Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë, kryeministri Berisha miratoi një propozim, siç tha ai, që ndryshon himnin kombëtar, duke rikthyer dy strofa të hequra nga origjinali i shkruar nga Asdreni.
“Se Zoti vetë e tha me gojë, që kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të për të luftojmë në”. Janë këto vargjet të cilave u referohet shefi i qeverisë e për të cilat ai kërkoi t’i bashkëngjiten himnit aktual kombëtar.
“Himni kombëtar duhet të rikthehet në formën e tij të plotë. Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë, sepse Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë, në kuptimin që dashuria për kombin dhe vendin, buron nga fryma e Zotit. Të shihen të gjitha modalitetet se si mund të rikthehet kjo strofë e përzënë dhe të bisedohet dhe me akademinë, institutin, kompozitorët dhe himni mendoj unë duhet të kthehet në variantin e tij të plotë ashtu siç e shkroi rilindësi i madh Aleksandër Sotir (Stavre) Drenova”, – deklaroi kryeministri Berisha.
11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)