“Një natë më parë më kërkoi t’i çoja djalin”


Ina Ndreca & vajza


Shoqet e kanë marrë në telefon për t’i thënë se bashkëshorti i saj ishte djegur me benzinë. Ina, bashkëshortja e Gjergj Ndrecës, menjëherë është nisur në ambientet e grevës së urisë, për të takuar të shoqin. Atje i kanë thënë se Gjergji ishte nisur në spital.


Pas orës 10:00, ajo ka mbërritur në spital, e shoqëruar nga vajza e saj. E tronditur, e mërzitur dhe e turbulluar, Ina është shprehur se nuk mendonte se i shoqi do të arrinte deri këtu, pavarësisht se bashkë kishin biseduar se kësaj greve dhe zgjidhjes së problemeve ekonomike do t’i shkonte deri në fund.


Ina Ndreca kërkon nga shteti të vendosë dorën në zemër dhe të marrë masa, të ndihmojë këtë shtresë.


Si është gjendja e Gjergj Ndrecës, e keni parë, folët me mjekët?


Hyra në spital, e pashë Gjergjin dhe gjendja e tij nuk duket shumë e mirë. Është i djegur, mjekët thonë se është djegur në trup, në fytyrë, si dhe në rrugët e frymëmarrjes. Ata thonë se ka thithur flakët me frymëmarrje dhe prandaj edhe ato i ka të dëmtuara.


Ka djegie të jashtme, por edhe të brendshme.


Gjergji dhe shokët e tij janë të papunë, jetojnë në shtëpi me qira, kanë fëmijë të pashkolluar. Gjergji ka katër fëmijë, të cilët e pritën shumë keq lajmin, ndërsa jetojmë në një shtëpi me qira në kushte të vështira.


Më thanë shoqet të shihja në televizor atë çfarë po ndodhte. Shkova në ambientet e grevës dhe shokët më thanë që Gjergji kishte shkuar në spital.


A ju kishte thënë Gjergji se do të arrinte deri këtu?


Kishim biseduar bashkë se kjo grevë do të shkonte deri në fund. Ishte betuar se nuk do të dilte nga greva pa arritur të gjitha ato kërkesa që kishte vendosur bashkë me shokët e tij. Por nuk më kishte thënë se do të arrinte deri këtu. Vërtet kemi probleme ekonomike, por kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë. Gjendja e tij nuk ishte e mirë ditët e fundit. Një ditë më parë më kërkoi djalin që ta shikonte dhe unë e çova. Gjendja e tij ka qenë shumë e stresuar.


Si ndiheni?


Ndihem e shokuar, Ç’të them, Gjergji është shumë impulsiv, por që për ne është traumë e madhe, për fëmijët më shumë. Normale që e mbështesin, se ia dimë vuajtjen, por këtë nuk ia falim që shkoi deri në vetëflijim.