Uji i pijshëm, rrezikohet rritja e çmimit

Olldashi, ndërmarrjeve: Nuk ju subvencionojmë më, as borxhet nuk ua shlyejmë

Lorina Mixha

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve duhet të rrisin arkëtimet, të shëndoshin financat, si dhe të përmirësojnë shërbimin ndaj klientit. Vështirësitë e tyre do të jenë edhe më të mëdha, ndërkohë që përmirësimi i shërbimit dhe investimet duhet të zgjidhet nga vetë ndërmarrjet. Në këto kushte parashikohet rritja e çmimit të ujit të pijshëm, si dhe shtim të parave që konsumatori do t’i duhet të paguajë për shërbimin e furnizimit me ujë. Dje, ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, ka deklaruar se qeveria nuk do të subvencionojë më për paga dhe sigurime shoqërore ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve. Madje nuk do të paguajë më as borxhet. Duhet të rriten arkëtimet që deri tani rezultojnë të jenë ulur në masën 4 për qind, ndërkohë që pushteti vendor duhet të marrë në dorë kontrollin dhe situatën për sa i takon shpërndarjes dhe rrjetit të ujit të pijshëm.

“Raporti i parë i Entit na jep mundësinë të shikojmë çka ndodhur, duke parë këtë raport për mënyrën sesi kanë operuar ndërmarrjet, duke shkëmbyer eksperiencat e mira dhe të këqija.

Jemi në përfundim të një masterplani që na jep në mënyrë të qartë zonat ku duhet investuar. Procesi i transformimit ka 5 vjet që po ecën përpara”, tha dje gjatë prezantimit të raportit të performancës së Entit Rregullator të Ujit, ministri Sokol Olldashi. Sipas tij, kemi përkeqësim të formës së arkëtimit me 4% dhe duhet të kemi rritje të vëmendjes nga qeveritë vendore, gjë e cila paraqet mangësi.

“Nuk mund të kujtohemi se kemi përgjegjësi për ndërmarrjen vetëm kur Ministria e Financave prek buxhetin. Kjo është përgjegjësi e pushtetit vendor. Nuk do ju paguajmë me borxhet, nuk ka më subvencion për paga dhe sigurime shoqërore. Duhet të dilni me bonus”, deklaroi Olldashi.

“Pavarësisht theksit që ERRU i ka vënë shërbimit ndaj klientëve, konsumatori shqiptar ka ndier përmirësime mjaft të vogla gjatë vitit 2011. Furnizimi me ujë të pijshëm nga shumë shoqëri mbetet i një cilësie jo të sigurt dhe mjaft klientë kanë ndier mangësi në orët e furnizimit me ujë”, ka deklaruar dje Avni Dervishi, kryetar i ERRU-s. Një shqetësim serioz përbën fakti që ndërkohë që shumë shoqëri varen nga subvencionet akoma më shumë se gjysma e ujit të prodhuar nuk sjell asnjë të ardhur.

Publikimi i raportit të performancës 2011 është vetëm fillimi i një procesi monitorim performance i plotë dhe i vazhdueshëm nga rregullatori. ERRU dëshiron të nxisë të gjithë aktorët, shoqëritë, pronarët e tyre, këshillat mbikëqyrës, klientët, si dhe vendimmarrësit politikë për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv mbi sfidat aktuale të sektorit dhe ato në të ardhmen.

Enti Rregullator i Ujit publikoi dje për herë të parë raportin e performancës për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri.

Publikimi i këtij raporti sjell edhe një herë në fokus një çështje aq shumë të rëndësishme për qytetarët, siç është shërbimi i furnizimit me ujë dhe kanalizime.

“ERRU është përkushtuar duke bërë përpjekje të vazhdueshme për rritjen e transparencës në sektor dhe nëpërmjet këtij raporti synon të japë një pasqyrë sa më të qartë dhe sa më reale mbi situatën e vitit të fundit në skeptrin e UK në Shqipëri.

Për herë të parë ofrohet mundësia që veçanërisht klientët të shohin se si shoqëria e tyre i ofron këto shërbime krahasuar me shoqëritë e tjera në vend”, deklaroi Dervishi. Sipas tij, klientët mund të dalin në treg për të gjetur oferta më të mira për shumë produkte, por jo për ujin e pijshëm.

 

Raporti – Sipas këtij raporti, janë bërë disa përmirësime, por në përgjithësi situata mbetet e vështirë. Klientët që të përdorin informacionin për të ushtruar presion mbi shoqëritë që të ofrojnë shërbime më të mira

Kostot – Gjatë vitit 2011, mesatarja e sektorit për mbulimin e kostove të operimit dhe të mirëmbajtjes e ka tejkaluar shifrën 100 për qind. Pjesës më të madhe të shoqërive do t’u duhet të punojnë shumë për të përmirësuar treguesit e tyre financiarë dhe të menaxhimit

Autor te 11 Tetor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry