Vëzhgim/ Gjykata nuk largoi nga banesa Edmondin, ndryshe nga vendimet e tjera, që përcaktonte distancën
Silvana Muça
Rolanda Doku, 36-vjeçarja, e cila u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në Laprakë të Tiranës, prej vitesh kishte rënë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike të bashkëshortit Edmond Doku. Ndonëse ia kishte besuar “jetën” gjykatës dhe policisë, këta të fundit nuk arritën që ta shpëtonin, edhe pse në gjykatë kishte deklaruar se dhunohej në mënyrë sistematike, fizikisht dhe psikologjikisht nga 44-vjeçari. Më 2 tetor të këtij viti, Gjykata e Tiranës ka vendosur që të lëshojë një vendim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për paditësen Rolanda Doku. Njëkohësisht mësohet se Edmond Doku është urdhëruar nga gjykata, që të mos ushtrojë dhunë, cenojë apo kërcënojë, të mos kontaktojë me bashkëshorten dhe djalin e tij. Pavarësisht se është dhënë një urdhër i tillë, kjo nuk e ka ndaluar 44-vjeçarin të kryejë krimin makabër në sy të fëmijës 10-vjeçar.
Mungesa e vëmendjes së gjykatës nuk arriti të parandalonte krimin e rëndë brenda familjes, fenomen ky mjaft i mprehtë në Shqipëri. Prej kohësh, Rolanda Doku kishte kërkuar që të divorcohej nga bashkëshorti dhe procedurat për zgjidhjen e martesës kishin nisur. Nuk ishte hera e parë që 36-vjeçarja u ishte drejtuar organeve kompetente për dhunën e ushtruar nga bashkëshorti, por sërish Edmondi kthehej në shtëpi dhe niste të njëjtën histori. Në kërkesën e padisë për marrjen e urdhrit të mbrojtjes, ajo ka deklaruar se dhunohej dhe kërcënohej prej më shumë se gjashtë vjetësh, por pavarësisht kësaj, gjykata nuk ka nisur asnjë hetim gjyqësor. Ajo u mjaftua duke lëshuar një vendim mbrojtjeje, vetëm në bazë të deklaratave që viktima kishte dhënë pranë këtij organi, i cili ka qenë i pamjaftueshëm për sigurinë e jetës së Rolandës. Në një vëzhgim të bërë nga gazeta “Shqip”, vihet re se në shumë raste, gjykata ka marrë vendime më serioze, të cilat rrisin garancinë e jetës së personit që pretendon se dhunohet nga partneri apo i padituri. Në një rast konkret, Gjykata e Tiranës në datën 2 tetor 2012, ka vendosur masën e urdhrit të mbrojtjes për V.D, 29 vjeçe, me banim në Durrës. Mësohet se 29-vjeçarja është rrahur dhe kërcënuar së bashku me nënën H.D në banesë prej motrës së saj Gj.D, 39 vjeçe. Konflikti ka nisur për motive pronësie, marrjen e banesës me forcë nga kjo e fundit. Gjykata duke parë se e paditura ishte person që shfaqte rrezikshmëri për dy personat e lartpërmendur, ka lëshuar një urdhër mbrojtje, i cili përcakton kushtet e sjelljes së 39-vjeçares me familjarët e saj. Gjykata ka vendosur që Gj.D të mos i afrohet motrës dhe nënës së saj, në një distancë prej 100 metrash, të mos futet në banesën private ku jetojnë paditëset dhe kohëzgjatja e urdhrit të vazhdojë 6 muaj. Po më 2 tetor 2012, gjykata ka lëshuar urdhër mbrojte për 49-vjeçaren, Suela I., e cila ka deklaruar se ndihet e kërcënuar nga bashkëshorti i saj, Refik I. 56 vjeç. Historia në këtë familje dhe te familja Doku është e njëjtë, vendimi i gjykatës i ndryshëm. Paditëset Suzana I., dhe Rolanda Doku pretendojnë se janë dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht nga bashkëshortët. Kryefamiljarët prej vitesh nuk dërgonin të ardhura në shtëpi, për të rritur fëmijët e vetëm, por e kalonin kohën duke u dehur rrugëve. Në momentin që ktheheshin në shtëpi dhunonin dhe kërcënonin me jetë pjesëtarët e familjes.
Në të dyja rastet, dhunuesit nuk e kanë pranuar akuzën, por pavarësisht kësaj, vendimet janë marrë. Ndaj 56-vjeçarit Refik I. gjykata ka vendosur që i padituri të largohet nga banesa, për një kohë prej 6 muajsh dhe të mos lejohet të rihyjë pa autorizimin e gjykatës. Njëkohësisht, gjykata ka urdhëruar që ai të mos i afrohet Universitetit të Gjuhëve të Huaja, vendi ku studionte vajza e tij M.I. 19 vjeçe. Kjo masë rrit deri në njëfarë grade sigurinë e jetës ndaj viktimave të dhunës. Por e kundërta ka ndodhur në familjen Doku. Gjykata nuk ka urdhëruar që autori i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes, të largohet nga banesa dhe të respektojë një distancë të caktuar. Vendimi nuk përcakton harkun kohor të urdhrit të mbrojtjes. Pavarësisht se viktima kishte deklaruar se ndihej e kërcënuar, ajo vazhdonte të jetonte me Edmondin, derisa ky i fundit i mori jetën, duke lënë jetim djalin 10-vjeçar.
Largimi – Gjykata nuk ka urdhëruar që autori i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes, të largohet nga banesa dhe të respektojë një distancë të caktuar
Parandalimi – Mungesa e vëmendjes së gjykatës nuk arriti të parandalonte krimin e rëndë brenda familjes, fenomen mjaft i mprehtë në Shqipëri
Divorci – Prej kohësh, Rolanda Doku kishte kërkuar që të divorcohej nga bashkëshorti dhe procedurat për zgjidhjen e martesës kishin nisur
Vendimi – Gjykata u mjaftua, duke lëshuar një vendim mbrojtjeje, vetëm në bazë të deklaratave që viktima kishte dhënë pranë këtij organi
Precedentët – Në shumë raste, gjykata ka marrë vendime më serioze, të cilat rrisin garancinë e jetës të personit që pretendon se dhunohet nga partneri apo i padituri
Banesa – Gjykata nuk ka urdhëruar që autori i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes, të largohet nga banesa dhe të respektojë një distancë të caktuar
Intervista
Klaudjo Doku rrëfen marrëdhënien e çiftit: Rolanda nuk pati asnjë ditë të lumtur nga martesa
Nipi i autorit: Edmondi nuk ishte bashkëshorti ideal
Ngjarja tragjike ka tronditur të gjithë të afërmit e viktimës, por edhe të autorit të dyshuar për vrasjen. Në shtëpinë e Rolandës, vizitat për ngushëllime nuk pushonin. Ishin të afërmit e bashkëshortit vrasës, ata që prisnin njerëzit. Atmosfera dukej mjaft e rënduar dhe të gjithë thonin nën zë “e shkreta sa vuajti në këtë jetë nga ai maskara. Ishte ylli i botës dhe tani do ta tresë dheu”. Ajo gëzonte respektin e së gjithë zonës, fqinjëve dhe të afërmve. Ndonëse ishte martuar me dashuri, nuk pati kurrë një ditë të lumtur, sepse Edmondi nuk kishte qenë bashkëshorti ideal. Çifti jetonte në katin e tretë të një pallati në zonën e quajtur Laprakë. Nipi i autorit të dyshuar për vrasjen e Rolandës, Klaudjo Doku, na pret me mirësjellje, duke respektuar të gjitha ritet e mortit. Klaudjo flet me shumë dashamirësi ndaj nuses së xhaxhait të tij. Në një intervistë të shkurtër, ai tregon historinë e çiftit, tashmë të ndarë përjetësisht dhe jo ligjërisht, ku kjo e fundit ishte dëshira e vetme e viktimës.
Si ishin marrëdhëniet në familjen Doku?
Mondi gjithmonë pinte dhe ishte person problematik. Që në fillimet e martesës, ata kanë pasur probleme, por situata u degradua deri në këtë fazë. Ai është gjaku im, por asnjëherë nuk e kam mbështetur sjelljen e tij agresive. Në mënyrë sistematike, ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të vogël, që tani është në klasë të dytë.
Kur jeni takuar për herë të fundit me Rolandën?
Disa orë para krimit, ajo ishte në shtëpinë tonë. Nuk vinte shpesh te ne, sepse nuk e linte xhaxhai. Ai ia kishte ndaluar që të dilte nga shtëpia. Landa ishte detyruar që të ndërpriste të gjitha kontaktet me familjarët, prej sjelljes së keqe të Mondit. Unë kisha kohë që nuk vija në shtëpinë e tyre. Ai nuk e gëzonte respektin e asnjërit.
Çfarë iu tha Rolanda në vizitën e fundit që iu bëri në shtëpi?
Të njëjtat gjëra që na thoshte prej gjashtë vjetësh. Ishte e mërzitur nga jeta që i ofronte xhaxhai im. Ai e dhunonte, e degjeneronte rrugëve, e kërcënonte e ç’nuk i bënte. Për më tepër, Landa nuk kishte para për të rritur fëmijën e vetëm nga martesa e dështuar. Burri nuk i sillte asnjëherë para në shtëpi. Sepse edhe ato që merrte, i harxhonte duke pirë alkool. Ishim ne ata që i siguronim të paktën bukën e gojës, sepse më shumë nuk kishim mundësi.
Sa kohë kishte pa punuar Edmondi?
Nuk kishte shumë zell për punën, por edhe kur e gjente, nuk ishte i zoti që ta mbante. Para disa javësh, punonte në Bashkinë e Tiranës, por e larguan, sepse ai është person problematik dhe nuk e gjen gjuhën e përbashkët me asnjë. Atje shkonte me vonesë, përplasej me kolegët, derisa e hoqën. Nuk ka pasur asnjëherë punë stabël. Për të siguruar paratë e pijes, bënte punë të ndryshme, ndërsa familja ishte e fundit për të.
Si e priti divorcin?
Normalisht që ai nuk e donte shpërbërjen e familjes. Kjo e ka irrituar jashtë mase. Gjatë gjithë kësaj kohe, pinte pa pushim dhe shkonte në shtëpi për të kërcënuar Rolandën. Ndërsa kur ishte në gjendje normale, i kërkonte falje Rolandës, premtonte se nuk do të pinte. I lutej që ta falte. Premtimet e tij zgjasnin vetëm sa të dilte jashtë derës së shtëpisë. Harronte gjithçka.
E keni takuar ditën e krimit?
Unë personalisht nuk e kam takuar. Kam qenë në punë në momentin kur ndodhi krimi. Më kishin thënë që atë ditë, ai nuk ishte mirë. Nuk ishte i aftë që të qëndronte në këmbë dhe dridhej i tëri. Nuk ma mori mendja që situata do të shkonte deri në këtë pikë. Ai gjithmonë pinte dhe kur e shihja në një gjendje të tillë, mundohesha që ta shmangia, sepse bëhej i padurueshëm.
Si ndodhi sherri mes çiftit?
Nuk kishte asnjë motiv. Ishte sherri i radhës. I gjithë pallati e ka parë krimin makabër me sy. Janë alarmuar nga ngjarja e rëndë. Ai që e ka përjetuar më keq situatën është djali i vogël. Ka qenë i pranishëm në momentin e ekzekutimit. Pas vrasjes, Mondi e ka shtrënguar një herë fort të birin, por i alarmuar ai ia ka mbathur. Ka parë tmerr me sy dhe është në gjendje të rënduar psikologjike. Tani e kemi dërguar te të afërmit e saj, por nuk është mirë psikologjikisht. E gjithë ngjarja është zhvilluar në sheshpushimin e katit të parë. Ata kanë dalë nga shtëpia, duke u zënë në shkallët e pallatit. Kanë qenë pesë thika, ato që i shkaktuan vdekjen. Djali i dajës së autorit nisi që ta dërgonte me makinë për në spital, por nuk ia doli. Ajo humbi jetën gjatë rrugës. Bisedoi: S.Muça
Vizita – Disa orë para krimit, ajo ishte në shtëpinë tonë. Nuk vinte shpesh te ne, sepse nuk e linte xhaxhai. Ai ia kishte ndaluar që të dilte nga shtëpia
