“Agnus Dei”, filmi më i fundit i regjisorit nga Kosova mori çmimin e publikut në “PriFilmFest”. Regjisori flet me tone të ashpra për Kosovën e pasluftës, për forca politike që ngrihen mbi mashtrimin dhe për një tranzicion që po i bren njerëzit
Mira Tuci
“Agnus Dei” është fryti i fundit artistik që regjisori nga Kosova, Agim Sopi, ka ofruar në skenën shqiptare kinematografike. Një film që përtej trofeut si filmi më i mirë për publikun prishtinas në “PriFilmFest” provokon artistikisht duke ofruar një histori që mban pezull mes dilemave të mëdha të luftës, paqes, dashurisë së ndaluar dhe ëndrrës për një të ardhme më njerëzore mes popujsh që jetojnë afër njëri-tjetrit e jo vetëm mes shqiptarëve dhe serbëve. Kjo intervistë me Agim Sopin është një bisedë e shtruar sa nuk mund të ndalet vetëm te filmi dhe kinemaja pa dashur biseda ka marrë drejtime filozofike dhe analitike mbi shqiptarë dhe serbë, mbi luftën, krimet, mbi nevojën gati vetëshkatërruese për të mos i thënë gjërat apo më keq akoma për t’i fshirë nga kujtesa.
Pse e keni pagëzuar krijesën tuaj më të re kinematografike, Agnus Dei (qengji i Hyut)? A është emri e vetmja referencë biblike?
Filmi im trajton përsëritshmërinë e mitit antik. Sikurse e dini, para kohës së Krishtit, ishte traditë që njeriu të sakrifikohej për nder të Perëndisë. Kurse Hyu Krisht, përmbysi këtë traditë. Ai u sakrifikua për njeriun. Prandaj kristianizmi lindi si religjion me fytyrë humane. Por në këtë inversion mitik, shpeshherë gjërat ngatërrohen dhe njeriu sërish kërkon ‘qengjin e sakrificës’ që në realitet është njeriu-kurban. Pikërisht, ky njeri është kryepersonazhi i filmit tim. I destinuar që të sakrifikohet. Jo nga paralajmërimet hyjnore, por nga mëritë njerëzore. Në udhën e tij për Golgotë, kryepersonazhi i filmit tim me emrin Peter, shpeshherë identifikohet me vetë Krishtin duke u shndërruar në një ‘hero’ grotesk. Ai cytet të bëhet vrasës. Vrasës i babait. Dhe pikërisht para aktit të krimit, ai dëgjon zëra. Ai lutet me fjalët e Krishtit: ‘Hyu im, mos më braktis në mesjetën time!’. Kurse pasi vret babanë dhe djeg shtëpinë e tij të lindjes bashkë me kufomën, ai lutet me psalmin ‘Hyu im, kush do të guxojë të futet në tendën tënde, kush do të guxojë të banojë në Malin e Shenjtë! Pra, nënshtresat semantike në këtë film janë gjoja të ngatërruara. Ato, kanë edhe dimensionin biblik. Ose dimensionin mitik kur para vetëvrasjes Petri bën një rezyme nga jeta vet e trishtë me fjalët e Edipit: ’Unë linda nga ata që s’duhej. Rrojta bashkë me ata që s’duhej. Dhe vrava atë që s’duhej’.
Sa “flijime” artistike u është dashur të bëni para se te mbërrini në “Darkën e Fundit” e pikërisht te premiera në PriFilmFest?
Të bësh film në Kosovë dhe Shqipëri, është heroizëm. Duhet të sakrifikosh në çdo hap. Ju e dini, shqiptarët janë populli i vetëm në Europë që për artin e kulturën nuk investojnë më shumë sesa për një aheng qeveritar. Pra, edhe mbështetja financiare që vjen nga shteti, është më shumë se qesharake. Ne, këndej e andej kufirit, Shqipëri–Kosovë, jemi rreth gjashtë milionë banorë. Do të thotë, trefishi i fqinjit tonë Maqedonisë. Kemi edhe buxhetin e përbashkët trefish më të madh. Por, Maqedonia për filmin ndan diku rreth dhjetë milionë euro në vit, kurse Shqipëria dhe Kosova bashkë ndajnë një milion. Edhe atë milion të mjerë, nuk e ndajnë se ndiejnë nevojë për të krijuar një imazh për kombin e vet karshi botës. Madje, jam i mendimit se as që kanë politika dhe qëllime kulturore, por thjesht ato para i ndajnë si lëmoshë për komunitetin e kineastëve, të cilët shpeshherë kërcënojnë si opozitë, e shpeshherë rreshtohen si shërbëtorë dhe militantë të devotshëm të regjimeve aktuale. Pra, të marrësh udhën për të bërë film në këtë humbëtirë afrikane në mes të Europës, padyshim duhet të jesh i gatshëm të bësh sakrifica të dhimbshme artistike, materiale dhe morale.
“Agnus Dei”, na zhvendos prej paqes së diskutueshme të ditëve tona në luftën e viteve më parë. Sa delikate është sipas jush argumenti i luftës së Kosovës dhe krimeve që kanë ndodhur?
E kam thënë njëherë në një festival në Paris kur isha me filmin “Anatema” se lufta e Kosovës ka qenë e projektuar si një luftë kryesisht kundër popullatës civile, pra, ajo është zhvilluar larg syve të botës, larg syve të mediave. Para një ‘publiku të verbër’ të cilit i është servirur vetëm përfytyrimi i asaj që ka ndodhur. Ngjarjet kanë qarkulluar gojë më gojë, familje më familje, fshat më fshat. Dhe diku udhëve të përbaltura të Kosovës së pasluftës ngjarjet dramatike janë fshehur, apo shlyer fare edhe nga kujtesa kolektive. Degradimet politike, morale dhe sociale që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, kanë bërë që edhe vetë viktimat të harrojnë tmerret që kanë ndodhur. Të parapëlqejnë që ato të harrohen, të fshihen. Për hir të njëfarë ardhmërie për të cilën askush s’di të ofrojë qoftë edhe njëfarë përfytyrimi mashtrues. Pra, të bësh film për ngjarjet e luftës në Kosovë, duhet të jesh i gatshëm të përballesh edhe me etiketime të lloj-lloj sharlatani e mediokri, të përbuzesh, të urrehesh, të stigmatizohesh.
Mjaft delikat është pikëvështrimi që keni zgjedhur për të rrëfyer një histori që ngërthen beteja të lashta sa njerëzimi (E mira VS e keqja, apo e moralshmja kundër të pamoralshmes) e rrëfeni historinë duke e parë më së shumti me sytë e serbëve dhe në 70% të filmit ngjarjet rrëfehen në serbisht, pse kjo zgjedhje?
Po jetojmë në kohën e depresionit ekonomik dhe në prag të një ndeshjeje globale mes civilizimeve. Është kohë vërshimesh. Dhe vërshimet shpeshherë nxjerrin mbeturinat në sipërfaqe. Duhet të kaloj një kohë që uji të kthjellet dhe gurët që peshojnë të shihen e të shijohen në plotësinë e formave të tyre. Sot në Kosovë, 70% e popullatës jeton në varfëri, kurse 20% në varfëri të skajshme. Spitalet tona janë shndërruar në morgje e thertore. Universitetet tona, prodhojnë analfabet me tituj shkencorë. Padija është brendi më i preferuar! Të presësh që dikush të ketë nevojë për art në këtë realitet të dhembshëm, është herezi. Megjithatë, unë jam artist dhe nuk di të bëjë punë tjetër. Sherezadja vazhdimisht rrëfen histori për të blerë edhe një ditë jetë. Artisti që nuk bën vepër, vdes. Në çfarëdo rrethane. Prandaj unë vazhdoj të bëj film edhe me energjinë e atomit të fundit. Unë kam bërë një film që ndoshta tani nuk do të pëlqehet apo konsumohet. Jam i vetëdijshëm për këtë. Por e di se do të pëlqehet ndoshta mbas njëzet apo pesëdhjetë viteve. Prandaj edhe format e përzgjedhura të të rrëfyerit, mund t’ju duken delikate apo të pakuptimta. Këndvështrimi përmes heroit serb, mendoj se relakson ngjarjen, nuk lejon që ajo të shfaqet bardhë e zi, por i mundëson përdorimin e më shumë ngjyrave, më shumë thellësie.
Shumë prej aktorëve shqiptarë duhet të mishëronin personazhe (jo gjithnjë simpatike) serbe? E patët të vështirë të kishit në kastin tuaj aktorë serbë! Ekzistojnë ende barriera të cilat duhen kapërcyer mes dy popujve?
Po, fatkeqësisht. Kam humbur më shumë se tre muaj në kërkim të një aktoreje serbe. Të gjitha sa i kam kontaktuar kanë qenë të impresionuara me rolin. Kanë qenë të gatshme të bëjnë të pamundurën për rolin. Por kur ka ardhur koha që angazhimi të vendoset me kontratë, të gjitha kanë gjetur një arsye krejt absurde për të mos ardhur në Kosovë. Prandaj kam qenë i detyruar që të angazhoj një aktore malazeze. Divën e teatrit malazez, zonjën Zaklina Ostir. E sa për aktorët shqiptarë, të cilët luajnë serbët, kam veç fjalë të mira. Ata janë profesionistë të kalibrit, duke filluar nga zoti Enver Petrovci, Çun Lajçi, Bajrush Majku e të tjerë. Por edhe gjuha serbe e tyre është pa defekte. Mos harroni, ne kemi jetuar në ish-Jugosllavi, jemi shkolluar në Beograd e Zagreb dhe natyrisht që e flasin mirë gjuhën e tyre.
A është paqja, thjesht mungesë e luftës për ju si krijues, por edhe si shqiptar që ka përjetuar luftën dhe gjithë andrallat që e kanë shenjuar historinë e shqiptarëve këtë shekullin e fundit?
Nëse mendoni se shqiptarët kanë zëvendësuar luftën e armatosur me njëfarë paqeje fragjile, duke i dhënë kohë rrjedhës së historisë, gaboheni. Djegia e Shqipërisë në vitin 1997, apo djegia e Kosovës në vitin 1999, kanë përfunduar. Bota më nuk do t’i lejojë as armiqtë e shqiptarëve e as vetë shqiptarët të cilët historikisht janë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes për të rrokur armët përsëri. Por lufta në një formë tjetër po vazhdon. Tranzicioni që kurrë nuk përfundon, apo lufta e heshtur kundër vetvetes, këndej e andej kufirit, ka nxjerrë në skenë oligarki politike të cilat tërheqin rrënjët nga fshatarësia e thellë bizantino-otomane. Mjet të mbijetesës kanë dhunën, dembelinë, mashtrimin. Të presësh nga to se do të sjellin paqen dhe mirëqenien aq të gjakuar nga kombi shqiptar, të presësh nga këta mburravecë të paturp që të na bëjnë pjesë të Europës, është iluzion. Ka një arsye të thjeshtë: ditën që do të instalohet paqja dhe demokracia e vërtetë, shteti ligjor, rrënjët e politikave primitive do të priten. Dhe gradualisht do të thahet pema e egër që prodhon fruta të hidhura.
Filmi i mbijetoi flijimit te publiku shqiptar në Kosovë, mendon se do t’i mbijetojë edhe po të shfaqet te publiku serb?
Nuk e besoj. Serbia me vetëdije ka zgjedhur të jetojë me mentalitetin e së kaluarës. Për pesëdhjetë vjet me radhë, elitat politike serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve, Kisha, kanë indoktrinuar dhe helmuar me urrejtje e nacionalizëm popullin e vet, gjë që ka çuar në lindjen e nacional-fashizmit të kohës së Millosheviçit e që për pasojë pati sjellë genocidin, kampet e përqendrimit, varrezat masive, anë e cep ish-Jugosllavisë. Edhe trembëdhjetë vjet pas këtyre tmerreve, në Serbi sundojnë bashkëkriminelët e Millosheviçit. Në Serbi nuk ka ndodhur një shkëputje nga e kaluara e errët. Një shpërlarje ndërgjegjje. Një kërkim falje për viktimat. Tjetër gjë është që politikat krejt miope të Bashkimit Europian mendojnë se duke e privilegjuar Serbinë dhe duke e futur nën krahët e vet, do të arrijnë ta zbusin egërsinë e mbjell me vite në atë vend. Pra, do të duhej të ndodhte ndonjë mrekulli që ky film të shfaqej në Beograd. Unë, jam i bindur se filmi do ta bëjë një jetë ndërkombëtare. Tashmë kemi nënshkruar kontratën
me njërin ndër distributorët më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.