Monumentet – Vendosen në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Monumentit të Pavarësisë, shtatores së Ismaili Qemalit dhe shtatores së Ahmet Zogut dhe asaj të Hasan Prishtinës
Rrokaj – Kreu i këshilltarëve të LSI-së tha: Ky koalicion bën homogjen diversitetin, është në nderin e këtij këshilli të mos ketë vizion njëngjyrësh, se nuk i bën mirë as këshillit, as Tiranës, as Shqipërisë
Kush nuk e paguan gjobitet me 10-fish, në të kundërt zhvendoset tek uzina traktor
Lorina Mixha
Këshilli bashkiak ka miratuar me 28 vota, vendosjen e taksave për kazinotë dhe lojërat e fatit në kryeqytet. Në rast se këto nuk do të zbatojnë tarifat e përkohshme të vendosura nga Bashkia e Tiranës, sipas kreut Lulzim Basha, do të aplikohet një tarifë e dytë, sa dhjetëfishi i së parës.
Sipas vendimit, në rast se lojërat e fatit nuk do të zhvendosen në zonën e uzinës traktor, ato do të paguajnë taksën e vendosur nga bashkia, nëse refuzojnë, do të gjobiten me 10-fishin e kësaj vlere. Sipas Bashës, në Tiranë, në çdo minibashki numërohen nga 10 kazino, ndërkohë që sipas kreut të këshilltarëve opozitarë, Aldrin Dalipi, me këtë vendim disa do të dërgohen në uzinën traktor, të tjera do të qëndrojnë në kryeqytet, duke favorizuar disa subjekte. Dalipi ka deklaruar se në këtë rast janë mbi 200 subjekte pa licencë, të cilat kanë administratorë persona të njohur në jetën publike.
Sipas vendimit, do të bëhet transferimi i të gjitha kazinove nga qendra në periferi të Tiranës, pranë zonës së autotraktorëve.
“Sot është problem shtrirja e kazinove në lagjet e qytetit tonë. Numri i kazinove frikshëm po i afrohet numrit të shërbimeve të tjera të qytetit, siç janë maketet e dyqanet e zarzavateve. Për sa kohë që ky aktivitet mbetet për zbavitje, ata janë të lirë ta bëjnë, por është e papranueshme për mua përdorimi i kësaj industrie për të zënë në çark shtresat në nevojë dhe të varfra”,- tha Basha. Dy masat e parashikuara nga vendimi i Këshillit Bashkiak hyjnë në fuqi më 1 janar dhe 30 qershor të vitit të ardhshëm.
Mbledhja e këshillit bashkiak është çelur me debate dhe diskutime nga kreu i këshilltarëve opozitarë, i cili ka sqaruar se kreu i bashkisë dhe kreu i këshillit duhet të kërkojnë ndjesë që në mbledhjen paraardhëse këshilltarëve iu mbyll dera në fytyrë. Sipas Dalipit, nuk është aspak serioze që anëtarët të njoftohen 4 minuta përpara se këshilli rishpërndahet.
Në nisje të punimeve të ditës, kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi denoncoi mungesën thuajse 3-mujorshe të mbledhjes së Këshillit Bashkiak duke e quajtur këtë si antiligjore dhe në shkelje të të drejtave të qytetarëve.
“Mungesa e mbledhjes, shkel ligjet dhe të drejtat e qytetarëve të këtij vendi”, deklaroi zoti Dalipi, duke i bërë thirrje më pas trupit diplomatik ndërkombëtar të vëzhgojë punën, sipas tij, antiligjore të Bashkisë së Tiranës.
“Ka pasur konfuzione për mazhorancën në këtë këshill bashkiak, por në fakt ky këshill ka miratuar vendimet dhe është mbledhur duke marrë vendimin kryesor, atë të zhvendosjes së kazinove në periferi”, tha kreu i bashkisë Basha, në mbyllje të mbledhjes së këshillit bashkiak.
Këshilli bashkiak ka miratuar gjithsej 15 vendime, prej të cilave çeljen e një linje të re transporti dhe ndryshimin e itinerarit për linjën e Tiranës së Re.
Këshilli bashkiak miratoi vendosjen e monumentit të Ahmet Zogut.
Kreu i këshilltarëve të LSI-së, Shezai Rrokaj, ka propozuar vendosjen e monumentit të Luigj Gurakuqit.
“Ka konfuzion mediatik politik, të cilët e kanë konsideruar këtë 100-vjetor si 100 vjet shtet shqiptar, nuk është shtet, por 100 vjet pavarësi dhe shteti shqiptar është më i hershëm nga ilirët deri sot. Figura e Ahmet Zogut ka dritëhijet e veta, ka qenë në krye të shtetit dhe natyrisht gëzon vlerësim, por më lejoni t’ju them se do të ishte në nder të këtij këshilli t’i kushtohej Ismail Qemali”, tha Rrokaj.
Nga ana tjetër debate ka pasur për taksën e ndikimit të ambientit. Këshilltarët Ervin Bushati, Gent Gazheli dhe Arian Çuka kanë kërkuar më shumë informacion lidhur me këtë taksë.
Sipas nënkryetares së bashkisë, Jorida Tabaku, kjo taksë për ndërtuesit do të ketë një parapagesë në formën e garancisë, që subjekti të vërtetojë se ka kapital për të kryer investimin. E njëjta procedurë vlen edhe për investimet në parkimet nëntokësore.