Brenda pak ditëve, një tjetër grevist i vë flakën vetes. Lyen me benzinë trupin dhe ndez një çakmak. Gjithçka, para shokëve, policisë dhe një kamere


Pamjet horror, grevisti Lirak Bejko vetëdigjet me benzinë


Një grevist urie, që kërkon nga qeveria dëmshpërblimin për vitet e burgut në kohën e komunizmit, ka tentuar dje të vetëflijohet para shokëve, policisë dhe një kamera. Gjithçka ka ndodhur për pak sekonda, ku shfaqet Lirak Bejko, që fillimisht lyhet me benzinë në gjendje tepër të qetë. Në dorën e majtë mbante një shishe gjysmë litërshe me benzinë, ndërsa në tjetrën një çakmak. Spërkatet me lëndën djegëse dhe më pas ndez çakmakun duke e vendosur në gjurin e majtë. Më pas, në të dhjetat e sekondës, flaka përhapet në të gjithë trupin dhe dëgjohet një ulërimë. Rrotullohet një herë me flakën që e kishte në të gjithë trupin dhe më pas rrëzohet në hyrje të tendës ku ishin vendosur grevistët. Një shok i tij, Agim Kollçaku, i shkon në ndihmë. Merr një batanije dhe tenton t’i shuajë flakët. Disa persona të tjerë, përfshirë edhe një punonjës policie, i afrohen 47-vjeçarit dhe tentojnë me të gjitha mënyrat për t’i hequr flakët që i ishin përhapur në të gjithë trupin.


Gjendja ka shokuar një pjesë të mirë të grevistëve, ndërsa mjekët ambulatorë, që ndodheshin në një ambulancë, afrohen me shpejtësi te vendi i ngjarjes. Pas disa sekondash, Lirak Bejko u shpëton flakëve në trup, ndërsa djegiet i konstatohen që në çastin e parë. Mjekët e hipin në një barelë dhe e transportojnë menjëherë në ambulancë, e cila i drejtohet spitalit “Nënë Tereza”. Mjekët thonë se djegia është e shkallës së tretë dhe grevisti rrezikon jetën.


Ndërkohë, pjesëtarë të tjerë të grevës pohojnë se do të ndërmarrin të tilla vetëflijime deri në momentin që qeveria do të përmbushë premtimet e tyre. Në lidhje me djegien e Lirak Bejkos, i bërë publik pasi goditi deputetin Ilir Rusmali disa javë më parë në hyrje të Parlamentit së bashku me Gjergj Ndrecën, pohojnë se gjithçka ka qenë e organizuar. 47-vjeçari ka qenë grevisti i dytë që pranoi të vetësakrifikohej për kauzën e tyre. Ndërsa më parë, për t’u vetëflijuar kishte pranuar edhe Pal Shtjefni, i cili, sipas organizatorëve të grevës, është i burgosur politik. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, Skënder Tufa, pohon se do të vijojnë me të tilla akte nëse qeveria nuk pranon kërkesat. “Kërkesat tona duhet të plotësohen, pasi në të kundërt greva do të përshkallëzohet”, pohoi Tufa, duke vijuar se kërkon që grevistët e lënduar të ekzaminohen në klinikat jashtë vendit. s.ç.


 


Skënder Tufa


“Këto janë akte shumë të rënda, por janë të fundit që mund të bëjmë, sepse nuk kemi çfarë të humbasim më. Ish të dënuarit janë kufoma që ecin në rrugë pa dinjitet”