Përjashtohen nga amnistia të dënuarit që vuajnë dënimin:
- Për krime kundër jetës të kryera me dashje
- Vepra me dashje kundër shëndetit
- Krime seksuale
- Krime kundër fëmijëve
- Krime kundër martesës dhe familjes
- Krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike,
- Krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues
- Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtete të tjera
- Organizimi dhe pjesëmarrja në banda kriminale
Amnistia
Lirohen 290 të burgosur, 1380 të dënuar me kusht dhe 876 nën hetim
Sokol Çobo
Qeveria ka miratuar dje projektligjin për “dhënie amnistie”, të propozuar nga Ministria e Drejtësisë, ku përfitojnë 2546 persona. Nga këta, 290 ndodhen në qeli e të dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa 1380 të tjerë mbikëqyren nga Shërbimi i Provës (928 të rritur dhe 452 të mitur) dhe janë me masa alternative. Sipas vendimit të qeverisë, përfitojnë edhe 876 persona që janë në proces hetimi dhe gjykimi, të cilët, deri në datë 31 gusht 2012 kanë qenë në hetim për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se amnistia merret në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë. “Qëllimi i projektligjit është dhënia e amnistisë, të gjithë personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të ulët apo për kategori të caktuara të personave të dënuar”, vijoi ai. Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në llojin dhe masën e dënimit, e cila është deri në dy vjet; koha e mbetur e dënimit, deri në 1 vit; mosha aktuale e personit të dënuar, 55 vjeç për gratë dhe 60 vjeç për burrat. Lirohen edhe personat nën 18 vjeç. Të gjitha këto kritere, tha Kryeministri, kanë një emërues të përbashkët që është rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale. Dhënia e amnistisë bazuar në këto kritere garanton mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik, deklaron qeveria.
Projektligji
Neni 1 i projektligjit përcakton qëllimin dhe parimet e ligjit. “Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit ose të bëjë zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë për të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji”, thuhet në këtë nen, i cili pasohet nga pika 2 “dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik”. Neni 2 përcakton se kush quhet i dënuar. “I dënuar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet personi i dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe që nuk i është shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë”.
Kush lirohet
Qeveria ka miratuar nenet në Kodin Penal që amnistohen me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji: a) Personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; b) Personat e dënuar ndaj të cilëve aplikohet një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim; c) Personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, ç) Personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 28 Nëntor 2012, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 1 vit; d) Të dënuarat femra, që në datën 28 Nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç; dh) Të dënuarit meshkuj, që në datën 28 Nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, e) Të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 77, 78, 79 e 101, të Kodit Penal.
Uljet e dënimit
Në projektligjin e miratuar dje nga qeveria për “dhënie amnistie” i ulet dënimi disa kategorive të caktuara. “Të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikës 1, të këtij neni, u zbritet ¼ e dënimit të mbetur, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, (vepra të rënda penale të këtij ligji. Në rastin e personave të dënuar për shkak të përsëritjes së të njëjtës vepër penale, nuk do të aplikohet zbritja sipas këtij paragrafi”, thuhet në nenin 3 të projektligjit.
Nuk përfitojnë
Qeveria ka pacaktuar se kush nuk përfiton nga amnistia. “Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, të kryera me dashje dhe vrasje të mbetur në tentativë, vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, krime seksuale, vepra penale kundër lirisë së personit, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, vepra me qëllime terroriste, krime kundër autoritetit të shtetit, vepra penale kundër drejtësisë dhe vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, është neni i katërt i projektligjit.
Pushohen hetimet
“Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat dhe për kallëzimet, që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, për veprat penale të kryera deri më datën 31 gusht 2012, për të cilat Kodi Penal parashikon dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë”, thotë qeveria, duke përcaktuar se do të ketë edhe çështje që kanë shkuar në gjykim që mund të pushohen.
Amnistia më 28 Nëntor
Qeveria ka ngarkuar ministrin e Drejtësisë, ministrin e Brendshëm, ministrin e Mbrojtjes dhe Prokurorin e Përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji. Ndërkohë, ligji në fjalë botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 28 Nëntor 2012.
Lirohen – 290 persona që gjenden në sistemin e burgjeve
Të lirë – 928 të rritur dhe 452 të mitur që ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe janë me masa alternative
Jashtë hetimit – 876 persona, të cilët deri më datë 31.08.2012 kanë qenë në hetim për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë