Kuqezinjtë kanë mundur me rezultatin e thellë 9-0 skuadrën e Kategorisë së Dytë në ndeshjen e kontrollit
Shqipëria shpërthen në testin miqësor të luajtur dje kundër Olimpikut. Nëntë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar, vetëm dy ditë para sfidës zyrtare ndaj Islandës nesër në “Qemal Stafa”. Në ndeshjen e kontrollit përballë skuadrës së Xhani de Biazit ishte skuadra e Kategorisë së Dytë, e cila nuk i ka rezistuar dot vrullit të kuqezinjve, të cilët treguan në përgjithësi një formë të mirë sportive, por spikati mbi të gjitha reparti i sulmit. Një tripletë e Armando Sadikut, një dopjetë e Erjon Bogdanit dhe nga një gol për Hamdi Salihin, Edgar Çanin, Gilman Likën dhe Odise Roshin të cilët vendosën fitoren e kuqezinjve. Ky test duket se ka lënë të kënaqur teknikun italian, i cili gjatë ndeshjes ka qëndruar duke mbajtur shënime. Qëllimi i takimit ishte për të krijuar një ide sa më të qartë mbi lojtarët që do të zbresin në fushë nesër ndaj islandezëve. Në pjesën e parë, tekniku italian hodhi në fushë këtë formacion: në portë Berisha, në mbrojtje Lila, Curri, Mavraj dhe Arapi, në mesfushë Vila, Bulku, Hyka dhe Gilman Lika, ndërsa në sulm dyshja Salihi-Cani. Gjatë pjesës së parë, që zgjati rreth 35 minuta, shënuan Lika, Çani dhe Salihi, por kuqezinjtë kishin rezervuar një paraqitje edhe më të mirë në të dytën. De Biazi e ndryshoi të gjithë ekipin, duke aktivizuar në portë Ujkanin, në mbrojtje Dallku, Osmani, Veliu dhe Agolli, në mesfushë Roshi, Cana, Kukeli dhe Meha, ndërsa në sulm Bogdani dhe Sadiku. Pas një fillimi të qetë të pjesës së dytë, kuqezinjtë shpërthyen me 5 gola, ku ra në sy loja e mirë e Alban Mehës, por edhe inkursionet e Roshit nga e djathta. Një paraqitje të mirë bëri sulmuesi i Lokarnos, Armando Sadiku. Ndërkohë, në këtë sfidë është testuar edhe zhvendosa e Lorik Canës nga mbrojtja në mesfushë. Tashmë është një mundësi reale kjo lëvizje e De Biazit në formacion, por më parë trajneri kërkon të jetë i sigurt për efikasitetin e dyshes Curri-Mavraj në qendër të mbrojtjes. Të dy lojtarët luajnë për herë të parë përkrah njëri-tjetrit. Ndryshe nga dy ndeshjet e para me Qipron dhe Zvicrën, tekniku mund të bëjë ndryshime në të gjitha repartet, pasi ka më shumë alternativa për formacionin titullar. Formacionin, me shumë gjasa, trajneri do ta zbulojë sot në konferencën e fundit për shtyp, para ndeshjes me Islandën.
Shënuesit
Një tripletë e Armando Sadikut, një dopjetë e Erjon Bogdanit dhe nga një gol për Hamdi Salihin, Edgar Çanin, Gilman Likën dhe Odise Roshin, vendosën fitoren e kuqezinjve