Motivet
Rreth 30 ish-punonjës të kompanisë CEZ, dega Fier, kanë bllokuar mëngjesin e djeshëm dyert e godinës së zyrave ku punonin dhe ato të marrëdhënieve me klientin të kësaj kompanie, në shenjë proteste për largimin e tyre nga detyra. Ata pretendojnë se shkak i pushimit të tyre nga puna është mosplotësimi i planit të gjobave, i vendosur nga ana e drejtuesve të kompanisë që kap shifrën e 5 milionë lekëve në muaj. Sipas protestuesve, ky është edhe shkaku i pushimit nga puna dhe se ata nuk do t’i ndërpresin protestat e do ta mbajnë të bllokuar situatën deri në rikthim të tyre në punë, sipas kontratës së lidhur mes palëve. Kreu i sindikatës që përfaqëson dhe mbron interesat e punonjësve të CEZ-it, Tafil Gjolena, ka deklaruar se nuk do të lejojnë shkarkimin pa motivacion dhe duke shkelur kontratat e lidhura mes palëve.
Në lidhje me protestën e ish-punonjësve në Fier, kompania sqaron se, personat në fjalë janë proceduar për largim nga puna pas verifikimeve ku kanë rezultuar me performancë të dobët, si dhe në abuzime me postet e tyre të punës. CEZ ka monitoruar gjatë gjithë kohës punën e punonjësve të saj, me qëllim përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimit që u ofrohet klientëve të CEZ Shpërndarjes. Gjatë gjithë kësaj kohe, janë marrë masa përkatëse disiplinore për punonjësit problematikë, deri në pushimin nga puna dhe ndjekjen e tyre penale.