Në banesën e prindërve të gruas që u vra nga i shoqi, Rolanda Doku
Silvana Muça
Familjarët e Rolanda Dokut, 36-vjeçarja e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Edmond Doku, mbrëmjen e së shtunës, në hyrje të pallatit, janë në gjendje shoku. Ajo që e ka përjetuar më rëndë situatën, është nëna e Rolandës, Nadire Shahu. Ende nuk e ka pranuar faktin e humbjes së jetës së vajzës. Familja Shahu, prindërit e Rolandës kanë hapur shtëpinë për të pritur ngushëllimet nga të njohurit dhe të afërmit. Apartamenti ndodhej në katin e dytë të një pallati shumëkatësh në Laprakë, jo shumë larg vendbanimit të dhëndrit të tyre.
Dera gjysmë e hapur dhe qetësia që dominonte në banesë, ndonëse kishte njerëz brenda, të merrte frymën. E madhe ishte dhimbja në atë shtëpi, jo vetëm për familjarët, por për këdo që trokiste në derë për ngushëllime. Zija e kobshme dukej sikur nuk do të largohej më në familjen Shahu. Të gjithë ndjejnë dhimbje për humbjen e jetës në mënyrë tragjike të Rolanda Dokut. Ajo njihej si fatkeqja e zonës së Laprakës, pasi të shumta kishin qenë skenat në rrugë të Edmond Dokut, i cili dhunonte fizikisht bashkëshorten dhe djalin e tij.
Babai i viktimës, Shefqeti, nuk donte të thoshte ndonjë gjë për dhëndrin, i cili, prej më shumë se 10 vjetësh, u kishte shkaktuar vetëm probleme dhe telashe. Edmondi e ka shkëputur bashkëshorten nga prindërit. Nuk e lejonte që të dilte nga banesa dhe prej vitesh e kishte “burgosur”, në katin e tretë të apartamentit në të cilin jetonte çifti. Rolanda nuk kishte punuar kurrë në jetën e saj, prej xhelozisë së 44-vjeçarit. Dalja nga banesa ka qenë edhe shkaku i sherrit mes palëve. Ai nuk e ka lejuar që të futet në banesë, sepse e kishte paralajmëruar që do ta vriste nëse dilte nga banesa.
Rolanda nuk e mori seriozisht kërcënimin, sepse të njëjtën gjë thoshte që nga fillimi i martesës së tyre. Shefqet Shahu nuk ka pasur mundësi që të rrijë apo përkëdhelë nipin e tij, F. Doku, 10 vjeç, aq shumë sa ka dashur. “Nuk flas me dhëndrin tim prej kohësh. Unë në shtëpinë time, ai në të tijën. Nuk kam punë me të. Shkoni pyeteni se përse ia mori jetën vajzës sime, që ishte në moshë fare të re”, është shprehur Shefqet Shahu, teksa e pyesim për kontaktet që ka pasur për herë të fundit me Edmond Dokun. Ai nuk e mbante mend kohën se kur ishte takuar me dhëndrin.
Rreth 20 orë pas vdekjes tragjike të vajzës së tyre, ata nuk kishin shkuar në banesën e Rolandës për ta qarë apo për të respektuar ritet mortore. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, vëllai i vogël kishte dërguar një tufë me lule. Askush nuk na e tregon arsyen e zemëratës së prindërve me Rolandën. Ata kanë shkuar vetëm pak kohë para se ajo të dërgohej për në banesën e fundit, në një kohë kur qindra njerëz kishin shkuar për mort mbrëmjen e së dielës, pak kohë pas vrasjes. Në kohën që e pyetëm Shefqetin, nëse kishin marrë pjesë në varrim, në mënyrë të prerë përgjigjet se kjo është anormale. “Si nuk shkuam në varrim. Po të ishte vajza jote, ti nuk do të shkoje”, përgjigjet ai.
Nipi i tij, F. Doku, ende nuk ka dalë nga gjendja e shokut, prej skenës së tmerrshme që ka parë me sy. Është tërësisht i çorientuar dhe qan pa pushim. Nuk ha, nuk fle dhe nuk flet me askënd. Aktualisht jeton në familjen Shahu dhe këta të fundit thonë se është shumë e vështirë që ai ta kalojë këtë situatë nëse nuk i ofrohet një psikolog. “Fëmija nuk do ta harrojë sa të ketë jetë, ngjarjen e rëndë që përjetoi. Që kur ka lindur e deri më tani, ka parë vetëm dhunë në shtëpi. I ati ia mori fëmijërinë dhe nuk e la kurrë që ai ta jetojë si gjithë bashkëmoshatarët”, shprehen të afërmit.
Ndërkaq Edmond Doku, personi i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes, në momentin e shoqërimit në Komisariatin Nr. 3, ka kundërshtuar edhe uniformat blu, duke tentuar t’i godasë. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor ka qenë në gjendje të dehur dhe i pavetëdijshëm për atë që kishte bërë. Sot, kur të dalë para togave të zeza, ai do të akuzohet për vrasjen e së shoqes dhe për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë.
