Apeli – Pas 17 ditë grevë urie, protestuesit nuk marrin përgjigje nga shteti


Nuk duan asgjë, veçse të drejtën që u takon, nuk duan privilegje, poste, por fitimin e mohuar në vitet e komunizmit dhe tashmë edhe në demokracinë e 20 viteve të fundit. “Ky sistem po na godet për herë të dytë, por qenka edhe më e rëndë”, thotë njëri me shall në kokë, kurse tjetri shton se ka punuar mbi 10 vjet në minierë punë të detyruar si i burgosur politik dhe se merr pension 12 mijë lekë në muaj.


“Nuk ishte ky sistem që kërkuam, luftuam dhe zgjodhëm”, thonë ata. Prej 17 ditësh, rreth 20 grevistë protestojnë për të drejtat e tyre. Shumica ndodhen në kushte të rënda shëndetësore, por nuk tërhiqen. Marrin serumin në raste kritike dhe rikthehen sërish te çadra e tyre te “Komuna e Parisit”.


Kërkesat e tyre janë të ndryshme, duke nisur nga hapja e dosjeve për bashkëpunëtorët e shtetit, dëmshpërblimin e plotë, kthimin e pasurisë së konfiskuar nga shteti komunist, largimin nga puna të persekutorëve të tyre, por edhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të tyre.


Vonesat për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë kanë ardhur edhe për shkak të rishikimit të shpeshtë të ligjit, fakt ky i pranuar edhe nga vetë Kryeministri i vendit. “Ka pasur një vonesë, e cila është e diktuar nga amendimet e reja të ligjit për dëmshpërblimet, por kjo vonesë duhet të kapërcehet edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave, të cilat kanë marrë masat që kjo pengesë të kapërcehet nëpërmjet dy-tri vendimeve që duhet detyrimisht të miratohen për të kaluar pengesën ligjore”, është shprehur Kryeministri Berisha, para disa muajsh.


Një tjetër tallje e konsideruar nga ish të dënuarit është publikimi i emrave në listat e shpërndara nga qeveria për mediat. Disa thonë se emrin e kanë lexuar tri herë, për të njëjtën qëllim, sa i takon këstit të dytë. “E kam lexuar emrin tri herë në tri lista të ndryshme, por vetëm një herë kam marrë lekë nga dëmshpërblimi”, thotë Bujar Sala, 58 vjeç, i dënuar me mbi 8 vjet në kohën e monizmit. Në mars të këtij viti, pasi kishte publikuar për tre vite rresht emrat e përfituesve, qeveria me një vendim të Kryeministrit rishikon 25 lista, me motivin se ishin bërë gabime në shumat e përfitimit. Dikush kishte marrë më shumë dhe të tjerë kishin marrë më pak. Ribërja e listave nga e para solli fushatën e radhës së publikimit nga e para e të njëjtëve emra, por me renditje të ndryshme.


Debat ka pasur edhe për moshën e përfituesve. Në ndryshimin e fundit që i është bërë ligjit për ish të përndjekurit politikë që kanë mbushur moshën 85 vjeç, do të marrin dëmshpërblimin financiar që i takon vetëm me dy këste dhe brenda vitit 2012.


a.kola


 


Opozita


Ulja e moshës


Sipas projektit socialist, publikuar së fundmi në programin qeverisës së të majtës, në vitin e parë të qeverisjes socialiste do të dëmshpërblehen të gjithë ish të burgosurit, gra mbi 70 vjeç dhe burra mbi 75 vjeç që janë gjallë. Ndërsa “brenda dy viteve në vijim do të dëmshpërblehen të gjithë ish të burgosurit politikë që ende jetojnë”.