Të dhëna
Dënimet – Janë dënuar me periudha burgimi nga 1 deri në 3 vjet Alfred Bejleri, Vangjel Kolila, Koço Llazari, një vajzë me mbiemrin Rrapo dhe një person tjetër
Akuza – Janë dënuar nga gjykatat e Shqipërisë, me akuzën e thyerjes së simboleve kombëtare në vitin 2003 në Himarë, gjatë procesit të zgjedhjeve lokale
Refuzimet – Kërkesa nuk është marrë parasysh në asnjë rrethanë politike apo humane, me gjithë kërkesat e vazhdueshme drejtuar presidentëve të mëparshëm Moisiu dhe Topi
Gjykimi – Të dënuarit janë në pritje të një gjykimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pasi kërkojnë dënimin e Shqipërisë
Letër Nishanit: Të falen pesë persona, hodhën parulla “Shqipëria-Al Kaeda” në zgjedhjet lokale të vitit 2003
Pesë shqiptarë të etnisë greke nga Himara i kërkojnë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, t’u falet dënimi. Me rastin e faljeve dhe amnistisë që po përgatit Presidenti dhe Ministria e Drejtësisë, komuniteti himarjot i ka dërguar një letër publike kreut të shtetit, duke kërkuar që këtyre personave t’u falet dënimi nga 1 deri në 3 vite burg, megjithëse nuk janë në qeli, pasi janë “arratisur” dhe nuk mund të kthehen në vendlindje. Mësohet se kërkuesit janë dënuar nga gjykatat për përdhosje të simboleve kombëtare, pasi në vitin 2003, gjatë zgjedhjeve lokale në Himarë, hodhën parulla “Shqipëria-Al Kaeda”, madje pamjet u transmetuan edhe në televizionet kombëtare.
Kërkesa për Nishanin
Me një kërkesë, shoqata “Komuniteti Himarjot”, i drejtohet Presidentit të Republikës, që të falë pesë persona me akuzën e përdhosjes së simboleve kombëtare. “Në jubileun e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, komuniteti himarjot, iu drejtohet ju, nëpërmjet një letre të hapur për opinionin publik shqiptar, që të merrni në konsideratë kërkesën e qindra dhe mijëra himarjotëve, brenda dhe në diasporë, për të falur 5 anëtarë, shtetas shqiptarë të etnisë greke, të cilët janë dënuar nga gjykatat e Republikës së Shqipërisë, me akuzën e thyerjes së simboleve kombëtare në vitin 2003 në Himarë, gjatë procesit të zgjedhjeve lokale”, thuhet në kërkesë. “Megjithëse të dënuarit janë në pritje të një gjykimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ne kemi arsye që t’ju paraqesim një kërkesë legjitime, e cila nuk është marrë parasysh në asnjë rrethanë politike apo humane, me gjithë kërkesat e vazhdueshme që kanë bërë, individë, parti dhe organizata të ndryshme, drejtuar presidentëve të mëparshëm Moisiu dhe Topi. Ne gjejmë rastin t’ju drejtohemi duke parë një realitet të ri, të një Shqipërie gjithmonë dhe më pranë Europës, e cila aspiron, me angazhimet e saj shumëdimensionale, të jetë protagoniste dhe konsekuente në praktikën e lirive dhe të drejtave universale humane, ashtu siç edhe ju, e dëshmuat me fjalimet përkatësisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe së fundi, në Këshillin e Europës”, përfundon kërkesa.
Dënimi nga Gjykata e Vlorës
Mësohet se pesë himarjotët, në vitin 2003, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, përdhosën flamurin kombëtar, hodhën parulla “Shqipëri – Al Kaeda” dhe nxitën masat për përplasje me policinë. Ata janë dënuar fillimisht në vitin 2006 nga Gjykata e Rrethit të Vlorës, me periudha të ndryshme burgimi. Janë dënuar me periudha burgimi nga 1 deri në 3 vjet shtetasit Alfred Bejleri, Vangjel Kolila, Koço Llazari, një vajzë me mbiemrin Rrapo dhe një person tjetër. Ata janë dënuar për shkelje të rendit, duke krijuar situata anarkie dhe fyerje të simboleve kombëtare. Pesë të dënuarit e lartpërmendur janë akuzuar për një nga ngjarjet e ndodhura në Himarë, në mbrëmjen e ditës së votimeve, për zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2003, kur një numër personash protestuan përpara godinës së Bashkisë së Himarës, në pritje të rezultatit. Pamjet televizive të ngjarjeve shkaktuan një irritim të madh në opinionin publik shqiptar, e madje për pak sa nuk u përshkallëzuan edhe në kundërveprime të dhunshme, por gjithçka u shmang me gjakftohtësi.
Arratia – Pesë personat e dënuar nga Gjykata e Vlorës kanë apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit, ndërsa pas marrjes së masës së dënimit janë “arratisur”, ndoshta në Greqi. Edhe Gjykata e Apelit e Vlorës ka lënë në fuqi të njëjtin vendim, ndërsa avokatët i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë. Kolegji Penal vendosi sërish dënimin e këtyre personave dhe tashmë shqiptarët me etni greke nga Himara i janë drejtuar Strasburgut, ku kërkojnë dënimin e vendlindjes, për vendime të padrejta. s.ç
Parullat – Rreth muajit tetor të vitit 2003, në një protestë para Bashkisë së Himarës, disa persona nxorën parulla “Shqipëria – Al Kaeda”
Përplasja – Ngjarja shënoi shumë pakënaqësi në radhët e shqiptarëve. Një numër i madh personash tentuan të shkonin nga Vlora në Himarë, por u ndaluan nga policia