Plani urbanistik 


Ekspertët e bashkisë dhe kreu Lulzim Basha kanë diskutuar mbi Planin Urbanistik të Tiranës në njësinë bashkiake numër 1 në Tiranë. Sipas kreut të bashkisë, këtu do të zhvillohet më tej dhe është menduar si potencial zhvillimi, industria e fasonit.


“Kemi në këtë zonë prona, që për nga natyra u përngjajnë pronave rurale, por që nesër do të jenë jo vetëm një potencial zhvillimi për pronarët e ligjshëm të tyre, por edhe një hapësirë për të shtuar parqe të gjelbra, kënde lojërash për fëmijë dhe institucione social-kulturore, që nga çerdhet, kopshtet deri tek shkollat”, tha kreu i bashkisë Lulzim Basha. Sipas tij, në këtë zonë, ka potenciale për të vazhduar më tej me traditën e objekteve që punësojnë, objekte industriale, kryesisht industrisë fasone, si dhe hapësira të mjaftueshme jo vetëm për banorët e njësisë vendore nr. 1, por për të gjithë qytetin. “Për të vazhduar në kuadër të ndërtimit të objekteve sociale, të tilla si banesat sociale, pra një shumëllojshmëri propozimesh, do të paraqiten, para jush, për vëmendjen tuaj dhe natyrisht për pyetjet, sugjerimet dhe komentet tuaja”, tha Basha.


Mendohet që në pjesën më të madhe të ndodhin transformime dhe t’u jepet mundësi banorëve dhe njëkohëisht vizitorëve të bëjnë transformimin e këtyre zonave nga zona ta ulta, në zona me intensitet mesatar. “Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me banesa shumëkatëshe. Njësia sot për sot nuk ka asnjë element social të dukshëm për njësinë, lagjen por njëkohësisht edhe për bllokun”, sqaroi Agron Lufi.


Njëkohësisht do të vijë edhe Unaza nr.5 e Tiranës, e cila do të zhvillohet dhe do të vijë nga Farka. Projekt tjetër, një grup me shumë rëndësi, jo vetëm për komunitetin, por për të gjithë trafikun në qytetin e Tiranës, është edhe vazhdimi i bulevardit “Petro Nini Luarasi”, deri sa të ndërpritet me unazën nr. 5. Ky bulevard parashikohet me gjerësi 23.5 km, ndërkohë ka filluar nga punimet hapja e rrugës “Hasan Sufa”. Praktikisht sot po punohet deri në lidhje me rrugën “Ali Demi”, por parashikohet të zgjatohet duke vazhduar deri sa të ndërpritet me rrugën “Petro Nini Luarasi”. Ndërkohë që rrugët e tjera siç është “Ali Demi” apo “Ali Shevqefi” do të parashikohet që të jenë me një gjerësi të rrugës prej 19.8 metrash. “Trami është një element i rëndësishëm i këtij plani dhe në këtë zonë parashikohet, që të kalojë në unazë deri tek lidhja deri te “Brryli”, për të vazhduar pastaj në formë unazore duke ndjekur unazën ekzistuese”, tha Nereida Hoxha.

Sipas ekspertëve të planit urbanistik, ky plan ka marrë parasysh zhvillimin e Tiranës jo vetëm në zonat e kufirit të verdhë, por bashkëjetesën e Tiranës së bashku me komunat përreth, dhe në këtë drejtim, e gjithë skema e strukturës së lidhjes dhe komunikimit me banorët përreth ka pasur një harmonizim. “Ky harmonizim duket pak a shumë në skemën që paraqita që është skema e Tiranës së Madhe, e cila integron më së miri pjesën veriperëndimore që është kthesa e Kamzës me pjesën e zhvilluar të Tiranës, pjesën juglindore, pjesën e Kombinatit dhe pjesën jugperëndimore, që së fundmi po marrin edhe këto një zhvillim të vrullshëm”, tha Basha.


Sipas tij, nga pikëpamja e gjelbërimit këto zona kryesisht kanë qenë zona të papërcaktuara sa i takon formës, morfologjisë së zhvillimit.