Mori shpërblim të majmë nga banka që duhet të mbikëqyrte


Guvernatori i Bankës Qendrore të Greqisë është vënë nën akuzë pasi u zbulua se ka përfituar një shumë marramendëse prej 3.4 milionë eurosh si shpërblim final nga Banka e Pireut, ndërsa e mbylli punën në këtë bankë për të marrë drejtimin e bankës qendrore. Si guvernator, ai ka për detyrë të mbikëqyrë pikërisht bankën që i dha kaq shumë para.


George Provopoulos, 62 vjeç, ka luajtur sakaq një rol të rëndësishëm në shpëtimin e sistemit bankar të Greqisë, duke marrë miliarda euro nga Banka Qendrore Europiane. Ai është përballur me kritika për mënyrën se si zgjidhi problemin e bankës nën pronësi shtetërore të Bujqësisë, ngjarje që politikanët e majtë në këtë vend e përshkruan si “vjedhja e shekullit”. Sipas një marrëveshjeje të arritur me ndërmjetësimin e Bankës Qendrore, kreditë e këqija të Bankës Bujqësore u kaluan në një bankë më vete, ndërsa asetet e mira iu dhanë Bankës së Pireut.


Banka e Greqisë këmbëngul se Provopoulos nuk qe në konflikt interesi në këtë çështje, por pagesa e majme shpërblyese ndoshta flet ndryshe. Banka thotë se pagesa e majme e Provopoulosit qe diçka që i takonte nga një marrëveshje e nënshkruar që para krizës dhe nuk qe e ndonjë natyre të jashtëzakonshme. Provopoulos, një ish-drejtor ekzekutiv te Banka Emporiki, u bashkua me Bankën e Pireut në tetor 2006. Si zëvendëspresident drejtor menaxhues, atij iu dha një pagë prej 580 mijë eurosh, plus shpenzimet dhe një bonus. Në maj 2008 ai dha dorëheqjen nga Pireu pas 19 muajsh punë. Në ditën para largimit, bordi i bankës ofroi pagesën e majme shpërblyese si dhe pagën prej 325 mijë eurosh për pesë muaj punë. Pagesa për Provopoulosin që e stërmadhe në krahasim me pagat e menaxherëve të tjerë të lartë të bankës. (“Reuters”)