Shifrat


Leskaj prezanton raportin me risqet në ekonomi


Kufiri – Nga auditimi në Ministrinë e Financave, KLSH konstaton se në ligjin për buxhetin e vitit 2011 nuk janë vendosur kufijtë në lidhje me totalin e borxhit shtetëror dhe totalin e shumës së garancive


Kontrolli i Lartë i Shtetit i tërheq vëmendjen qeverisë se deficiti buxhetor, në fund të vitit 2011, ishte 3.5 për qind e PBB-së, ndërsa një vit më parë ka qenë 3 për qind e PBB-së. Duke prezantuar raportin në Kuvend, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Bujar Leskaj tha se niveli i borxhit duhet ruajtur, jo si angazhim i qeverisë, por si detyrim kushtetues.


Duke pasur parasysh se niveli i lartë i borxhit publik, i amplifikuar si problem edhe nga kriza financiare e vitit 2008 e në vijim, ka marrë përmasa të tilla, aq sa mjaft vende anëtare të BE-së po përpiqen të amendojnë Kushtetutën, për të përfshirë një ligj që do ta kufizojë përfundimisht nivelin e lejuar (ndërkohë mjaft vende të tjera e kanë bërë këtë), duke synuar marrjen e masave parandaluese për ndryshimin e dinamikës së borxhit, me tendencë uljen e nivelit të tij, KLSH i rekomandon Ministrisë së Financave që brenda dy viteve në vijim, të ndërmerret nisma për hartimin e një plani veprimi për të propozuar amendime kushtetuese, ku të përcaktohet që: “Borxhi total publik nuk duhet të tejkalojë kufirin limit prej 60 përqindësh të PBB-së”.


Sipas Leskaj, dobia e këtij përcaktimi në Kushtetutë, nga materiale të ndryshme teorike, të cilat i shkojnë shumë për shtat dhe vendeve si Shqipëria, konsiston në rritjen sigurisë në kujdesin që tregon qeveria ndaj shpenzimeve të veta dhe po kështu, rrit stabilitetin financiar dhe politik në vend dhe rajon, si dhe ul probabilitetin e transferimit të riskut politik në risk vendi apo social.


Nga auditimi në Ministrinë e Financave, KLSH konstaton se në ligjin për buxhetin e vitit 2011 nuk janë vendosur kufijtë në lidhje me totalin e borxhit shtetëror dhe totalin e shumës së garancive, sikurse përcakton ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH”. “Rekomandojmë që në ligjin “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2013″ të përcaktohet kufiri për totalin e borxhit shtetëror dhe borxhit të garantuar, ndërkohë Ministria e Financave të ngrejë një grup pune për rishikimin e nenit 58 ‘Kufijtë e borxhit publik’, të ligjit ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH’”, thotë raporti i fundit.


Duke u nisur nga shuma e konsiderueshme e papaguar nga huamarrësit dhe përfituesit e garancive (deri në fund të vitit 2011 arrin në 1.69 miliardë lekë), dhe nga mungesa e zgjidhjes së kësaj problematike gjatë viteve të fundit, rekomandojmë që Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik të nisë kryerjen e inspektimeve financiare në ndërmarrjet e ujësjellësve përfitues të nënhuave dhe garancive.


A.K.