Vetëflijimi


Gani Alia lyhet me benzinë. Gazetarja “lajmëron” policinë. I përndjekuri: Asnjë lek për 20 vitet e burgut


Sokol Çobo / Silvana Muça


Vetëflijimi i ish të përndjekurve politikë i kalon “kufijtë” e grevistëve. Paralajmërimi i organizatorëve të grevës se “do të habitet bota nga çfarë vjen më pas”, është bërë real dje në mbrëmje, rreth orës 19:00. Gani Alia, i cili nuk bënte pjesë nga radhët e grevës, ka lyer veten me benzinë disa metra larg çadrës dhe ka tentuar të ndezë një çakmak.


 


Tentativa e vetëflijimit


I përndjekuri ka kaluar qetësisht para punonjësve të shumtë të policisë, që kanë rrethuar grevistët, dhe disa metra më tutje ka nxjerrë nga xhepi një shishe gjysmë litërshe. Me shpejtësi ka lyer trupin dhe nga dora tjetër ka nxjerrë një çakmak. Ka tentuar disa herë ta ndezë, por i është dridhur dora. Një gazetare, e cila ka parë të gjithë skenën, ka bërtitur, duke i thirrur operatorit. Ulërima ka tërhequr vëmendjen e punonjësve të policisë, të cilët janë vërsulur drejt Alisë. Një polic e ka kapur nga duart dhe e ka neutralizuar, ndërsa të tjerët i kanë marrë çakmakun. Nga veprimet e para hetimore mësohet se lënda me të cilën ishte lyer Ganiu ishte benzinë, ndërsa shishja gjysmëlitroshe është sekuestruar.


Pas neutralizimit, i përndjekuri ka tentuar t’u shpëtojë policëve, ndërsa disa punonjës të tjerë janë afruar, duke tentuar ta fusin me forcë në automjetin e patrullës së përgjithshme. Gjatë këtij momenti ai shprehet se ka vuajtur dënimin 20 vjet në Burgun e Spaçit e nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim.


“Kam vuajtur 20 vjet burg në Spaç e nuk kam marrë asnjë dëmshpërblim. Edhe po ika këtej do të hidhem nga pallati, do të vras veten”, janë fjalët e ish të burgosurit Gani Alia, teksa arrestohet nga policia pas tentativës për t’u vetëflijuar duke djegur veten me benzinë.


Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se kanë shoqëruar grevistin Alia dhe veprimet e mëvonshme hetimore do të përcaktojnë nëse do të lirohet apo do të ndalohet. Në vendngjarje kanë mbërritur sërish oficerët e policisë gjyqësore, duke këqyrur vendngjarjen. Është marrë si provë materiale shishja e benzinës, ndërsa veprimet e tjera kanë konsistuar me marrjen e dëshmive. Disa agjentë të policisë janë marrë në pyetje duke treguar ndodhinë.


 


Dëshmia në polici


Burime pranë Policisë së Tiranës thanë se Gani Alia është izoluar në Komisariatin e Policisë Nr. 3. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ai ka qenë i divorcuar nga bashkëshortja, ndërsa informacionet policore “përgënjeshtrojnë” deklaratat e Alisë para kamerave në momentin e shoqërimit në lidhje me vitet e burgut në kohën e diktaturës. Mësohet se ka bërë 11 vjet burg politik, për të cilat nuk ka marrë ndonjë dëmshpërblim.


Në lidhje me hetimet për tentativën për vetëdjegie, Alia ka pohuar para policisë se një person me emrin Gëzim i ka kërkuar të vetësakrifikohet në shërbim të kauzës së të përndjekurve. “Dikush i ka thënë, një person me emrin Gëzim, ‘shko, lyhu dhe digju para kamerave’. Këtë veprim Gani Alia e ka bërë”, pohojnë burimet policore, duke shtuar se ish i përndjekuri politik ka probleme shëndetësore, pasi vuan prej vitesh nga diabeti. Mësohet se Alia do të arrestohet dhe deri dje në mbrëmje ende nuk ishte formuluar akuza, por me shumë mundësi do të jetë tentativë vetëvrasje.


 


Policia


Dëshmia – “Dikush i ka thënë, një person me emrin Gëzim, ‘shko, lyhu dhe digju para kamerave’. Këtë veprim Gani Alia e ka bërë”


 


Reagimi


Familja Ndreca refuzon t’i përgjigjet Berishës


Familja e Gjergj Ndrecës, që për pesë ditë me radhë qëndron për orë të tëra në shërbimin e djegie-plastikës, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, ka refuzuar t’u përgjigjet akuzave dhe deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha dy ditë më parë.


Bashkëshortja dhe familjarët e Gjergj Ndrecës po kujdesen për Gjergjin, i cili ende ndodhet në shërbimin e terapisë intensive në shërbimin e djegie-plastikës. Brenda 2-3 ditëve pacienti Ndreca nga reanimacioni do të dërgohet në pavijon, atje ku mund të pranohen edhe vizitat dhe ku pritet që të ketë një reagim zyrtar nga ana e Gjergj Ndrecës, grevisti i cili i vuri flakën vetes ditën e hënë. Familjarët e Ndrecës e kanë lënë opinionin publik të gjykojë vetë për veprimin e bërë nga ish i dënuari. Argumenti i diskutuar mes të afërmve si kundërpërgjigje lidhet me veprimin e bërë nga Ndreca. Në rast se kjo familje do të kishte të ardhura e do të drejtonte biznese, atëherë as kryefamiljarit nuk do t’i shkonte në mendje të shkonte në vetëflijim dhe të sakrifikonte jetën, duke u djegur me benzinë.


 


Situata


Lirak Bejko mbahet në reanimacion, gjendja e rëndë


Grevisti i dytë, i cili po trajtohet në shërbimin e djegie-plastikës, po mbahet në terapi intensive, pasi gjendja e tij shëndetësore vijon të mbetet e rëndë. Bejko ka plagë në krahë, kraharor dhe fytyrë. Plagët në fytyrë rezultojnë të jenë edhe më të rëndat. Mjekët reanimatorë dhe stafi i vendosur në dispozicion për t’u kujdesur për të plagosurin, ka sqaruar dje zyrtarisht se gjendja e Lirak Bejkos mbetet e rëndë dhe nuk mund të flitet nëse e ka kaluar rrezikun për jetën apo jo pa kaluar 72 orë, megjithatë dy ditë më parë, pacienti ka pasur një reagim të mirë të organeve të brendshme, duke shpresuar për një përmirësim në ditët e ardhshme. Lirak Bejko paraqitet në gjendje të rënduar me një djegie prej 50 për qind të sipërfaqes trupore në gradë të tretë dhe një pjesë e trupit është në gradë të dytë. “Më të dëmtuara janë gjymtyrët e sipërme dhe ato të poshtme, si dhe një pjesë e fytyrës. Shpresojmë që pacienti të mos krijojë infeksion, pasi ai do ta rëndonte edhe më shumë gjendjen. Nuk mund të themi se ai është jashtë rrezikut për jetën, pasi duhen të paktën deri në 5 ditë mjekim dhe kujdes shëndetësor”, tha mjeku reanimator Ilir Nezha.