Mësuesia


Rektori Kule: Degët e kërkuara sot krijojnë probleme në tregun e punës, kërkohen teknologët


Dhori Kule – Ka degë, ku numri i kuotave duhet të reduktohet, kjo në përputhje me vendet që ofron sot tregu i punës


Qëllimi – Rritja e kuotave në degët që sot janë pak të preferuara, por që do të lulëzojnë në të ardhmen, siç janë degët teknologjike


Mësuesia – Në të gjithë botën, i ka kuotat e përcaktuara në përputhje me numrin e vendeve të punës që përcaktohen nga Ministria e Arsimit


Shpresa Mezini


Raporti i shpërndarjes së kuotave në universitetet e vendit sa vjen e bëhet më i zhdrejtë. Këtë fakt studentët e shohin pozitivisht për shkak se mendojnë se duke pasur vende të lira në degë të caktuara, kanë më shumë probabilitet për të qenë fitues. Por ana tjetër e medaljes tregon të kundërtën. Numri i lartë i studentëve që diplomohen në ato degë që sot konsiderohen elitare, siç është Mjekësia, Stomatologjia, Drejtësia apo Ekonomiku krijon probleme në tregun e punës. Kjo, pasi rëndësia e diplomës universitare qëndron sidomos te mënyra sesi ajo përkthehet në treg. Të paktën kështu pohon rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili mendon se shpërndarja e kuotave duhet të ndryshojë vitet e ardhshme akademike.


“Dëgjojmë shpesh të flitet për degë elitare. Të gjitha degët janë elitare në vetvete. Janë studentët ato që përcaktojnë etiketime të tilla. Ka degë, ku numri i kuotave duhet të reduktohet, kjo në përputhje me vendet që ofron sot tregu i punës. Qëllimi është që të rritet numri i vendeve në degët që sot janë pak të preferuara, por që parashikohet të lulëzojnë në të ardhmen, siç janë degët e ndryshme të teknologjisë së informacionit, pasi po jetojmë në vitet ku dixhitalizimi është ai që po drejton botën”, tha Kule.


Në degën e Mësuesisë, ku për çdo vit diplomohet një numër i konsiderueshëm studentësh, situata paraqitet edhe më problematike.


Kjo për shkak se numri i të diplomuarve nuk përkon me vendet e punës që ofrohen në këtë fushë në vendin tonë.


Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Arsimit, prej më shumë se 5 vjetësh në sistemin tonë arsimor nuk është punësuar asnjë mësues i ri, kështu procesi i rekrutimeve ka përfunduar 5 vjet më parë. E megjithatë, kjo nuk ka penguar aspak diplomimet e reja në këtë degë. Ndonëse nuk ka pasur vende të reja pune, mësues të rinj janë diplomuar për çdo vit.


Ky fakt konfirmohet edhe nga drejtuesit e Drejtorisë Arsimore të kryeqytetit dhe Ministria e Arsimit, të cilët shprehen se për këtë periudhë kohe nuk është marrë asnjë arsimtar në punë, pavarësisht mbipopullimit në shkolla.


Zëvendësministrja e arsimit, Nora Malaj, tha se numri i mësuesve që dalin nga auditorët e universiteteve është më i lartë me vendet që ofron tregu i punës. “Duhet të ndiqen politika të reja rekrutimi, por kjo u takon drejtorive përkatëse të rretheve në vend”, theksoi Malaj.


Por, nisur nga ky fakt që është konsideruar shpesh si problematik, rektori i Universitetit të Tiranës sqaron krejt të kundërtën. Ai thotë se numri i të diplomuarve në degën e mësuesisë duhet të jetë i përcaktuar në përputhje me nevojat që ka tregu. “Është ngritur shpeshherë si problem shqetësues mungesa e punësimeve të reja në mësuesi. Shpërndarja e kuotave nuk vlen për këtë degë. Mësuesia në të gjitha vendet e botës, i ka kuotat e përcaktuara në përputhje me numrin e vendeve të punës që përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pasi edhe vendet e punës janë me numër. Kështu, kuotat duhet të përcaktohen mbi këtë parim”, theksoi Kule.