Shkrimtari kinez Mo Yan është fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë për vitin 2012. Akademia Suedeze vlerësoi punët e tij të cilat “me realizëm prej iluzionisti bashkon tregimet popullore, historinë dhe bashkëkohoren”. I njohur për romanet dhe prozat e tij të shumta, veprat e 57-vjeçarit Mo Yan janë ndikuar nga kritika politike e Lu Xun dhe realizmi magjik i Gabriel Garsia Markez.
Në garë për çmimin e madh në Letërsi ishte edhe shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare.
Kush është Mo Yan
Mo Yan ka lindur në një zonë rurale të Shandong, në veri-lindje të Kinës dhe përfaqëson kundërshtitë e vendit të tij. Shkrimtari jeton në Kinë dhe kritikat e tij për shoqërinë dhe sistemin politikë kinez janë indirekte, ndonëse si në rastin e librit të tij të fundit “Bretkosat”, ai ka qenë i drejtpërdrejtë. Ai është një intelektual i pavarur, por jo aq eksplicit si Liu Xiaobo, i cili në vitin 2010 fitoi çmimin Nobel për Paqen.
Mo Yan ishte një ushtarak në karrierë kur vendosi t’i braktiste të gjitha elozhet që kërkonte ushtria për t’iu dedikuar të shkruarit. Përmes librave, vendosi edhe të denonconte probleme të qenësishme. “Tortura është një formë bashkëpunimi mes të akuzuarit, ekzekutuesit dhe publikut”, thotë ai. Emri i vërtetë i tij është Guan Moye dhe e ka zgjedhur pseudonimin letrar si një formë “hakmarrjeje” ndaj gjyshes së rij. Mo Yan, ashtu siç ai firmos romanët e tij, do të thotë “ai që nuk do të flasë”. Gjyshja e tij i thoshte gjithnjë të pushonte, sepse ai ishte një fëmijë shumë llafazan që nuk pushonte kurrë. Në romanet e tij ai rrëfen për burra që kanë pasur jetë të vështirë, për varfërinë ekstreme dhe punën në kampe, të cilët kanë kaluar përmes revolucioneve dhe luftërave e që kanë pësuar dhunën ekstreme. Përveçse shkrimtar, Mo Yan është edhe skenarist. Filmi i realizuar nga Zhang Yimou, “Melekuqe”, ka fituar “Ariun e Artë” në Festivalin e Berlinit.
Ai nuk ka dashur të komentojë më parë kandidaturën e tij për Nobel, duke u mjaftuar për të thënë për agjencinë Kina e re se “nuk ka asnjë opinion për çështjen në fjalë”.
11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)