Një vetëflijim i paralajmëruar. Grevistët: Do të digjemi të gjithë


Është shënuar dje në mëngjes akti më dramatik i vetëflijimit në Shqipëri. Gjergj Ndreca, kryetari i grevës së urisë së ish të burgosurve politikë, ka djegur veten e tij para një grupi bashkëvuajtësish, disa policëve dhe një kamere televizive që e filmonte live. Në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, ky akt i tmerrshëm ka bërë xhiron e botës si shfaqja më ekstreme e protestës njerëzore. Gjithçka ka ardhur pas një greve urie 17-ditore të një grupi ish të burgosurish politikë të regjimit politik, të cilët nuk arritën të negocionin me qeverinë për të plotësuar kërkesat e tyre.


Ngjarja


Sapo kishte kaluar ora 09:50 e ditës së djeshme, kur Ndreca është ngritur nga shtrati i tij i improvizuar i çadrës ku zhvillohej greva, është vendosur në rruginën ndërmjet pallateve, në kokë mbante një flamur amerikan, dhe është lyer i tëri me benzinë. Më pas dhe e ka gëlltitur atë. Disa njerëz përreth u alarmuan menjëherë. Kishin ardhur përforcime nga policia, madje edhe civilë, të cilët u turrën me vrap drejt Gjergjit. Ishte dhe një punonjës policie me uniformë. E shtynë, por me forcë Ndreca i ka sjellë sërish në pikën fillestare. Është krijuar një konfuzion dhe gjithçka ka arritur kulmin kur flaka është përhapur me një shpejtësi drite. I pari u largua polici. Shokët e Gjergj Ndrecës janë ngritur me vrik për të shuar zjarrin me ç’kishin, batanije dhe mbulesa të trasha (për dreq nuk kishin asgjë). Flakën nuk shuheshin, pasi benzina bënte të veten. Por më pas është shuar disi zjarri në trupin e ish të burgosurit politik. Me një makinë rasti e kanë dërguar urgjent në spital. Duke u lutur të shpëtojë, por që edhe dikush t’i dëgjojë…


Paralajmërimi


Gjithçka është thënë me fjalë dhe me figurë prej dy javësh. Gjergj Ndreca dhe shokët e tij kishin deklaruar se do të digjeshim me benzinë, nëse nuk do të ketë një negocim prej qeverisë nga kërkesat e tyre. E kishte thënë, si Gjergj Ndreca, por edhe kolegët e tij. “Nëse nuk na dëgjon qeveria, do të digjemi këtu. Nuk dalim gjallë nga greva. Ta marrin vesh të gjithë”, deklaruan ish të burgosurit.


Greva


“A do ta dënojnë Palin”, pyesnin gazetarët, grevistët, mbrëmë natën vonë, të shpërndarë nëpër çadrën e çakërdisur nga ngjarja e tmerruar. Ajo shatorre nuk ishte më shtabi i një proteste ekstreme, pasi gjithçka ishte zhvendosur në klinikën e djegieve në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. “Presim ambasadorët të vijnë e të ndërhyjnë, pasi gjendja është e tmerrshme. Të gjithë do të digjemi”, thekson Agim Kollçaku, i cili duket i mpirë i gjithi. Një zonjë fisnike, e ulur në karrige, kërkon t’i lejojmë të shohë lajmet në televizion. Të gjithë janë tërë sy e veshë. Është e bija e një gjenerali të famshëm, i vrarë nga Enver Hoxha. “Nuk dua të dal në media”, thotë ajo. Tani duhet të shërohet Gjergji dhe të lirojmë Palin nga burgu. Ndërsa më pas, do të dimë si të veprojmë. Po jemi njerëz që e duam jetën more zotëri”, thekson zonja Zvjetllana, e cila në fakt është një emër mjaft i njohur për publikun, pavarësisht se nuk dëshiron të thotë gjeneralitetet e saja. “Ia kam thënë Doris Pakut historinë time, si jetova në çadër për vite me radhë. Më thanë se do të më jepnin 22 milionë lekë. Nuk dua lekë, por dua dinjitetin tim, dua shtëpinë që më takon si çdo qytetar. E kemi ndërtuar këtë vend me gjakun dhe djersën tonë”. Kjo zonjë që flet është Zvjetllana Marku, e bija e Gjin Markut. Grevistët flasin në lidhje direkte dhe i bëjnë shenjë që të ulë zërin. Ata kanë vetëm mediat, jetojnë me lajmet, jehonën që ata përhapin. Dhe nesër dikush i sjell gazetat, bashkë me cigaret e ditës. Me shpresën që do t’i dëgjojnë….


 


Drama


Sapo kishte kaluar ora 09:50 e ditës së djeshme, kur Ndreca është ngritur nga shtrati i tij i improvizuar i çadrës ku zhvillohej greva, është vendosur në rruginën ndërmjet pallateve, në kokë mbante një flamur amerikan, dhe është lyer i tëri me benzinë. Më pas dhe e ka gëlltitur atë. Disa njerëz përreth u alarmuan menjëherë


 


Profili


Gjergji, 51-vjeçari që e ktheu protestën në institucion


U bë i famshëm si njeriu që rrahu deputetët dhe ministrat si shenjë proteste ndaj padrejtësisë. U arrestua, u lirua, më pas sërish rrahu një deputet të mazhorancës, u arrestua e u lirua sërish. Hipi në një vinç në qendër të Tiranës, duke tentuar vetëvrasjen për të marrë vëmendjen e shoqërisë. Kaloi tri ditë e u harrua. Hipi sërish në monumentin e Skënderbeut. I thanë se kishte pirë. Kaloi pak kohë, bashkë me shokët e tij qëlluan me qese mielli makinën e Kryeministrit, ndërsa po shkonte në Parlament. Policia rriti masat e sigurisë në Kuvend. Por Gjergj Ndreca hyri në aktin e fundmë të protestës. Deri në aktin dramatik të vetëflijimit. Ish i burgosuri politik, Gjergj Ndreca, është aktualisht 51 vjeç dhe është dënuar në vitin 1984 me 15 vjet burg për tentativë arratisjeje. Ai është nga Mirdita dhe siç tregojnë bashkëvuajtësit e tij, ishte një kundërshtar i regjimit, për një jetë më të mirë kishte vendosur të largohej. Tentoi të arratisej në ish-Jugosllavi, por u kap. Pas shumë muajsh në hetuesi dhe në tortura, ai u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat ka vuajtur vetëm 6. Dënimin e ka kryer në burgjet më të egra të kohës së komunizmit, në Burrel, në Spaç dhe në fund në Qafë-Bari, ku dhe u lirua me rënien e komunizmit. Gjergj Ndreca, pas daljes nga burgu, krijoi familje dhe ka katër fëmijë. Ai ka marrë pjesë në shumë protesta të ish të përndjekurve politikë, që kanë kërkuar të drejtat e tyre. Emri i tij u bë shumë i njohur disa muaj më parë, kur gjatë një proteste të ish të përndjekurve politikë, goditi me grusht deputetin demokrat Ilir Rusmali, të cilin e akuzonte si inkuizitor. Në të gjitha manifestimet e protestës ai ka qenë në krye dhe grevën e fundit të urisë e ka organizuar së bashku me shokun e tij të vjetër të burgut, Perikli Shqevi, i arrestuar nga policia rishtas. Disa herë Gjergj Ndreca është shoqëruar nga policia pas protestave dhe deklarimeve të tij kundër qeverisë dhe Kryeministrit. Protesta e vazhdueshme e ish të burgosurit politikë, Gjergj Ndreca, lidhej me mosdhënien nga ana e shtetit shqiptar të dëmshpërblimeve për vitet e burgimit në regjimin komunist.


 


Arrestimi


Ish i përndjekuri rrezikon nga 3 deri në 10 vjet burg për veprimin e kryer


Pranga Shtjefnit për djegien e Gjergj Ndrecës: Çakmakun e nxora për cigare


Për djegien e Gjergj Ndrecës, policia ka arrestuar shokun dhe bashkëvuajtësin e tij, Pal Shtjefni, pasi dyshohet se ai ka shkuar me çakmak pranë tij, duke i vënë zjarrin. Megjithatë, Shtjefni, i arrestuar nga policia për plagosje të rëndë, nuk e ka pranuar këtë akt, duke deklaruar se Ndreca ishte djegur vetë. Policia e Tiranës deklaroi se nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit është bërë arrestimi i 59-vjeçarit Pal Shtjefni, banues në Tiranë, ish i përndjekur politik dhe pjesëmarrës në grevën e urisë të grupit të ish të burgosurve politikë. “Ky person i ka vendosur zjarrin në trup me anë të një çakmaku Gjergj Ndrecës, i cili sapo ishte lyer me benzinë. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave të policisë të planizuar me shërbim pranë grevës së urisë së ish të përndjekurve, është bërë e mundur shuarja e flakëve në trup të Ndrecës, i cili u dërgua menjëherë për në spital”, deklaroi policia. Sipas të dhënave, ndaj Pal Shtjefnit u vendos arrestimi për konsumim të veprës penale, “plagosje e rëndë me dashje”, pasi i dëmtuari ka marrë plagë të rënda djegieje në pjesë të ndryshme të trupit. Megjithatë, vetë i arrestuari nuk e ka pranuar akuzën përballë oficerit të policisë gjyqësore. Ai ka deklaruar se Gjergj Ndreca ishte djegur vetë. “Nuk ia vendosa unë flakën. Ai u dogj vetë. Kur doli nga tualeti ishte lyer me benzinë. Unë mora një batanije dhe një bidon me ujë për të fikur zjarrin”, ka shpjeguar ai para oficerit të policisë gjyqësore. Megjithatë, policia është bazuar edhe në pamjet filmike, ku vihet re Shtjefni, që i afrohet Ndrecës me një çakmak në dorë. I pyetur në lidhje me këtë fakt, Shtjefni ka deklaruar se “e nxora çakmakun për të ndezur cigaren”. Por, policia tha se ai është i lëkundur në dëshminë e tij, duke shtuar edhe më shumë dyshimet, se është autori i zjarrvënies. Shtjefni mund të akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje”, e parashikuar në nenin 88 të Kodit Penal. Sipas këtij neni, plagosja e kryer me dashje, që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, ose ka qenë e rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. S. Muça