Durrës


Banori Sabri Balla gjeti trupin e pajetë, por nuk i shkoi në mendje se i përkiste Aishe Vatës, 18 vjeçe


Vali Qyrfyçi


Aishe Vata ishte një vajzë e re dhe sapo kishte nisur studimet e larta në degën e Infermierisë pranë Universitetit të Tiranës, por mëngjesin e djeshëm është gjetur e vrarë dhe pa kokë në një arë me misër. Në shtëpinë e saj nuk ka ende mort, ndërsa në fshat nuk dinë të thonë shumë për të. Shumica e familjarëve, bashkë me njerkën e saj, pak orë pas gjetjes së trupit janë shoqëruar në polici, ndërsa e ëma e vajzës është ndarë nga jeta pak vite më parë. Trupi i gjetur është identifikuar nga babai i viktimës, një elektroaut në fshat, i cili është edhe një nga personat që ka kaluar orët e fundit me të. Deri në orën 23:00 të së mërkurës, babë e bijë kanë qenë duke parë televizor së bashku, më pas vajza është tërhequr për në dhomën e gjumit, po mëngjesi e ka gjetur në arë, mbi 200 metra larg shtëpisë dhe pa jetë.


E gjeti në arën e tij


Sabri Balla, nga “4 Rrugët”, është shokuar kur ka gjetur në tokën e tij trupin pa kokë të një vajze të re, e cila është identifikuar si Aishe Vata, 18 vjeçe, banore e këtij fshati. Ajo ka qenë e veshur me një rrobdëshamër dhe poshtë tij, burime nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, tregojnë se ishte pothuajse e zhveshur, mbante vetëm një palë sytjena. I zoti i tokës, tepër i tronditur, ka mundur të kapërcejë arën dhe të dalë në rrugë, ndërsa më parë ka kaluar përbri vilës së viktimës, pa e ditur që e reja ishte bijë aty. Ai është ndalur te roja e postbllokut hekurudhor, të cilit i ka kërkuar të telefonojë policinë, nr. 129 dhe të njoftojë për praninë e një kufome të masakruar, pa kokë, që ndodhej në tokën e tij. “Nuk kishte pikë gjaku në fytyrë kur erdhi këtu”, thotë për gazetën roja e postbllokut që ndodhet pranë mbikalimit të Fllakës. Prej aty, në vijë të drejtë duket ara ku u gjet vajza e vrarë dhe në të djathtë ngre krye vila e familjes së Muhamet Vatës, babait të Aishes.


Policia


Me të marrë telefonatën, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur me shpejtësi shërbimet e para të policisë dhe më pas edhe grupi hetimor i drejtuar nga prokurori Sokol Nishani. Drejtues të policisë së Krimeve të Rënda kanë mbërritur nga Tirana. Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, e kufomës dhe është fiksuar vendi i ngjarjes dhe çdo element që mund të çojë në zbardhjen e saj. Vrasja ka ardhur nga një mjet i mprehtë prerës. Në trupin e vajzës dëshmohet se nuk ka shenja të tjera dhune. Trupi i saj do t’i nënshtrohet ekspertizës së plotë mjekoligjore që pritet të përcaktojë nëse vajza ka kryer marrëdhënie seksuale para vrasjes, nëse ka plagë të tjera të padukshme nga këqyrja e trupit me sy të lirë dhe nëse vdekja i ka ardhur nga prerja e kokës, apo më parë është mbytur.


Banorët dhe kryeplaku


Krimi i rëndë që pret të zbardhet ka risjellë sërish në vëmendje jo vetëm reagimet ekstreme në lidhje me një raport seksual a dashuror mes të rinjsh, por edhe për tabunë që ende ekziston në familjet shqiptare mbi lidhjet dashurore të vajzave dhe pranimin e tyre. Në fshat thonë se krime të këtij lloji mund të kryhen vetëm për moral, gjë që e drejton pistën e hetimit më shumë brenda familjes së viktimës, por që nuk deklarohet ende të ketë elementë nga hetimet paraprake. Esat Peca, kryeplak i fshatit Vëllazërim, thotë se në këtë fshat nuk ka ndodhur asnjëherë një krim i ngjashëm dhe se ai nuk mund ta lidhë vrasjen me një reagim për çështje nderi, morali. Peca shprehet se familja Vata është një familje e qetë, aspak problematike dhe e respektuar në fshat. Askush nuk di që ajo të ketë pasur konflikte që do të çonin në një ngjarje të tillë.


Familja e viktimës


Muhamet Vata është nga Surroj i Kukësit. Ai u vendos në Vëllazërim të Xhafzotajt rreth 14 vite më parë në kërkim të një jete më të mirë, si disa dhjetëra mijëra të tjerë të ardhur nga rrethet e largëta në zonat fushore të Shqipërisë së Mesme, siç tregon kryeplaku i fshatit Esat Peca dhe ai me origjinë nga Kukësi. Vata ishte baba i gjashtë vajzave dhe një djali. Pas vdekjes së gruas së parë, me të cilën kishte 6 fëmijë, Vata u martua sërish dhe nga martesa e dytë lindi një vajzë që është vetëm 5 vjeçe. Në fshat thonë se dy vajzat e mëdha të Vatës janë të martuara, ndërsa për viktimën pak gjëra mund të thonë. “Ajo ka qenë në Medrese dhe vishej me fustane e mëngë të gjata, po nuk ishte e mbuluar me shami”, tregon një burrë rreth të dyzetave. Pavarësisht mënyrës së vrasjes, shumica e burrave që has në rrugën e fshatit pranë shtëpisë trekatëshe të Vatës, që bie në sy dhe ofron imazhin e mirëqenies, teksa flasin për krimin janë të rezervuar, por duket se fajësojnë viktimën që ka dalë natën jashtë shtëpisë. Mendojnë se ka dalë me vullnetin e saj dhe nata është e huaj, ashtu si dhe ata që veprojnë në terrin e saj. Ndërkohë shumë elemente duket sikur e afrojnë, po dhe e largojnë hetimin nga zbardhja e shpejtë e ngjarjes, ndërsa numri i të shoqëruarve deklarohet të jetë i madh, duke synuar mbledhjen e sa më shumë dëshmive dhe ballafaqimin e versioneve dhe alibive, si dhe mbi lidhjen që kishte vajza.