Intervistë/ Flet kreu i Entit Rregullator të Ujit, Avni Dervishi: Qytetarët të kërkojnë kontratat
Fatos Baxhaku
Pak vetë e dinë se te ne ka edhe një ent më vete për rregullimin e telasheve të ujërave dhe kanalizimeve. Ai quhet ERRU (Enti Rregullator i Ujit). Në krye të tij për herë të dytë është zgjedhur Avni Dervishi, një inxhinier ujërash, i cili e pranon edhe vetë se nuk e ka edhe aq dëshirë të shfaqet ndër ekranet televizive apo në faqet e gazetave. Ai sot ka pranuar të flasë për një nga problemet më të mëdha të vendit.
Sa ka ndikuar aktiviteti i ERRU në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe kanalizime të qytetarëve shqiptarë? Sa i dukshëm praktikisht ka qenë rezultati i punës së tij?
Në ERRU ne e vendosim interesin e konsumatorëve të ujit në qendër të çdo gjëje që bëjmë. Puna e rregullatorit nuk është direkt e dukshme për konsumatorin, por ajo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shërbimin që ai merr. Disa herë duhet kohë që konsumatorët mund ta ndiejnë këtë, po ju jap disa shembuj: Konsumatorët po pajisen me një kontratë standard shërbimi që lidhet midis tyre dhe shoqërisë duke përcaktuar qartë të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Shoqërive do t’u kërkohet të bëjnë seanca dëgjimore me publikun kur ato të aplikojnë për ndryshim tarife dhe konsumatorët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të dhënë qëndrimin e tyre. Raporti i performancës që ERRU po publikon është një instrument i rëndësishëm që do ta bëjë situatën më të dukshme dhe transparente dhe me kalimin e kohës konsumatorët do të shikojnë se si është përmirësuar cilësia e shërbimit vit pas viti.
A mund të bëni me pak fjalë një përmbledhje të këtij raporti?
Enti Rregullator i Ujit në datën 10 tetor 2012 do të prezantojë për herë të parë Raportin e Performancës së Shoqërive UK 2011. Publikimi i këtij raporti përbën një moment të rëndësishëm të ambicies sonë për të krijuar një mjedis rregullator më të drejtë dhe më transparent. Ky raport trajton në detaje fushat kryesore të punës të përzgjedhura nga ERRU siç janë aftësitë financiare dhe menaxhuese, si dhe ato drejtime, efekti i të cilave ndihet në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga konsumatorët. Gjithashtu, duke paraqitur dhe renditur punën individuale të secilës shoqëri bëhet i mundur identifikimi sa më i drejtë i performuesit më të mirë edhe më të dobët, si dhe ecuria e performancës së tyre. Një raport i tillë do të publikohet çdo vit dhe siç e përmenda edhe më sipër shoqëritë dhe konsumatorët do të kenë mundësinë të krahasojnë punën e bërë në lidhje me cilësinë e shërbimit.
A mendoni se marrëdhënia me ujin është në thelb edhe një problem i edukimit qytetar? Çfarë mund të bëhet më tej në këtë drejtim?
Po dhe jo…
Po, edhe pse Shqipëria ka shumë burime ujore, të cilat janë të vyera dhe njerëzit duhet t’i ruajnë, nuk bëhet fjalë vetëm për shpërdorim uji, por dhe për kostot që vijnë si rezultat i prodhimit, transportit, shpërndarjes së ujit të pijshëm që shpërdorohet. Një masë që ERRU ka marrë është ndalimi i përdorimit të tarifave aforfe, e cila nxit konsumatorët të shpërdorojnë ujin, gjë e cila është joproduktive për të gjithë. ERRU përpiqet t’u sigurojë konsumatorëve sa më shumë informacion të jetë e mundur. Për informacion më të detajuar do ju sugjeroja faqen tonë zyrtare të internetit www.erru.al.
Nga ana tjetër, ERRU është duke punuar shumë që shoqëritë të ndryshojnë sjelljen ndaj konsumatorëve të ujit, duke mos i konsidERRUar ata thjesht si marrës të shërbimit, por si klientët e tyre të vyer dhe si përgjigje konsumatorët duhet të vlerësojnë që shërbimet me cilësi të lartë mund të ofrohen vetëm nga biznese të suksesshme, që do të thotë se dhe konsumatorët gjithashtu, kanë detyrime dhe të drejta. ERRU ekziston për të siguruar që konsumatorët janë të mbrojtur nga praktikat e biznesit të padrejta dhe të pajustifikuara – për shembull tarifat që do të paguajnë duhet të jenë në përputhje me nivelin e shërbimit të marrë.
Ju keni miratuar kontratë standarde të shërbimeve, sa funksionon ajo aktualisht? Cilat janë vështirësitë në zbatimin e saj?
Po, Komisioni Kombëtar Rregullator ka miratuar në shkurt 2011 kontratën standarde të shërbimit si një hap i rëndësishëm në rregullimin e sektorit ujësjellës-kanalizime në Shqipëri, e cila është e detyrueshme për të gjitha shoqëritë. Rëndësi të veçantë merr fakti se për herë të parë kjo kontratë përcakton marrëdhënien ndërmjet klientëve dhe shoqërive ujësjellës-kanalizime, duke përcaktuar qartë të drejta dhe detyrime për të dyja palët. Të gjitha shoqëritë janë angazhuar të vendosin në zbatim këtë kontratë, proces i cili po monitorohet nga Enti Rregullator i Ujit.
ERRU është i pakënaqur me ritmin e implementimit të saj, ndaj do të inkurajoja të gjithë konsumatorët që të kërkojnë këtë kontratë edhe nëse shoqëria e tyre nuk e ka filluar ende zbatimin e saj. Këtë kontratë çdo konsumator mund ta gjejë në faqen tonë zyrtare të internetit.
Sa ka ndikuar rritja e çmimit të ujit në përmirësimin e shërbimit të furnizimit me ujë të qytetarëve?
Nuk është shumë e lehtë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Çështja nuk është thjesht “rritja e çmimit sot dhe përmirësimi i shërbimit nesër”. Në aspektin ekonomik, tarifat në Shqipëri janë akoma nën koston reale të të shërbimit. Edhe klientëve do t’u kërkohet të japin kontributin e tyre në përmirësimin e këtyre shërbimeve. Gjithsesi, nuk pritet vetëm nga konsumatorët që të kontribuojnë. Me metodologjinë e re të vendosjes së tarifave që kemi hartuar, kur shoqëritë aplikojnë për rritje tarife do t’u kërkohet të bëjnë përmirësime të rëndësishme përpara. P.sh, në qoftë se ato nuk kanë arritur të rrisin eficensën e tyre me arkëtimet e prapambetura nga konsumatorët ose me rritjen e orëve të furnizimit me ujë të pijshëm, nuk do të lejohet rritja e kërkuar e tarifave. Mbi të gjitha krahas qëndrueshmërisë financiare të shoqërisë ERRU do të marrë gjithmonë në konsideratë përballimin e këtyre tarifave nga klientët. Klientët e pajisur me matës për shembull mund të përfitojnë nga blloku i tarifave me çmim të ulët, që kanë filluar të zbatohen me metodologjinë e re të tarifave.
Sa shpërdorohet uji në Shqipëri? A mendoni se ndaj shpërdoruesve duhen forcuar masat ligjore?
Siç e përmenda dhe me lart Shqipëria ka shumë burime ujore dhe për sistemet e ujësjellësve vetëm një sasi e vogël e tyre përdoret, një pjesë e së cilës shpërdorohet si rezultat i rrjeteve të amortizuara, lidhjeve të paligjshme, mungesës së matësve dhe përdorimit pa kriter. Natyrisht që ndaj shpërdoruesve të ujit duhen zbatuar aktet ligjore në fuqi.
Pyetja e fundit, kur dhe si mendoni se do të zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit “normal” me ujë?
Është e vështirë të japësh një përgjigje dhe të zgjidhësh situatën në një ditë ose në një vit, por përmirësimi do të vijë gradualisht. Raporti i performancës që ne po publikojmë tregon qartë se cila është për momentin situata “normale”, ku paraqitet një tablo komplekse ku ka hapësirë të konsidERRUeshme për përmirësime. Gjithashtu, raporti tregon se disa shoqëri të ujësjellës-kanalizimeve kanë arritur të sigurojnë shërbim 24 orë me furnizim me çmim të përballueshëm dhe me cilësi të lartë. Ne si rregullator në këtë sektor do të vazhdojmë të punojmë drejt vizionit tonë për ta arritur këtë nivel për të gjithë konsumatorët në Shqipëri. Ajo çka duhet që ne ta arrijmë këtë objektiv është që të gjithë institucionet përgjegjëse – qeverisja qendrore, qeverisja lokale, rregullatorët e tjerë, shoqëritë dhe këshillat e tyre mbikëqyrës – të punojnë së bashku dhe në mënyrë efektive në të njëjtin drejtim, dhe ne kemi bërë shumë përpjekje në këtë drejtim. Së fundmi, ne duam që konsumatorët të jenë aktivë në kërkesat për përmirësimin e shërbimeve – sektori ka nevojë imediate për këtë lloj presioni dhe mbështetjeje.
Çfarë është Enti Rregullator i Ujit
Enti Rregullator i Ujit (ERRU) është institucion publik i pavarur i krijuar në vitin 1996. Duke qenë se uji është një produkt monopol dhe konsumatori nuk mund të zgjedhë ofruesin e këtij shërbimi, ERRU siguron që ata të trajtohen në mënyrë të drejtë. Në gamën e gjerë të detyrave të ERRU mund të përmendim
– Licencimin e shoqërive UK dhe përmbushja e kushteve të licencimit prej tyre
– Miratimin e çmimeve dhe tarifave të drejta dhe transparente për ujin
– Monitorimin e performancës së shoqërive
– Nxitjen dhe hartimin e rregullave dhe standardeve uniforme për sektorin.