Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kanë marrë  pjesë në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit shqiptar Ali Ibra në qendër të qytetit të Gjakovës. “Në historinë tonë të gjatë ne, shqiptarët, nuk kemi ngjarje tjetër më kryesore e më frymëzuese se Lidhjen e Prizrenit. Ndaj gjithnjë nderimi në krye të radhës u takon atyre burrave që u mblodhën në Prizren, si shenjë e bashkimit kombëtar dhe e përpjekjes së përbashkët kombëtare për liri e dinjitet. Ali Ibër Nezaj, me burrat e tjerë të shquara të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në një përpjekje mbinjerëzore ndezën luftën e shqiptarëve për liri, por, mbi të gjitha, dritën e bashkimit të kombit shqiptar”, tha Berisha.


Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Lidhja e Prizrenit ka mesazhin e përjetshëm të bashkimit të shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet, ndërkohë apeloi që të vijohej puna për bashkimin e shqiptarëve në Europë.


“Ne sot jemi të lirë dhe po në këtë frymëzim, ne ecim të bashkuar drejt një qëllimi të madh, integrimit tonë në Bashkimin Europian. Sikundër, siç është provuar në mënyrën më të përsëritur, në çdo rrethanë, ne jemi një dhe do të mbetemi një komb. Ne kemi pësuar gjatë historisë, padrejtësi ndër më të mëdhatë. Atëherë, kur ishim kombi më i madh i Ballkanit, u vërsulën mbi ne barbarisht, por, ne prapë sot jemi të lirë e të vendosur të qëndrojmë të lirë në trojet tona, të vendosur të punojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për bashkimin tonë, në të gjitha vlerat e mëdha të kombit e të Europës”, theksoi Kryeministri Berisha.


Ndërkaq, Atifete Jahjaga tha se Gjakova por edhe gjithë Kosova është e nderuar me ngritjen e shtatores së prijësit të Lidhjes Shqiptare, të udhëheqësit të kryengritjeve për çlirim kombëtar, të Komandantit të luftërave për ruajtjen e tërësisë territoriale të tokave shqiptare. Kjo anë, gjithmonë gjatë historisë sonë të lavdishme kombëtare, ishte e rreshtuar drejt, me nder dhe me dinjitet.


“Ali Ibër Nezaj është udhëheqës popullor, një nga prijësit e gjithë Malësisë së Gjakovës që organizoi dhe e mblodhi popullin për ta bërë Shqipërinë, për të ruajtur paprekshmërinë e trojeve tona, për t’i kundërshtuar pazaret mbi kurrizin e popullit tonë. Ali Ibra nuk blihej me tituj e grada. Ai gjithmonë mbeti mbrojtës i interesave të mirëfillta të popullit, duke respektuar plotësisht tolerancën fetare dhe diversitetin kulturor të vendit. Mbronte të vegjlit dhe mbante drejtësi. Nami i tij mbetet i gjallë deri në ditët tona. Si udhërrëfyes përparimi dhe krenarie”, tha Jahjaga. Më herët, në një ceremoni të veçantë, Berisha u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.


12 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)