E detyron të marrë 50 milionë euro kredi për të importuar energji elektrike


ARD KOLA


Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do të përfshihet në tjera detyrime me bankat private. Kriza energjetike e detyron të marrë të tjera kredi për të siguruar import, pavarësisht se KESH-i nuk kishte asnjë obligim ligjor për ta realizuar, duke qenë se normat e prodhimit janë brenda kufirit për nevojat e vendit. Problemet financiare të CEZ-it kanë shtyrë qeverinë t’ia faturojë KESH-it barrën e rëndë, fakt i pranuar nga vetë Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë.


Tashmë, KESH-it i janë vendosur në dispozicion garanci pranë bankave në shumën rreth 50 milionë euro, gati 7 miliardë lekë. Me firmën e ministrit të Financave, i cili lëshoi “çekun”, KESH-i mund të dalë i qetë në tregun e huaj dhe të blejë energji elektrike deri në fund të këtij viti, pasi CEZ-i nuk mund ta realizojë.


Qeveria miratoi dje dy garanci, e para në favor të “Raiffeisen Bank”, për shumën ekuivalente, në lekë, të shumës 40 milionë euro, dhe e dyta, në favor të “Intesa Sanpaolo”, për shumën 14 miliardë lekë. Me këto dy banka, KESH-i del më i sigurt te tregtarët e huaj se i disponon shumat për importin, pasi deri më sot, importuesit nuk kishin besim. Korporata ka shumë borxhe të pashlyera, në vlera mbi 150 milionë euro dhe shumë tregtarë të rajonit kishin humbur besimin për kontrata të mëtejshme furnizimi, aq sa edhe llogaritë bankare u bllokuan nga përmbaruesit.


Kryeministri i vendit e pranon se situata mbetet kritike, por deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes CEZ-it dhe KESH-it, si dhe për të mos lënë vendin pa drita, vendosi të realizonte planin B, atë të importit me paratë e taksapaguesve shqiptarë.


“Qëllimi i parë është që të bëjë import të energjisë, pasi këtë detyrim ligjor kontraktual kompania CEZ nuk e ka përmbushur. Në këto kushte, për të përballuar situatën e krijuar nga mospërmbushja e këtij detyrimi shumë të rëndësishëm, autoritetet shqiptare duhet të autorizojnë KESH-in për të importuar energji dhe, natyrisht, të garantojnë edhe shumën e domosdoshme për importin e saj”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, qeveria është e vendosur se, për sa kohë të ketë energji të treg, shqiptarët nuk do të mbeten pa energji. Ky është përcaktimi ynë. “Një pjesë të kësaj kredie, KESH-i është i autorizuar ta përdorë për të blerë energjinë që prodhojnë hidrocentralet e reja, të cilat kanë bërë investimin dhe tani janë shndërruar në një burim të rëndësishëm furnizimi me energji të vendi. Një burim gjithnjë e në rritje, KESH-i do të shlyejë detyrimet që ka ndaj këtyre kompanive”, deklaroi më tej kreu i qeverisë.


Pra, KESH-i nuk u ka borxhe vetëm kompanive importuese, por edhe HEC-eve lokale, në vlera rreth 15 milionë euro, duke krijuar kështu një zinxhir detyrimesh, pasi edhe vetë CEZ-i i detyrohet korporatës. Vlerat 50 milionë euro janë të mjaftueshme për të pasur një import normal, duke pasur parasysh se në muaj KESH-it i nevojiteshin rreth 20 milionë euro në muaj blerje energji elektrike.


 


TVSH


Tjetër heqje


Pas diskutimesh të gjera, qeveria vendosi të heqë pagesën e TVSH-së edhe për subjektet që importojnë çimento dhe çelik për ndërtimin e hidrocentraleve. Vlerësohet se janë miratuar kontrata HEC-esh me vlerë investimi 3 miliardë euro