesh të pasuksesshme, të cilat kanë rezultuar, në një gjobë (30 milionë euro) që u vendos mbi kompaninë lokale si pasojë e impaktit në taksa nga humbjet e pësuara në sistemin e shpërndarjes. “Shqipëria është vendi i vetëm ku grupi nuk i ka kapërcyer dhe as nuk i ka arritur kthimet e planifikuara mbi investimin”, thotë kompania.