Shifrat
8909 dosjet – Sipas të dhënave, nga 10 997 dosje të miratuara për pagesën e këstit të parë, kanë marrë paratë deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, 8909 persona
5.456 shuma – Për këstin e parë, me vendime të qeverisë, duhej që fondi të ishte 5.456 miliardë lekë, por në fakt nuk rezulton kështu, pasi jo të gjithë i morën
Këstet jepen 1 në 4 vjet. Bode: Kemi dhënë 60 milionë USD. Duhen edhe 370 milionë USD
ARD KOLA
Me ritmin e deritanishëm dhe me fondet e lëvruara nga qeveria, duke nisur nga viti 2008, rezulton se për të mbyllur të gjithë procesin e dëmshpërblimit do të duhen edhe 36 vjet. Nëse ish të përndjekurit janë në luftë me jetën, për shkak të gjendjes shëndetësore, shumica e të cilëve në moshë të madhe, mbi 65 vjeç, qeveria thotë se e ka të pamundur t’u përgjigjet në kohë kërkesave të shumta. Aktualisht jemi ende në ndarjen e fondit të këstit të parë, ndërsa po ecet me ritme për këstin e dytë, vetëm për ata të moshës mbi 65 vjeç dhe që janë gjallë.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, i ngacmuar dje nga opozita në komision, deklaroi se në katër vitet e fundit janë dhënë për të përndjekurit politikë rreth 60 milionë dollarë dhe se do të jepen po aq edhe për tre vitet e ardhshme. Por deputeti i PS-së, Arben Malaj, ngriti shqetësimin për vonesat. Duke marrë shkas edhe nga ngjarja e djeshme, Malaj i tha ministrit Bode se për vitin 2011, qeveria u ka mbajtur ish të dënuarve rreth 300 milionë lekë, të pashpërndara. “Është e vërtetë, iu përgjigj Bode, por këto fonde nuk digjen, dhe kalojnë shtesë për vitin e ardhshëm”, sqaroi ministri.
Përtej përplasjeve me shifra në Kuvend, faktet dhe ecuria e deritashme tregojnë se shanset e 11 mijë ish të dënuarve që t’i marrin paratë në kohë, të paktën të ndarë në dy këste, janë të pakta. Qeveria është përpjekur të përshpejtojë procesin për të dënuarit e moshës 85 vjeç, por edhe këtu ka vonesa, pasi jo të gjithë po i marrin në kohë, ndërsa shoqata që përfaqëson interesat e kësaj kategorie deklaron se shumica e ish të përndjekurave, të burgosur dhe të torturuar (për shkak edhe të punëve të rënda), nuk jetojnë më gjatë se 65 vjeç.
Ministria e Financave e nisi procesin e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë në vitin 2008. Në atë kohë, ministri Bode deklaroi se do të jepeshin brenda tre viteve të ardhshme 30 milionë dollarë, pra nga 10 milionë për secilin vit, por grafiku u rishikua. Në vitin 2009, qeveria e rriti dozën, duke ndarë 22 milionë dollarë, ndoshta nën presionin e fushatës elektorale. Të paktën në shifra, sipas bilanceve të buxhetit, deri në vitin 2011 kanë marrë para rreth 10 mijë vetë, nga 20 mijë që janë gjithsej, me një total vlere dëmshpërblimi prej rreth 43 milionë dollarë.
Fatura totale konsiderohet problemi kryesor, pasi rezulton e lartë. E hartuar nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, del se, për të likuiduar të gjithë ish të dënuarit, gjallë apo të vdekur, të internuar apo të burgosur, arrin në rreth 430 milionë dollarë. Në katër vjet janë dhënë 60 milionë dollarë, pra kanë mbetur për t’u dhënë edhe rreth 370 milionë për 36 vjet të tjera.
Pra, në katër vjet është ndarë vetëm 10 për qind e fondit. Në 2007-n, kur u miratua ligji, qeveria zotohej që procesin do ta mbyllte brenda 8 viteve, duke i ndarë të hollat me 8 këste, pra një këst për secilin vit, periudhë që mbyllej në 2016-n.
Natyrshëm me këto ritme është e lehtë të kuptosh që procesi do të mbyllet brenda këtij afati, edhe pse në strategjinë afatshkurtër të qeverisë, është parashikuar që deri në 2015-n të trajtohen 20 mijë dosje, pra 5 mijë dosje duke nisur nga ky vit, por me një fond prej 68 milionë dollarësh. Këto shifra, nisur nga vlerësimi dhe parashikimi zyrtar, të bën të kuptosh që jo të gjithë do t’i marrin në kohë paratë, sikurse jo të gjithë do t’i marrin të plota. Më i hidhur është fakti se janë të paktë ata që do t’i gëzojnë, pasi pjesa dërrmuese janë në moshë të vjetër. Për ta lehtësuar sadopak procesin, është vendosur kriteri i moshës, nëse je 85 vjeç mund t’i marrësh paratë të ndara në dy këste. Deri tani është ndarë kësti i parë, kurse i dyti sapo ka nisur, por vlen vetëm për ata që janë gjallë dhe me moshë mbi 65 vjeç.
Shifrat zyrtare tregojnë se qeveria ka ndarë deri në qershor të këtij viti rreth 15 milionë dollarë. Edhe pse janë zyrtare, është vështirë të besosh, duke pasur parasysh faktin se në buxhet ishin vendosur vetëm 9.5 milionë dollarë. Pra është tejkaluar plani, kurse në 2011-n u ndanë, për të njëjtën periudhë rreth 14 milionë dollarë. Ky nuk është rasti i parë i mosqëndrimit korrekt i planit. Në vitin 2011, qeveria kishte vendosur në buxhet për ish të dënuarit politikë rreth 18 milionë dollarë, por ndau 15 milionë dollarë, pra 3 milionë u dogjën.
Fondet – Në vitin 2011, qeveria kishte vendosur në buxhet për ish të dënuarit politikë rreth 18 milionë dollarë, por ndau 15 milionë dollarë, pra 3 milionë u dogjën
Nga 10 997 dosje të miratuara, janë paguar të plota ose pjesore 8909 dosje, ose 81% e dosjeve