Italia s’pranon të zbardhë 11-shen, por zbulon se do të luajë me 4 lojtarë ofensivë në kërkim të fitores


Trajneri thekson se do të jetë e vështirë, por mundësia ekziston


Altin Manallari


Kombëtarja shqiptare luan ndeshjen e tretë kualifikuese në Grupin E, në kuadrin e “Botërorit 2014”. Të gjendur në kuotën e tri pikëve, kuqezinjtë sfidojnë sot rivalin e radhës, Islandën, që ka në krye një trajner suedez, i cili duket se na njeh jo pak, por gjithsesi do të jetë fusha e “Qemal Stafës” ajo që do të japë për verdiktin pas 90 minutave lojë. Objektivi mbetet i njëjtë, 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme, por ndryshe nga nisja e grumbullimit, entuziazmi i trajnerit të kombëtares së Shqipërisë, Xhani De Biazi, nuk është i njëjtë. Tekniku u shfaq i qeshur në konferencën e djeshme për shtyp, rreth 24 orë para sfidës. Ndërsa ajo çfarë ai tha, karakterizohej nga optimizmi, por edhe shumë kujdes, pasi duhet shumë punë për të realizuar objektivin. Ai thotë se sfida do të jetë e vështirë. De Biazi i merr gjërat me radhë dhe në mendjen e trajnerit është vetëm ndeshja e sotme. “Kemi punuar mirë këto ditë me skuadrën, rrëfen trajneri. Kemi provuar shumë lojtarë dhe skema dhe në këtë ndeshje jemi më mirë se ajo me Qipron. Islanda është një ekip pak a shumë si në dhe rezultati i ndeshjes do varet nga rastet e shfrytëzuara dhe gabimet në fushë. Është një skuadër e fortë fizikisht, ka mesfushë të mirë dhe sulmues të shpejtë. Do jetë një ndeshje ku duhet të kemi durim. Nëse lojtarët do japin 100% të mundësive të tyre, rezultati pozitiv nuk do mungojë”, u shpreh Xhani De Biazi. Trajneri italian nuk ka zbuluar formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: Shqipëria do të luajë me katër mbrojtës. Po ashtu, tekniku pritet të nisë sfidën me dy sulmues. “Nuk po flas me detaje për formacionin me të cilin do të luajmë, por një gjë është e sigurt: do të luajmë me 4 lojtarë ofensivë. Edhe ju jeni të një mendje me mua, u është drejtuar tekniku italian gazetarëve. Nuk besoj se mund të bëhet më shumë sesa kaq në kërkim të fitores. Ndoshta do të dëshironit të luanim me 11 sulmues, por pastaj bëhet e vështirë të mbrohemi (qesh)”. Megjithatë diçka është lënë të kuptohet nga kjo fazë përgatitore e Kombëtares para kësaj ndeshjeje. Ujkani pritet të mbrojë portën, ndërsa para tij Curri do të vendoset krah Mavrajt (ende në dyshim, konfirmimi pritet sot). Në të majtë të tyre Agolli, ndërsa në të djathtë do të zgjidhet një nga balotazhi Dallku-Lila. Cana është zhvendosur në rolin e tij të zakonshëm në mesfushë përkrah Bulkut, ndërsa Roshi mendohet të rreshtohet në të majtë dhe Meha në të djathtë. Dyshja e sulmit pritet të jetë Bogdani-Salihi. Trajneri foli edhe për pritshmëritë e këtyre dy ndeshjeve të radhës për kombëtaren: “Sa u takon pritshmërive në dy kualifikueset e radhës, duam t’i marrim 6 pikët e plota. Të gjithë besojmë se kjo është e mundshme, por duke qenë se jemi Shqipëria dhe nuk jemi as Reali i Madridit, as Spanja, nuk mund ta quajmë të sigurt. Suksesi do të varet nga shumë gjëra. E para nga kundërshtari, Islanda, që është më mirë taktikisht se ne, tepër e rrezikshme, por pavarësisht këtyre faktorëve mund t’ia dalim”.


 


Objektivi


“Në dy ndeshjet e radhës, duam t’i marrim 6 pikët e plota. Të gjithë besojmë se kjo është e mundshme, por duke qenë se jemi Shqipëria dhe nuk jemi as Reali i Madridit, as Spanja, nuk mund ta quajmë të sigurt”


 


Kapiteni


Mesfushori thekson se ndaj Islandës, kuqezinjtë do të hyjnë në fushë vetëm për fitore


Cana: Sukseset duhet t’i ndërtojmë në fushën tonë


Në krah të trajnerit De Biazi, në konferencën e fundit para ndeshjes ishte lideri i Kombëtares, kapiteni Lorik Cana. Për futbollistin e Lacios në Seria A, në këto dy ndeshje mund të ndodhë gjithçka: fitore, barazime apo edhe humbje, po Shqipëria në të dyja këto ndeshje do të futet në fushë me synimin e vetëm, fitoren dhe për këtë është gati të japë maksimumin Cana së bashku me shokët e skuadrës. “E kemi analizuar kundërshtarin, i cili në të dy takimet e para ka bërë paraqitje shumë të mira, sidomos në fitoren me Norvegjinë, ka deklaruar dje Cana. Sigurisht, ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe në të njëjtën kohë të jemi të kujdesshëm, pasi vërtet që janë një ekip i mirë dhe që mund të na krijojë shumë vështirësi. Mund të them se Shqipëria do të zbresë gjithmonë në fushë për tri pikët, kur bëhet fjalë për ndeshjet brenda fushës. Sigurisht, në letër, këto duhet të jenë gjashtë pikë, por edhe në të shkuarën kemi treguar se kemi luajtur më mirë me ekipet e mëdha dhe më pak me ekipet e ashtuquajtura të kalibrit tonë. Pra, ashtu si mund të marrim gjashtë pikë, mund të marrim edhe dy barazime, apo dy humbje. Por, ajo që mund të them është se realisht ne do të zbresim në fushë dhe do të kërkojmë dy fitore, por nëse vjen një barazim, atëherë qëndron, pasi kundërshtari nuk është i dorës së fundit, ndaj dhe s’mund të konsiderohet si surprizë. Ne jemi një skuadër e re dhe si e tillë duhet të kemi durim, por është pikërisht brenda fushës aty ku duhet t’i ndërtojmë sukseset tona”, përfundoi deklaratën e tij kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.