Qeveria i konverton letrat me vlerë në lekë, jo sa vlejnë në treg

Llogaritja

Zbulimi! Ish të persekutuarve u konsiderohen dëmshpërblim bonot e privatizimit

Gjergj Erebara

Një zyrtar i Ministrisë së Financave deklaroi dje diçka të tillë: “Gjergj Ndreca ka marrë 700 mijë lekë letra me vlerë”, të cilat, sipas një kursi këmbimi që nuk dihet se ku e ka gjetur, sipas zyrtarit të Bodes, janë të barabarta me “afro 7 mijë dollarë”. Në fillim, çdokujt kjo deklaratë do t’i ngjajë si një tallje, ose lajthitje. Të ashtuquajturat letra me vlerë, që i morën të gjithë shqiptarët në vitet ’94-’96, si shpërblim për punën e tyre gjatë kohës së komunizmit, nuk vlejnë asnjë grosh. Janë shpërndarë me shumicë dhe vetëm 10 për qind e tyre u përdorën realisht për privatizime. Të tjerat mbeten teorikisht në qarkullim, megjithëse askush nuk pranon t’i blejë për asgjë. Shumë shqiptarë vijojnë t’i mbajnë në shtëpi, ose i kanë përdorur për dru zjarri. Por në fakt, ne që e dëgjuam e kemi gabim dhe zyrtari e paska të drejtë. Në një pelivanllëk politik të jashtëzakonshëm që askush nuk e ka dëgjuar deri më sot, rezulton se qeveria ia ka njohur si dëmshpërblim letrat me vlerë, të cilat, që kur dolën, u quajtën “letra me vrimë” në gjuhën popullore, sepse në të vërtetë nuk vlenin asgjë. Nga vendime të ndryshme të qeverisë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, rezulton se jo vetëm që letrat me vlerë qeveria e sotme ia ka konsideruar si shpërblim të dhënë atyre që kaluan jetën nëpër burgje, por ia ka konvertuar me kursin fiks 1 lek letër me vlerë e barabartë me 1 lek nga ai i zakonshmi. Me logjikën e qeverisë, dikush që ka marrë miliona lekë me vrimë, sot teorikisht duhet të jetë milioner. Të tillë duhet të jenë edhe ata ish të burgosur që janë në grevë urie. Nuk shpjegohet pra se çfarë i shtyn ish të burgosurit, që sipas qeverisë janë “milionerë”, të hyjë në grevë urie dhe të kërkojnë privatisht gjëra minimale si punë, pension apo asistencë sociale.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 784 datë 1 korrik 2009 p.sh, rendit disa dhjetëra emra nga njerëzit që kanë aplikuar për dëmshpërblim. Ja se çfarë shkruhet aty në disa nga emrat e kapur rastësisht: Genci Merkoçi, i cili bëri 2 vjet e 9 muaj burg, i takon një dëmshpërblim sipas çmimit aktual prej 1.5 milionë lekësh të reja. Nga këto, ka marrë nga 1.44 milionë lekë letra me vlerë, ndërsa Ministria e Financës thotë se i ka dhënë edhe 600 mijë lekë nga ato me të vërtetë me vlerë, rrjedhimisht nuk i takon më.

I dyti në listë është një qytetar me emrin Muharrem Hoxha, të cilit i takojnë 782 mijë lekë për 1 vit e 26 ditë burg. Por ky i fundit rezulton me fat, për shkak se ka marrë 120 mijë lekë letra me vlerë dhe nga Enti Kombëtar i Banesave, 720 mijë lekë. Këtij i është shtuar shënimi 58000 lekë minus. Lista e parë me 33 vetë rezulton e gjitha e  “dëmshpërblyer” në këtë mënyrë. Në një rast, njërit i ka qëlluar t’i takojë rreth 2 milionë lekë dëmshpërblim për afro tre vjet burg, por rezulton me dëmshpërblim zero për shkak se ka marrë rreth 3.3 milionë lekë letra me vlerë, nuk ka marrë gjë nga enti i banesave dhe asgjë tjetër. Në thelb, Berisha duket se konsideron si të kompensuar të gjithë ata që morën bono privatizimi.

Për familjarët e të dënuarve me vdekje, qeveria ka vendosur 5.8 milionë lekë dëmshpërblim, nga të cilat, rezulton se 720 mijë lekë ia ka paguar me letra me vlerë, 200 mijë lekë me lekë të vërtetë dhe mbetet për t’i paguar edhe 4.9 milionë lekë. Jo! Është e vërtetë! Kjo qeveri nuk njeh limite mbi gënjeshtrën. Çdokush që beson se ka ndonjë lloj gënjeshtre që kjo qeveri nuk mund ta bëjë, e ka gabim. Dje, ndërsa të gjithë prisnin që qeveria të paktën të ulej në bisedime me grupimin e vogël të të harruarve të diktaturës, Ministria e Financave na deklaroi se i ka paguar, madje tentoi të na mbushë mendjen me disa llogari aritmetike, për të cilat, një nxënës i klasës së dytë do të kishte mbetur në klasë. “Zotërinjtë, të cilët janë sot në grevë urie kanë marrë nga kjo qeveri duke filluar nga janari i vitit 2009 deri në 30 shtator 2012 gjithsej dhe pa ndërprerje 5.6 miliardë lekë ose 56 milionë dollarë”, thotë zyrtari i Bodes. Në Shqipëri ka pasur mbi 50 mijë të burgosur politikë në kohën e komunizmit, të cilët, në fakt nuk qenë thjesht të burgosur, qenë të dënuar me punë të detyrueshme në kampe përqendrimi. Nga këto, rreth 25 mijë aplikuan për dëmshpërblim dhe nga këto, rreth 7500 kanë marrë ndonjë qindarkë.

Ministria: Ja si i kemi dëmshpërblyer

Zyrtari i financave dje deklaroi se Gjergj Ndreca, heroi i shumë shqiptarëve sot, ka përfituar 291 mijë lekë realë dhe 700 mijë lekë letra me vrimë. Ndreca ka bërë tetë vite burg, që në fakt qe punë e detyruar në minierë dhe sipas asaj që qeveria i ka premtuar, i takon 2 mijë lekë për çdo ditë burg ose 5.8 milionë lekë. Por deri më sot, ka marrë para reale prej 291 mijë lekësh, e barazvlefshme kjo me 199 lekë në ditë për katër vitet e fundit. Shoku i tij, Perikli Shqevi, i cili ushtron respektin më të madh për Ndrecën dhe e konsideron vëlla të madh frymëzues, akuzohet nga qeveria si zjarrvënës. Jo vetëm kaq, por sipas Ministrisë së Financave, për shtatë vjet burg, ai është dëmshpërblyer me 1.1 milionë lekë letra me vlerë dhe 585 mijë lekë reale. Sipas pikërisht kursit të çuditshëm të Ministrisë së Financave, këto janë të barabarta me 11 mijë dollarë. Për shtatë vite burg, atij i takojnë rreth 5.1 milionë lekë nga ato të vërtetit, por qeveria beson se e ka kryer dëmshpërblimin duke i dhënë 585 mijë lekë për katër vitet e fundit, e barabartë kjo me 400 lekë në ditë, ose 12 mijë lekë në muaj. Mbi 50 mijë shqiptarë mendohet se kanë vuajtur gjatë kohës së komunizmit nëpër burgje, të cilat qenë kampe pune të detyrueshme. Të burgosurit dërgoheshin të punonin nëpër minierat më të rrezikshme, nga ku shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë, u kthyen sakatë ose të rrënuar. Nga këto, në vitin 2008, 25 mijë aplikuan për dëmshpërblim financiar siç ia kishte premtuar para zgjedhjeve qeveria. Pjesa tjetër kuptohet se kanë vdekur ndërkohë. Nga këto 25 mijë, qeveria i ka dhënë një të tetën e dëmshpërblimit, (kuptohet, pasi i kanë zbritur letrat me vrimë), rreth 7500 vetëve. Për këto, qeveria ka shpenzuar deri më sot rreth 56 milionë dollarë. Për dëmshpërblimin e të gjithëve, do t’i duhet të shpenzojë dhjetë apo njëzet herë më shumë se kaq pavarësisht pelivanllëqeve me kursin e këmbimit. Shqipëria nuk i ka kaq para dhe nuk ka se ku t’i gjejë, por dukshëm ka qeveritarë të aftë për të premtuar atë që nuk mund ta japin dhe të deklarojnë më vonë se e dhanë.

 

Faktet

Bonot e privatizimit, të mbiquajtura letra me vrimë, iu shpërndanë të persekutuarve në vitet ’94-’96. Sot nuk vlejnë asnjë grosh, por qeveria ua ka llogaritur me kursin 1 me 1

Perikli Shqevi duket se është milioner, pavarësisht se duket që nuk është i tillë. Ai ka marrë 1.1 milionë lekë privatizimi, të cilat sipas Ministrisë së Financave, janë të barabarta me 11 mijë dollarë

Autor te 10 Tetor 2012. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Lady

    un kam 100000 lek ne letra me vler
    sa eshte vlera rreale sot ???