Kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila ndodhet për një vizitë disa orëshe në Greqi, është shprehur se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë reformat në Greqi dhe mbetjen e vendit brenda eurozonës.

Kancelaria gjermane shprehu bindjen se Greqia do të vazhdojë të qëndrojë në grupin prej 17 vendeve anëtare të eurozonës, por kërkoi që qeveria në Athinë të shtyjë përpara reformat e shkurtimeve.


“Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht mbetjen e Greqisë brenda Eurozonës. Është pozitive që Athina ka përshpejtuar reformat, në mënyrë që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt”, u shpreh kancelaria gjermane.


Kryeministri grek, Samaras pasi falënderoi kancelaren gjermane për mbështetjen e dhënë deri tani Greqisë, shprehu vullnetin në plotësimin e të gjitha reformave të nevojshme që do të mundësonin kapërcimin e krizës, ndërsa kërkoi edhe kohën e nevojshme në zbatimin e këtyre reformave, të cilat do të jenë jo të lehta për t’u pranuar nga populli grek.


Kjo është vizita e parë e Merkel që nga fillimi i krizës në eurozonë, dhe që e përfshiu këtë vend para tre vjetësh.


Më shumë se 7000 policë janë vendosur në Athinë për të parandaluar trazirat gjatë vizitës së Merkelit, ndërkohë që rreth 50 mijë grekë raportohet se janë mbledhur në protestën masive, më të madhen në muajt e fundit, për të kundërshtuar vizitën e kancelares gjermane dhe masat e shtrëngimit që janë përkrahur nga qeveria e saj.

9 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)