Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, i dorëzoi sot kreut të opozitës, Edi Rama, progres-raportin e KE, duke e falënderuar për rolin që opozita ka luajtur në plotësimin e 12 prioriteteve. Sequi u shpreh se fryma e dialogut dhe konsensus janë elementët që sollën në këtë ditë, prandaj është e nevojshme të vazhdohet në këtë rrugë.


“Unë shpreha vlerësimin e plotë për rolin që ka luajtur opozita në marrjen e rekomandimit për statusin. I shpreha zotit Rama vlerësimin e komisionerit Fule për rolin dhe meritat që ka luajtur në këto arritje që kemi parë deri tani”, tha Sequi. Ai ka theksuar dhe njëherë rëndësinë e përmbushjes së reformave të nevojshme, të cilat janë pikat kyçe ku palët duhet të përqendrohen, me qëllim që siç tha Sequi të jepet vlerësim pozitiv edhe në dhjetor.


“Kemi biseduar për përmbushjen e reformave të rëndësishme për marrjen e plotë të statusit, për sfidat që na presin përpara. Njëra prej tyre është zbatimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, Reforma Parlamentare, ligji për Administratën Publike, pika këto të cilat do jenë kyçe për vendimin e këshillit të ministrave në dhjetor. Mendoj që bashkëpunimi i opozitës do vazhdojë”, tha ai.


Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë Ettore Sequi deklaroi se çelja e negociatave ka të bëjë me natyrën e zgjedhjeve ne Shqipëri. Nga ana e tij, kryetari socialist Edi Rama shprehu kënaqësinë që progresi prek atë fushë që ka të bëjë më kontributin e opozitës.


“Jemi absolutisht të kënaqur si opozitë, si një forcë e dëmtuar seriozisht nga proceset e mëparshme zgjedhore, po dhe si një forcë e interesuar që në Shqipëri të vendosë vullneti i popullit sovran që hapja e negociatave, çka është në fakt procesi i konkretizimit të dhënies së statusit kandidat, është e varur nga cilësia e zgjedhjeve. Këtë e konsideroj një arritje domethënëse dhe njëkohësisht një moment të rëndësishëm për tu thënë të gjithë atyre që me plot të drejtë duan zgjedhje të ndershme, se procesi i integrimit është mbështetje për zgjedhje të ndershme dhe se bashkërendimi i energjive me KE, është një gur themeli i rëndësishëm”, tha Rama. Më tej kryesocialisti Rama ka deklaruar se Fieri, nuk është kusht i socialistëve për një kërkesë legjitime që të zbatohen vendimet e gjykatave. “Qarku i Fierit në këndvështrimin tonë nuk përbën një kusht si çështje po një kërkesë legjitime të opozitës dhe një çështje, një simbolikë shumë të fortë ku flasim për të shkuar përpara me legjislacionin për drejtësinë, ndërkohë jemi para një moment flagrance në raport me mosrespektim të vendimit të gjykatave, deri në nivelin më të lartë”, tha Rama.


11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)