Ministri i Financave: Ulja, e rrezikshme. FMN e shqetësuar. Malaj: Ka kosto
FMN dhe opozita janë kundër borxhit të lartë, por ministri thotë se ulja shkakton krizë të sigurt
Situata
Arkëtimet – Në 2011-n, të ardhurat totale në buxhetin e shtetit ranë sipas qeverisë në 25.1 për qind e prodhimit kombëtar, që përbën një nga nivelet më të ulëta të 6 viteve të fundit
Kufiri – Nga analiza e dinamikës së borxhit publik kundrejt PBB-së gjatë tre viteve të fundit 2009-2011, ky tregues luhatet në nivelet 57.8-59.3 për qind të PBB-së, thotë KLSH
Rekomandimi – Ekspertët e FMN-së rekomandojnë heqjen dorë nga stimuli fiskal, pra një rritje të shpenzimeve të saj për të ndihmuar rritjen ekonomike, pasi kjo nuk do të ishte zgjidhja
Borxhi publik i shqiptarëve ka prekur pikën kritike, aq sa tashmë konsiderohet i vështirë për t’u ulur në parametrat e dëshiruar. Ministri i Financave pranon nivelin e lartë, por thotë se nuk mund të ulet për shkak se do të shkaktonte krizë të vërtetë ekonomike. “Të pretendosh, në një periudhë kur ka ulje të kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme, uljen e deficitit me ritme të forta, do të thotë të shkosh drejt një krize të sigurt”, deklaroi dje ministri Ridvan Bode, si replikë ndaj kritikave të opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Opozita kërkon uljen e borxhit dhe për këtë sugjeron përdorimin e parave të privatizimit. Por qeveria duket se ka plane të tjera.
“Të jemi të përgjegjshëm për të ardhurat në trajtë bingo, siç tha një përfaqësues i mazhorancës, për tenderin e privatizimit të ‘Albpetrol’-it. T’i përdorim në mënyrë të përgjegjshme dhe të kemi parasysh se niveli 60 për qind i borxhit nuk duhet të jetë limit për borxhin në ekonominë shqiptare”, deklaroi deputeti i PS-së, Arben Malaj. Edhe deputeti tjetër, Arben Ahmetaj, tha se buxheti i vitit të kaluar nuk rriti vetëm borxhin zyrtar, por edhe atë të fshehur që qeveria ka ndaj privatëve. “Duhet të rimbursohen bizneset dhe vlera është 8 miliardë, plus 4 miliardë tatimfitimi, që e çon borxhin ndaj biznesit të certifikuar në 12 miliardë. Nëse kësaj shume i shtojmë faturat e papaguara, borxhi shkon në 200 milionë euro”, nënvizoi Ahmetaj.
Sakaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Shqipëria mund të thyejë kufirin ligjor të borxhit publik që këtë vit. Në raportin e vlerësimit, pas vizitës së misionit në Shqipëri, FMN thotë se, kufiri prej 60 përqindësh mund të tejkalohet që në 2012 dhe pasi të kalojë këtë limit, nuk pritet që të qëndrojë i lartë dhe në periudhë afatmesme.
Fondi thotë se ky nivel borxhi, përveçse rrit rreziqet për Shqipërinë, mund të fillojë të cenojë rritjen ekonomike duke ngushtuar hapësirat për kreditimin e sektorit privat dhe duke paralizuar qeverinë në financimin e investimeve të domosdoshme.
Në këtë situatë, ekspertët e FMN-së i rekomandojnë qeverisë së pari të heqë dorë nga stimuli fiskal, pra një rritje e shpenzimeve të saj për të ndihmuar rritjen ekonomike, pasi sipas tyre, kjo nuk do të ishte zgjidhja.
Në vend të stimulit, FMN mendon se mënyra më e mirë për të mbështetur ekonominë do të ishte konsolidimi fiskal, i cili duhet të nisë fillimisht me ndaljen e kurbës në rritje të borxhit publik që në vitin e ardhshëm, ku qeveria duhet të mbajë të njëjtin nivel të borxhit, si ai i këtij viti. Sipas fondit, kjo do të ishte masa e parë, e cila duhet të pasohet nga një sërë reformash të tjera për rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve. FMN thotë se rritja e të ardhurave që duhet për të ndalur borxhin nuk mund të vijë vetëm nga miradministrimi dhe mund të kërkojë rritjen e disa taksave, përfshirë edhe ato mbi të ardhurat. Nga krahu i shpenzimeve, FMN i rekomandon qeverisë që rritja e pagave dhe pensioneve të jetë vetëm sa për të kompensuar inflacionin.
A.Kola