Lorina Mixha


Shqiptarë, europianë, amerikanë, kinezë, afrikanë e të gjithë ata që kanë akses në internet “shqyen” sytë nga pamjet e xhiruara pranë zemrës së Tiranës europiane. E dhimbshme për këdo që ndodhej para televizorit, një film i gjallë, horror por i vërtetë pa efekte speciale.


Pas ngjarjes shumë të rëndë, tragjike të vetëflijimit të grevistit Gjergj Ndreca, mëngjesin e së hënës, pas orës 10:00 e gjithë vëmendja është zhvendosur në shërbimin e djegie plastikës, në qendrën spitalore universitare, që mban emrin e bamirëses së madhe, “Nënë Tereza”.


Në portën kryesore të pavijonit qëndrojnë punonjësit e sigurisë që janë porositur mirë: “Të mos futet askush në reanimacion”. Pas tyre bllokada e dytë e policëve qëndron në hyrje të terapisë intensive. Grevistë, qytetarë, gazetarë qëndrojnë të gjithë pas porte, kërkojnë informacion për gjendjen shëndetësore të të djegurit.


“Unë jam dashamirës i grevës, jam i sëmurë dhe nuk jam futur në grevë, por shkoj çdo ditë. Sot isha atje, i kam larguar një bidon benzinë. Nëse kanë arrestuar shokun tonë, të na arrestojnë të gjithëve ne. E kishim paralajmëruar se do të digjeshim”, tha Ylli Gjonçaj, ish i dënuar.


Situata shëndetësore


Gjergj Ndreca ne spital


Pakkush e di, por Gjergj Ndreca, burri që pamë në televizor, shpirti i grevës së urisë që po mbahet prej 17 ditëve nga ish të burgosur politikë, përveçse është lyer kokë e këmbë me benzinë, disa gllënjka të kësaj substance i ka kapërcyer në grykë.


Është kjo arsyeja që përveç plagëve të jashtme, ka edhe të brendshme. Mjeku reanimator në shërbimin e djegie-plastikës, tha se pacienti Ndreca, i cili është paraqitur dje në spital, rezulton të ketë djegie të jashtme dhe djegie të brendshme, djegie të rrugëve të frymëmarrjes.


Reanimatori Ilir Nezha tregon se rreth orës 9:30, ish i burgosuri politik, Gjergj Ndreca, është paraqitur në pavijonin e djegie-plastikës, në QSUT, me rreth 40% të trupit të djegur dhe i është nënshtruar një terapie intensive nën kujdesin e mjekëve. “Ka djegie të jashtme dhe të brendshme, është djegur në fytyrë, në trup, ka djegie të rrugëve respiratore. Duhet të presim ende 72 orë për t’u shprehur për kalimin e rrezikut”, tha mjeku reanimator Ilir Nezha. Sipas tij, nuk është e nevojshme kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale, pasi plagët janë sipërfaqësore në të shumtën e trupit, por ajo që përbën problem është zona, në të cilën është përhapur dhe djegia rezulton të jetë e gradës së dytë. I janë dashur gati dy orë mjekëve për të bërë vlerësimin e situatës shëndetësore. Sipas mjekëve, Ndreca do të vazhdojë të qëndrojë ende në repartin e reanimacionit, ndërsa ky i fundit ruhet me forca të policisë. Edhe bashkëshortja e grevistit ka pohuar se Ndreca ka thithur flakët. Ndërkohë që sipas mjekëve, në këtë rast djegia e brendshme ndodh për shkak të kthimit të substancës së ndezur në avuj të nxehtë, të cilat kanë depërtuar në rrugët e frymëmarrjes.


Zhvendosja e grevës


Në fillim është diskutuar se greva do të spostohej nga Tirana e Re në ambientet e spitalit. Më pas, për shkak të protestës së organizuar para Kuvendit, por edhe sepse ngjarja i ka gjetur të papërgatitur ish të dënuarit politikë, ky projekt ka mbetur vetëm ide. Grevistët, të cilët kanë ardhur për vizitë në spital, nuk janë lënë të gjithë të futen në reanimacion. Ata që kanë parë Ndrecën janë vetëm familjarët dhe shokët e ngushtë. Ata kanë bërë rezistencë me punonjësit e sigurisë dhe punonjësit e spitalit, duke kërkuar prej tyre të shihnin Gjergj Ndrecën. “Nuk e dimë si është, duam ta shohim, t’i flasim”, thanë grevistët. Sapo dolën nga reanimacioni, edhe ata pohuan se Gjergji është në gjendje të rëndë shëndetësore. Motrat e Ndrecës kanë ardhur në drekë në spital. Në dritaret e reanimacionit kanë pritur të merrnin një lajm të mirë. Nuk e besonin kur u thoshin se gjendja është nën kontroll, motrat e të vetëflijuarit mes lotësh qëndronin në dritaret e reanimacionit.


“I kemi njoftuar të gjithë të dënuarit, këtë herë Sali Berisha nuk do të marrë më asnjë votë prej nesh. Në këto zgjedhje askush nuk do ta votojë më Partinë Demokratike”, deklaroi kryetari i shoqatës së ish të dënuarve në qytetin e Durrësit, Asllan Patrioti.


 


Mjeku – Pacienti është i djegur 40 për qind. Ka plagë të shkallës së dytë, është i qetë dhe në kontroll, ndodhet në reanimacion, në terapi intensive


Grevistët – “E kishim vendosur se do të digjeshim me benzinë, e kemi thënë, do të përsëritet një herë në dy ditë. Po e themi sërish, greva do të vazhdojë deri në fund


Gjendja – Ekzaktësisht për gjendjen shëndetësore të Gjergj Ndrecës, për rreziqet dhe përmirësimet, do të flitet nga ekipi mjekësor pas 48 deri në 72 orë


Vizitat – Njerëz të rëndësishëm, politikanë, qytetarë të thjeshtë, grevistë, ish të dënuar politikë, të gjithë duan të vizitojnë në spital Gjergj Ndrecën


Deklarata – E ish të dënuarve që vizituan dje në spital Ndrecën i drejtohej Sali Berishës: Nuk do të japim më asnjë votë në zgjedhjet e ardhshme


Reanimacioni – Është shërbimi i terapisë intensive, ku mbahen nën vëzhgim dhe kontroll të specializuar të gjithë pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore