Të dhëna


Taksa – E përkohshme vendore, është vendosur tanimë me vendim të këshillit bashkiak për të gjitha subjektet që konsiderohen lojëra fati


Zhvendosja – Të gjithë ato biznese që nuk duan të zhvendosin aktivitetin në periferi, tek Uzina Traktor duhet të paguajnë taksat e vendosura nga bashkia


Ilegalët – Sipas këshilltarëve opozitarë të bashkisë janë rreth 400 subjekte, të cilat ofrojnë në treg lojëra fati, por që nuk kanë licencë dhe janë piratë


Plani – Sipas planit urbanistik të Tiranës, zonat periferike ku do të qëndrojnë subjektet e lojërave të fatit mund të jenë disa veç Uzinës Traktor


Penalizmi – Për të gjithë ato subjekte që nuk do të paguajnë tarifën e vendosur nga bashkia do të ketë penalizim financiar deri në 10-fish të vlerës së taksës


Klasifikimi për subjektet që duhet të paguajnë taksën e përkohshme vendore


Lorina Mixha


Këshilli bashkiak vendosi taksën e përkohshme për të gjitha subjektet e lojërave të fatit. Sipas kreut të bashkisë, Lulzim Basha, në rast se do të ketë rezistencë për të mos e paguar këtë taksë dhe në rast se do të rezultojë se këto subjekte nuk e kanë shlyer, atëherë ata do të gjobiten me 10-fishin e gjobës.


Sipas vendimit të miratuar në parlamentin vendor taksës së përkohshme të lojërave të fatit i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj të licencuar për kryerjen e aktivitetit për lojëra fati.


Parashikimi


Sipas vendimit të Bashkisë së Tiranës, taksa e përkohshme e lojërave të fatit aplikohet për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori.


Niveli i taksës së përkohshme të lojërave të fatit aplikohet i diferencuar sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës për efekt të zbatimit të taksave vendore.


Të gjitha subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve (“UPNA”, ish–uzina e Autotraktorëve – Shkozë), nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojërave të fatit.


Pagesat


Për lojërat e tjera të fatit si: baste sportive, baste për gara në pistë, lotari kombëtare, bingo tradicionale dhe bingo televizive, niveli i taksës është 5 mijë lekë/muaj;


Taksa e përkohshme e lojërave të fatit është taksë mujore dhe paguhet brenda datës 10 të muajit pasardhës për llogari të muajit të mëparshëm. Në rast të mosshlyerjes së detyrimit në kohë, zbatohen masat administrative duke paguar 10-fishin e taksës fillestare të vendosur nga Bashkia e Tiranës.


Subjektet e kategorisë së lojërave të fatit kazino dhe kazino elektronike që zhvendosin aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve “UPNA”, ish–uzina e Autotraktorëve – Shkozë, përfitojnë rimbursim të pagesave të kryera të kësaj takse.


Sipas vendimit, për zhvendosjen brenda datës së 31 dhjetorit 2012, rimbursohen në vlerën 100% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse.


Për zhvendosjen brenda datës 31 mars 2013, rimbursohen në vlerën 50% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse;


Struktura e ngarkuar për mbledhjen e taksës së përkohshme për lojërat e fatit është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore”.


Nga eksperienca e vendeve të tjera në përgjithësi rezulton se kuadri ligjor përkatës është me gjithëpërfshirës dhe rregullon disa çështje me përfitim për komunitetin lokal, si dhe aktorët në këtë proces. Strukturat e përfshira janë: enti mbikëqyrës i lojërave të fatit, Ministria e Shëndetësisë, si dhe njësitë vendore.


Kështu, në shumë qytete të Italisë, pushteti lokal ka miratuar akte të veçanta, për moslejimin e hapjeve të këtyre aktiviteteve afër zonave të ndjeshme (shkolla, objekte fetare, rezidenca banimi, zona historike, industriale etj.), duke bërë në këtë mënyrë dislokimin e tyre në periferi të këtyre qyteteve. Gjithashtu në Angli, komisionet e licencimit të këtyre aktiviteteve kanë identifikuar zona specifike ku mund të ushtrohet kjo veprimtari.


 


Përvoja


Sipas Bashkisë së Tiranës, bazuar në eksperiencat e qyteteve të tjera të zhvilluara europiane, zhvillimi i këtij biznesi të rrezikshëm në zonat e banuara është zvogëluar ndjeshëm dhe këto biznese janë larguar nga mjediset e qyteteve duke lejuar zhvillimin e veprimtarive të tyre në hyrje dhe periferi të qytetit.


 


Janë lojëra fati:


1.   Baste sportive;


2.   Baste për gara në pistë;


3.   Kazino;


4.   Kazino elektronike;


5.   Lotari kombëtare;


6.   Bingo tradicionale;


7.   Bingo televizive.


 


Tabelë



  • Për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës deri në datën 31.03.2013 është si më poshtë:

  • Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 1.000 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 700 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 500 lekë/m2;




  • Për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës pas datës 31.03.2013 është si më poshtë:

  • Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 10.000 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 7.000 lekë/m2;

  • Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 5.000 lekë/m2;