Sulmuesi rrëfen se është në formë të mirë, ndërsa te Siena ka probleme me trajnerin
Altin Manallari
Është 35 vjeç sot, por mban ende një pjesë jo të vogël te sulmi i Kombëtares së Shqipërisë. Bëhet fjalë për Erjon Bogdanin, i cili në prononcimin e tij të djeshëm, menjëherë pas ndeshjes miqësore me Olimpikun, ka sqaruar pozitën te skuadra e Sienës, ku po aktivizohet shumë pak gjatë javëve të fundit dhe problemet taktike që ka me trajnerin e ekipit italian. Po më e rëndësishme është se bomberi shtatlartë deklaron se gëzon formë të mirë dhe se të premten kërkon nga shokët e skuadrës të bëjnë një ndeshje të madhe ndaj Islandës, për të marrë fitoren e shumëkërkuar. Bogdani ka theksuar se takimet e tetorit janë shumë të rëndësishme për ecurinë e Kombëtares sonë në grupin E, por këmbëngul se ndeshjet duhen marrë një e nga një, në fillim fitorja ndaj Islandës, pastaj të mendohet për Slloveninë.
Erjon, në ndeshjen e parë eliminatore vëmendja ishte e përqendruar te gjendja e skuadrës. Ndërsa tani, pritshmëritë janë më të mëdha…
Është e vërtetë që në fillim fare, skuadra luajti mirë. Kishim një ndeshje të vështirë ndaj Qipros, të cilën e fituam dhe pastaj u mundëm në Zvicër 2-0. Duhet thënë që Zvicra është një nga pretendentët kryesorë për kualifikim në grupin E. Megjithatë, dy ndeshjet e radhës janë shumë të rëndësishme për ne, më pas do të mund të themi se deri ku mund të shkojë ky ekip kombëtar. Për mendimin tim, duhet ta fitojmë ndeshjen e parë ndaj Islandës dhe më pas të luajmë kundër Sllovenisë me moral të lartë. Do të kemi edhe tifozët në mbështetjen tonë.
Shihet se të gjithë sulmuesit janë në formë të shkëlqyer. Keni shënuar ju, Sadiku, Roshi, Çani, Salihi. Duket se do ta vini në pozitë të vështirë trajnerin për të zgjedhur sulmuesit titullarë për të premten…
Pikërisht për këtë qëllim jemi këtu, që ta vëmë në pozitë trajnerin. Sa më shumë alternativa të ketë De Biazi, aq më shumë zgjedhje të mira do të bëjë. Duhet të them se çdo trajner duhet të jetë i kënaqur me sulmuesit që ka. Ne shënuam të gjithë sot, edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore. Shpresojmë që të premten të jemi në formë për të zhvilluar një ndeshje të madhe dhe për ta fituar atë.
Si do ta nisë Bogdani ndeshjen, si titullar apo nga stoli?
Normal që çdo lojtar vjen që të luajë titullar, por këto janë zgjedhjet e trajnerit. Të shikojmë.
Sa ndikon fakti që në Itali ju nuk po luani shumë me Sienën, edhe pse jeni në formë?
Është e vërtetë që nuk po luaj shumë, sepse nuk i kam punët mirë me trajnerin. Megjithatë, jam profesionist dhe po stërvitem shumë me ekipin e Sienës, sepse edhe nëse ai do të ma japë mundësinë për të luajtur pak minuta, dua që të shfaq maksimumin e formës sime. Ky nuk është aq problem, sepse përpara një viti edhe me Çezenën nuk po luaja shumë, por pastaj kalova te Siena, ku në 5 ndeshje bëra 4 gola. Kjo është detyra ime si profesionist. Pavarësisht se nuk kam luajtur shumë te Siena, jam stërvitur shumë edhe për këto dy ndeshje të Kombëtares, sepse kam edhe unë objektivin tim: të paraqitem sa më mirë me përfaqësuesen.
Çfarë do të thotë “kam probleme me trajnerin e Sienës…”?. Cilat janë problemet, nëse mund të na i zbuloni?
Janë më shumë probleme nga ana taktike, sepse po luan vetëm me një sulmues. Megjithatë po stërvitem në pritje të shansit tim. Po kalojmë momente të vështira, por kur të ndërrojë skemën taktike dhe të luajmë me dy sulmues, atëherë duhet që unë të jem i gatshëm dhe në formë. Në atë moment duhet të jap maksimumin dhe të shënoj gol, të ndihmoj skuadrën.
Konkurrenca – “Sa më shumë sulmues në formë, aq më mirë për Kombëtaren”
Stërvitja – “Jam stërvitur shumë që të isha gati për përfaqësuesen”
Aktivizimi – “Te Siena aktivizohem pak, sepse kam probleme me trajnerin, probleme taktike, sepse po luan vetëm me një sulmues”
Formacioni – “Normal që çdo lojtar vjen që të luajë titullar, por këto janë zgjedhjet që i përkasin vetëm trajnerit De Biazi. Të shikojmë”
Rëndësia – “Dy ndeshjet e radhës janë shumë të rëndësishme për ne, më pas do të mund të themi se deri ku mund të shkojë ky ekip”