Tregu – FMN thotë se qeveria duhet të lejojë “forcat e tregut të korrektojnë çmimet e banesave përmes masave të tilla si heqja e çmimeve dysheme”, si pjesë e masave për të lehtësuar krizën ekonomike në Shqipëri


FMN kërkon heqjen e hartës së çmimeve dhe taksave aforfe për të zhbllokuar tregun


Gjergj Erebara


Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se një nga shkaqet që i mbajnë të larta çmimet e apartamenteve dhe pronave të tjera në Shqipëri, është edhe çmimi referues fiskal i vendosur nga qeveria. Në raportin e saj të fundit për Shqipërinë, FMN kërkon që qeveria të heqë çmimet dysheme të Ministrisë së Financave dhe Tatimeve si një mënyrë që do t’i hapte rrugë rigjallërimit të tregut të ndërtimit, ndërsa do të zhbllokonte situatën me kolateralet e paekzekutuara, si dhe do të lehtësonte shqiptarët që kanë nevojë për shtëpi.


FMN thotë se qeveria duhet të lejojë “forcat e tregut të korrektojnë çmimet e banesave përmes masave të tilla si heqja e çmimeve dysheme”, si pjesë e masave për të lehtësuar krizën ekonomike në Shqipëri.


Kërkesa për shtëpi, si dhe sasia e kredive të dhëna për blerje banesash ka rënë ndjeshëm gjatë tri viteve të fundit, gjë që në teori, do të duhej të sillte edhe rënie të çmimit. Por në fakt, rënia e çmimit nuk është shfaqur ende. Çmimet e banesave sipas vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë, mbeten pak a shumë në të njëjtat nivele si katër vite më parë, me të vetmin ndryshim që nuk kanë pësuar rritje. Rënia është shënuar vetëm në çmimet e apartamenteve të piacës së lartë.


“Niveli në rritje i kredive të këqija është një shqetësim dhe kërkon veprime të menjëhershme. Kreditë e këqija janë përgjithësisht në tregti, ndërtim dhe manifakturë dhe janë rritur më shpejt sesa në vendet e tjera të rajonit, përgjithësisht si pasojë e ngadalësimit ekonomik, mospagesës nga qeveria të faturave të furnitorëve dhe vonesat e vazhdueshme në ekzekutimin e kolateralit”, thotë FMN-ja.


“Veprime të menjëhershme duhet të merren në këtë drejtim, përfshirë heqjen e çmimeve dysheme të rregulluara” (të përcaktuara nga qeveria), thotë më tej FMN.


Çmimet referencë


Shqipëria teorikisht është një vend në ekonomi tregu, ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta. Por kjo gjë nuk ndodh në tregun e pronave, ku kërkesa dhe oferta janë vetëm një element periferik, ndërsa çmimet mbi të cilat qeveria mbledh taksa (dhe më së shumti, çmimet me të cilat qeveritarët shesin pronat publike), janë më përcaktues. Këto çmime janë vendosur tashmë prej dhjetë vjetësh përmes disa vendimeve e akteve të tjera administrative. Qeveria i ka marrë këto vendime në disa raste me kërkesë të ndërtuesve, në disa raste të tjera me synimin për të mbledhur taksa aforfe. Vendimi i parë u mor në vitin 2002, kur ndërtuesit dhe tatimorët ranë dakord të mos lejojnë shitje të dyqaneve dhe apartamenteve në zona të ndryshme të Tiranës më poshtë sesa çmimet dysheme të përcaktuara. Teorikisht kjo qe për të luftuar evazionin fiskal. Praktikisht për të imponuar çmime monopol. Disa vite më vonë, Ministria e Financave vendosi një masë tjetër, duke përcaktuar çmimet minimale, si dhe normat minimale të fitimit, me anë të së cilave, synonte të mblidhte tatimin mbi fitimin për kompanitë e ndërtimit.


Në vitin 2007, qeveria vendosi të imponojë çmime referencë për vlerën e tokave bujqësore në të gjithë Shqipërinë, në bazë të së cilave mbledh taksën mbi fitimet kapitale, ose 10 për qind të diferencës së çmimit të blerjes me atë të shitjes. Në disa raste, çmimet e vendosura nga qeveria qenë shumë të larta, në disa raste të tjera, shumë të ulëta. Në shumë raste, qeveritarët blenë tokë shtetërore në bregdetin e Durrësit dhe e paguan me çmimin e tokës bujqësore të përcaktuar nga qeveria. Ndërkohë, fshatarët detyrohen të paguajnë taksa shumë më të larta për toka bujqësore që çmimin e tregun e kanë shumë më të ulët nga ai i caktuar nga qeveria.


Të gjitha këto masa sollën që çmimet e pronave në Shqipëri të mos përcaktohen nga kërkesë-oferta, por nga Ministria e Financave. Ngarkesa e taksave në shumë raste bëri që pronat të kthehen në mall të pashitshëm për shkak të detyrimit për pagesën e taksave mbi çmimet e qeverisë. Çmimet referencë janë bërë veçanërisht problematike për sektorin e ndërtimit, ku ulja e çmimeve pengohet pikërisht nga format e taksimit aforfe, të vendosura nga qeveria për arsye fiskale.


Në vitin 2007, qeveria vendosi të imponojë çmime referencë për vlerën e tokave bujqësore


Taksa – Mbi bazën e çmimeve referencë, të vendosura nga vetë qeveria, tatimet aplikojnë taksë 10%


 


 


 


Pasojat


Shkaktare edhe për kreditë me probleme


Qeveria shqiptare, sipas FMN-së mban edhe një tjetër përgjegjësi. Bëhet fjalë për kreditë me probleme, te pjesa që i takon biznesit privat, i cili nuk ka mundësi t’i shlyejë për shkak të faturave të prapambetura. Duke folur mes të tjerave për kreditë e këqija, FMN-ja thotë se ato janë rritur pjesërisht, për shkak të përkeqësimit të ekonomisë, pjesërisht për shkak të mospagesës së faturave të furnitorëve nga ana e qeverisë dhe pjesërisht nga vonesat e vazhdueshme në ekzekutimin e kolateraleve. “Niveli në rritje i kredive të këqija është një shqetësim dhe kërkon veprime të menjëhershme. Kreditë e këqija janë përgjithësisht në tregti, ndërtim dhe manifakturë dhe janë rritur më shpejt sesa në vendet e tjera të rajonit, përgjithësisht si pasojë e ngadalësimit ekonomik, mospagesës nga qeveria të faturave të furnitorëve dhe vonesat e vazhdueshme në ekzekutimin e kolateralit”, thotë FMN-ja. Dy nga tre faktorët e cituar prej FMN-së lidhen ngushtësisht me qeverinë, pasi është kjo e fundit që nuk ka paguar në kohë faturat e punimeve publike, si dhe nuk ka krijuar kushtet e përshtatshme ligjore dhe administrative për likuidimin e kolateraleve të kredive të falimentuara.