Hugo Chavez do të jetë sërish presidenti i Venezuelës. 58-vjeçari, i cili është në pushtet që nga viti 1999, ka fituar mandatin e katërt si president i Venezuelës. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se Chavez ka fituar 54 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, ndërsa rivali i tij, Capriles Henrique rreth 45 për qind. Zyrtarët kanë deklaruar se në zgjedhje kanë votuar më shumë se 80 për qind të rreth 19 milionë votuesve të regjistruar.
Sipas BBC, shumë mbështetës të Chavez pushtuan rrugët e kryeqytetit Karakas pas zyrtarizimit të rezultatit. “Revolucioni ka triumfuar. Venezuela do të vazhdojë marshimin e saj drejt socializmit demokratik të shekullit 21. Rroftë Venezuela! Rroftë Atdheu! Kjo ishte një fitore perfekte në një betejë perfekte”, deklaroi presidenti Chavez para turmës që ishte mbledhur para pallatit presidencial Miraflores. “Premtoj që do të jem një president më i mirë se ç’kam qenë”, shtoi Chavez.
Hugo Chavez është në pushtet që nga viti 1999 dhe është shprehur se i duhet edhe një mandat 6-vjeçar për të vazhduar “revolucionin bolivian” drejt socializmit.
8 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)