Praq Rado, aktor në SHBA, kishte luajtur historinë e jetës së vet në film


Një aktor emigrant nga Shqipëria u kap nga autoritetet amerikane, ndërsa po shkonte në një festival filmi për të parë veten në një film që ironikisht bazohej në udhëtimin e tij si emigrant ilegal. Ky qe fati i keq i Praq Rados, aktori shqiptar i filmit “Të ëndërrosh si amerikan”, një film me metrazh të shkurtër që u transmetua në Festivalin e Filmit në Hamptons. Filmi bazohet mbi historinë e tij vetjake të arratisjes nga Shqipëria 11 vjet më parë.


Ai arriti në SHBA pa dokumente dhe vuajti atë që e përshkroi si “vështirësitë për të kapur një vend në një universitet publik, duke i hapur rrugën vetes përmes shkollës së aktrimit dhe duke kënduar në një lokal homoseksualësh”.


Tani, arti i tij duket se e vuri në situatë të vështirë. “Praq Rado pikërisht tani është duke vuajtur në një burg federal në Bufalo, në pritje të deportimit në Shqipëri”, shkroi një nga mbështetësit e tij në “Facebook”. “Tashmë i gjithë filmi duket se nuk vlen për asgjë”.


Rado u ndalua ndërsa udhëtonte me tren për te qyteti i festivalit. Ai supozohej të shihte premierën e filmit ku luante vetë si dhe të mbante fjalime, por 31-vjeçari përfundoi në polici. Një agjent federal e nxori nga treni, njoftoi Lee Percy, një regjisor që ka fituar çmimin “Emmy” dhe që shkroi e drejtoi filmin “Të ëndërrosh si amerikan”. Filmi u transmetua për tri ditë, pavarësisht se mes audiencës nuk gjendej aktori kryesor.


Filmi 24-minutësh tregon se si Rado u hodh nga gomonia në brigjet e Italisë dhe se si luftoi me dallgët për të dalë në det. “E shkuara e familjes së tij, si kundërshtare e regjimit komunist, bëri që ai të mos kishte mundësi të arsimohej dhe as ndonjë të ardhme për të ëndërruar”, tha Percy në një deklaratë. “Edhe siguria e tij personale është e rrezikuar, për shkak se babai i tij ka vdekur në mënyrë misterioze mes intrigave politike”, shtoi ai. Sipas tij, ëndrra e Rados ishte jeta pa frikë nga dhuna sektare apo politike. Rado nuk është larguar nga Shtetet e Bashkuara që kur mbërriti aty dhe nuk pati mundësi të vizitonte familjen e vet në Shqipëri, kur prindërit iu ndanë nga jeta. Ai punon në Los Anxhelos dhe jeton në Nju Jork. Udhëtonte me trena për të shmangur kontrollet nëpër aeroporte.