Kosovari pohon se ndaj Islandës nuk luajmë për asnjë rezultat tjetër veç fitores
Altin Manallari
Është rikthyer në Kombëtare, por, për të parën herë, vihet nën urdhrat e trajnerit të ri, Xhani de Biazi. Kërkohej një konfirmim pas dëmtimit të rëndë dhe ai ka theksuar se është në formën më të mirë për të luajtur, por gjithçka e lë në dorën e trajnerit. Bëhet fjalë për Debatik Currin, i cili konsiderohet si një “blerje” e re e kuqezinjve.
Debatik, riktheheni pas disa kohësh në kombëtare, si është gjendja juaj?
Prej dy muajsh kam nisur stërvitjen e plotë dhe mendoj se jam i gatshëm për të dhënë më të mirën për ekipin kombëtar. Jam shumë i gëzuar që kthehem pas një kohe të gjatë, më kanë munguar shumë kombëtarja dhe shokët dhe shpresoj të jap maksimumin për të arritur rezultat pozitiv në këto dy ndeshje.
Në ekip janë afruar shumë lojtarë të rinj, cila është atmosfera?
Disa prej tyre, vërtet i kam takuar për herë të parë, por kam qenë në kontakt me ata që kanë qenë në grumbullimin e kaluar. Në kombëtare ka qenë një atmosferë shumë e mirë siç e treguan dhe dy ndeshjet e kaluara, për të cilat mund të them se ishin të mira nga loja që u zhvillua.
Mavraj ka zënë vend në mbrojtje. Mendoni se rikthimi juaj zhvendos Canën në mesfushë?
Kemi kohë të bisedojmë, kemi stërvitje ku do të provojmë disa skema dhe nëse trajneri e sheh të arsyeshme të bëjë ndonjë ndryshim për të luajtur unë në mbrojtje dhe të kalojë Lorikun përpara apo ndonjë spostim tjetër, do të jap maksimumin sido qoftë. I mbetet trajnerit të vendosë.
Po ju, a e ndjeni veten të gatshëm për të luajtur titullar?
Mendoj se po. E ndjej veten të gatshëm të luaj në të dyja ndeshjet, por sërish i mbetet trajnerit të vendosë për aktivizimin tim, për formacionin apo për skemat që do të përdorë.
Kundërshtari ka shumë pika të forta? Si e shikoni këtë përballje?
Nuk ka shumë që e kemi parë Islandën të luajë dhe vërtet që arma e tyre më e fortë janë goditjet standarde prej goditjeve këndore, të dënimit apo prej rivënieve anësore. Besoj se ata do të mundohen të shfrytëzojnë këto raste, por ne nuk mund të frikësohemi prej tyre, sepse edhe ne kemi lojtarë shtatlartë dhe do të mundohemi të mos i krijojmë mundësinë të na ndëshkojnë aty ku ata mendojnë.
Më Qipron kemi marrë një fitore të vuajtur. Islanda është e të njëjtit nivel, si mund ta arrijmë fitoren?
Me Qipron ne e kontrolluam lojën, pësuam një gol në minutat e fundit të pjesës së parë për një pakujdesi tonën, ndërsa me Islandën duhet të luajmë sërish për fitore. Luajmë në fushën tonë dhe nuk na shkon rezultat tjetër veç fitores.
Mesfushori
Bulku: Luajmë në shtëpi, fitorja e domosdoshme
Ervin Bulku, një veteran mes të rinjve, përforcon optimizmin në kampin kuqezi. Ai është një titullar dhe një nga pikat më të forta në skuadër, por që premton të japë maksimumin, duke nisur me sfidën e së premtes kundër Islandës. “Kemi pasur ndeshje dhe më të vështira se kombëtare të tjera. Duhet të luajmë për fitoren, se luajmë në Shqipëri dhe besoj se do të jetë një rezultat shumë i mirë”, tha Debatik Curri, mbrojtës i Kombëtares. “Thelbësore është të marrim tre pikët, sepse janë shumë të rëndësishme, pasi dhe Islanda është një ekip si Qipro, pak a shumë që janë dy ekipet, ndaj të cilëve duhet të japim maksimumin dhe të marrim pikët e plota”, u shpreh Ervin Bulku, mesfushor i Kombëtares.