Negociatat
“Schindlers” nis bisedimet për krizën. Enti Rregullator vendos sot për fatin e kompanisë
ARD KOLA
“CEZ pret që kjo lëvizje të qetësojë klimën aktuale të tensionuar të komunikimit”, deklaron bordi drejtues
Dy licencat – Janë dy licenca që ERE pritet t’i heqë CEZ-it, atë të tregtimit të energjisë elektrike dhe atë të tregtimit
Grupi për zgjidhjen e krizave, “Schindlers”, britanikët e kontraktuar nga CEZ në Pragë, kanë mbërritur në Tiranë prej dy ditësh dhe pa humbur kohë, po shqyrtojnë dokumentacionin për t’u njohur me problemet. “Schindlers” do të qëndrojë disa muaj në Shqipëri dhe do të menaxhojnë juridikisht CEZ-in në Tiranë, me objektivin e vetëm: sqarimin e problemeve që kompania çeke ka me autoritetet shtetërore. Kompania britanike nuk është e njohur vetëm për zgjidhjen e konflikteve (luan rol negociatori), por edhe të likuidatorit kur shanset për zgjidhjen e krizës janë të pakta. Pra, CEZ po luan kartat e fundit nëse do të qëndrojë në Shqipëri apo të largohet.
Sakaq, në Entin Rregullator të Energjisë (ERE), po shqyrtohet i njëjti skenar, por me doza më të forta. Sot ERE vendos se çfarë do të bëjë me licencën e CEZ, nëse do t’ia heqë apo t’i japë një tjetër mundësi bashkëpunimi, para se të merret akti ekstrem i largimit nga vendi.
“Ditën e nesërme (sot) bordi i komisionerëve do të vendosë nëse të enjten do të hyjë apo jo në axhendën e diskutimit propozimi për nisjen e shqyrtimit të heqjes së licencës”, thonë për gazetën “Shqip” burime zyrtare të ERE-s. Në rast se merret vendimi për fillimin e procedurave të heqjes së licencës, atëherë periudha e shqyrtimit deri në finalizimin e aktit do të kërkojë të paktën dy muaj. Pra, nëse futet në axhendë dhe miratohet, ERE thotë se nuk do të hiqet direkt licenca, por do të trajtohet si mundësi dhe gjatë afatit 60-ditor, Enti do ta shqyrtojë, monitorojë dhe analizojë të gjithë situatën e krijuar, deri në marrjen e vendimit final.
Të kontaktuar nga gazeta, të dyja palët deklarojnë se nuk do të dëshironin asnjë masë ekstreme, pasi nuk i shërben askujt, si CEZ-it në planin e imazhit (dështimit), ashtu dhe qeverisë shqiptare në aspektin politik të largimit nga vendi të investitorit më të madh. Kompania çeke ndihet e shqetësuar për situatën e krijuar dhe thotë se ndërmori disa angazhime për zgjidhjen e konfliktit, por nuk mori asnjë rezultat pozitiv, madje u gjobit nga tatimet pikërisht në periudhën më kritike, kurse ERE deklaron se ka zbatuar ligjin dhe u kanë dhënë palëve të drejtën që u takon.
Ardhja e britanikëve është një ogur jo i mirë, pasi funksioni i tyre është “mbyllja e letrave”, si hap drejt largimit të çekëve nga Shqipëria.
“CEZ pret që kjo lëvizje të qetësojë klimën aktuale të tensionuar të komunikimit dhe do të bëhet e rëndësishme në ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshme për të zgjidhur situatën në Shqipëri”, deklaronte bordi i aksionerëve në Pragë, javën e kaluar.
Të premten e kaluar, bordi miratoi drejtimin e ri nga britanikët, të cilët do të qëndrojnë disa muaj, me shpresën se do të zgjidhin me qeverinë mosmarrëveshjet që CEZ nuk mundi t’i sheshonte. Grupi CEZ vendosi të ndërmarrë këtë hap pas një serie bisedimesh të pasuksesshme, të cilat kanë rezultuar, në një gjobë (30 milionë euro) që u vendos mbi kompaninë lokale, si pasojë e impaktit në taksa nga humbjet e pësuara në sistemin e shpërndarjes. “Shqipëria është vendi i vetëm ku grupi nuk i ka kapërcyer dhe as nuk i ka arritur kthimet e planifikuara mbi investimin”, thotë kompania.
Zhvillimet
Zanafilla e konflikteve
dhe kriza financiare
Kompania CEZ thotë se zanafilla e krizës që po përjeton aktualisht shoqëria, me pasoja tashmë edhe për buxhetin e shtetit, janë disa vendime të Entit Rregullator të Energjisë elektrike. Përplasjet mes tyre nisën në 2010-n, një vit pas privatizimit. ERE dhe CEZ shkuan në gjyq, pasi Enti nuk njohu nivelin e humbjeve të pretenduar nga kompania çeke, sipas vlerësimit të pavarur të kryer nga auditues të huaj. Në fund të vitit 2011, ERE mori vendimin për t’ia rritur çmimin e energjisë elektrike CEZ-it që blinte te KESH, duke e rënduar më tej, kurse METE vendosi t’i hiqte klientët më të rregullt, të mëdhenjtë, me ndikim negativ në bilanc prej 50 milionë dollarësh në vit.
Viti 2012 nisi keq për CEZ-in, e ndërsa javët kalonin, korporata më e madhe energjetike, ajo e prodhimit, KESH, po zhytej në borxhe. Me vijimin e thatësirës KESH ndërpreu eksportet, por nuk kishte mundësi të importonte, kurse CEZ deklaronte në bilance humbje të mëdha nga mospagesa e faturave të dritave në rang vendi, kryesisht në zonat rurale dhe ato informale të qyteteve të mëdha. Në muajt e verës, CEZ gjobitet nga tatimet me 30 milionë euro dhe më pas, nga ERE, me një tjetër gjobë me 3 milionë eurosh, duke e rënduar më shumë situatën për kompaninë çeke, e cila i kishte bërë publike qeverisë, me anë të disa letrave, se borxhet po e falimentojnë dhe se ndëshkimet nuk japin shpresë për zgjidhje. Sakaq, KESH ka borxhe për faturat e papaguara të kompanive importuese, duke fajësuar CEZ-in se nuk ka respektuar kontratën e shitblerjes së energjisë, duke i lënë peng 700 milionë kilovat.
A.Kola