Shkodra, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë nuk restauron dot asnjë objekt muze të Mjedës


Shtëpia muze e Ndre Mjedës në Kukul të Shkodrës nuk do të restaurohet as për 100-vjetorin e Pavarësisë.


Fondi prej 7 milionë lekësh të reja nuk është akorduar ende nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërsa një pjesë e kompleksit, kisha, është restauruar me fonde private nga donatorë shqiptarë dhe të huaj.


I vetmi objekt, i cili është miratuar dhe është çelur fondi i restaurimit, është tryeza e punës së Mjedës. Kërkesa për ta transportuar dhe restauruar është bërë që në muajin qershor të këtij viti, me dëshirën e mirë që të ishte gati më 1 gusht 2012, në ditën e Mjedës. Por afati nuk u arrit. Ende nuk dihet nëse do të përfundojë në kohë, për 100-vjetorin e Pavarësisë, pasi drejtori i Muzeut Historik në Shkodër pretendon që ka ende shumë procedura për t’u zbatuar.


Po ku do të përfundojë tryeza pas restaurimit? Në Muzeun Historik të Shkodrës, në depo, apo në shtëpinë muze të Mjedës, aty ku ka edhe më shumë vlera?


Sipas Dom Nik Ukgjinit, i cili shërben si prift në kishën ku dikur shërbente vetë Ndre Mjeda, fondet për restaurimin e kishës dhe kthimin e saj siç ka qenë në kohën që është ndërtuar, janë dhënë nga donatorë të huaj dhe shqiptarë. Ai tregon se “në fillim të vitit kemi bërë një kërkesë për fonde për restaurimin e shtëpisë muze, por është heshtur për arsye të mungesës së fondeve nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Por, shpresojmë që këtë vit jubilar të çelen fonde për restaurimin e shtëpisë muze.


Kjo shtëpi është shpallur muze dhe restauruar më 1982, kur ka pasur dhe personel të caktuar nga ministria e atëhershme. Më vonë, në vitin 1992, është restauruar çatia nga vëllezërit e Nënë Terezës dhe që nga ajo ditë, në të nuk është vënë më dorë.


Në dhomat e saj ka vetëm fotografi dhe asnjë objekt të Mjedës. I vetmi objekt, i cili i ka rezistuar kohës, sipas ish-drejtorit të Muzeut Historik të Shkodrës, z. Mentor Çuku, është tryeza e Mjedës.


Sipas tij, kjo tryezë ka qenë pjesë e shtëpisë muze deri në vitin 1991, kur është tërhequr për shkak të trazirave të kohës. Ai tha se ajo ka vlerë vetëm po të jetë në shtëpinë e Mjedës.


Sipas Dom Nik Ukgjinit, “është bërë kërkesa që të restaurohet tryeza, sepse është në gjendje të mjerueshme. Por mesa duket, institucionet nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët që të restaurohet dhe të shpëtojë nga shkatërrimi”.


Më pas, ai tregon se në fillim të shtatorit të këtij viti, në Muzeun e Shkodrës kanë shkuar përfaqësues të ministrisë për ta tërhequr, por kanë hasur në vështirësi dhe rezistencë që as të mos restaurohet.


Por megjithatë, sipas drejtorit të monumenteve në Shkodër, z. Ervin Gjini, për banesën e Mjedës, shtëpinë muze, ka një projekt të miratuar dhe duhet një fond prej 7 milionë lekësh të reja për restaurimin. Ai tregon se për këtë vit nuk është çelur ky fond. Ata janë në pritje të ndonjë fondi vitin e ardhshëm. Një nga objektet më të rëndësishme të shtëpisë së Mjedës është tryeza, restaurimin e së cilës shpresojmë ta mbyllin brenda këtij viti, para datës 28 Nëntor.


“Së shpejti do të tërhiqet, në bazë të urdhrit të ministrit, z. Aldo Bumçi. Pengesat që kemi hasur janë burokratike në plotësimin e legjislacionit në fuqi”, tregon drejtori i monumenteve të Shkodrës.


Ndërsa drejtori i Muzeut Historik të Shkodrës, z. Fatmir Juka, pretendon se këtë objekt nuk mund ta shohim, pasi ndodhet në depo, në arkivin e muzeut, i cili është i vulosur dhe ka një sërë procedurash për hapjen e tij.