Takimi 


Është çelur edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern në Durrës. Trupa të kërcimit nga Italia, Norvegjia, Maqedonia, Kosova, Gjermania dhe trupa shqiptare e kompanisë “Albanian Dance Theatre”, gjatë tetë netëve do të japin dhjetë shfaqje. Trupat do të ngjiten jo vetëm në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, por edhe në ato të Tiranës e Korçës, ku do të udhëtojnë artistët e kërcimit. Ndonëse e ka cilësuar një vit të vështirë financiar, drejtori artistik i Festivalit, Gjergj Prevazi, ftoi publikun të ndjekë shfaqjet që përcjellin mesazhe e ndjesi përmes gjuhës universale të trupit. Shfaqja “Dasma” e kompanisë shqiptare të dancit ka çelur natën e parë të festivalit. Gjatë këtij edicioni do të shfaqet premierë spektakli “Ndeshje kulturash”, i cili do të realizohet përmes bashkëpunimit të artistes gjermane Katharina Machenka Horn me koreografin Gjergj Prevazi. Me interes priten edhe premierat e trupës italiane nga Verona “Ersilia danza”, që do të sjellë për publikun shqiptar veprën “Kësulëkuqja”, si dhe ajo e trupës norvegjeze. Për shkak të problemeve financiare, ky edicion do të vijë në një version të reduktuar. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan mbështetet këtë vit nga Bashkia e Durrësit. Ky festival që nisi rrugëtimin në vitin 2006 është kthyer në një traditë të përvitshme dhe synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme. Festivali do të mbyllet më 15 tetor. V. Q.