Ish-polici u qëllua në kokë nga tre pjesëtarë të familjes Rustami
Akt-ekspertimi mjekoligjor do të përcaktojë nëse vrasja u krye me dashje apo nga pakujdesia
Edmond Hoxhaj
Ish-polici në Lushnjë është qëlluar për vdekje para gjykatës me patericën e vëllait invalid të familjes Rustami. Ky është konkluzioni paraprak i hetimeve të prokurorisë, e cila ka vendosur arrestimin e tre pjesëtarëve të familjes Rustami për vrasjen me dashje të Arben Sopjanit, e cila u tentua të fshihet nga autorët si vdekje nga ataku në zemër. Burime zyrtare të Policisë së Fierit thanë se janë arrestuar 47-vjeçari Hajro Rustami, vëllai i tij 42-vjeçar, Shyqyri Rustami, dhe djali i Hajros, 18-vjeçari Julian Rustami. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi mesditën e së mërkurës rreth orës 12:30, në lagjen “Çlirim” të qytetit të Lushnjës, në afërsi të gjykatës, janë konfliktuar dhe dyshohet se edhe janë goditur me sende të forta me 42-vjeçarin Arben Sopjani, banues në Lushnjë dhe 31-vjeçarin B. Sallaku banues në Çermë-Sektor të Lushnjës. Fillimisht, autorët e arrestuar nuk e kanë pranuar krimin, duke pretenduar se vdekja e tij ka ardhur për shkak të një ataku kardiak. Por, gjatë hetimeve rezultoi se viktima ka shenja dhune në kokë dhe në trup.
Dëmtimet
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në trupin e tij janë vërejtur disa shenja dhune, konkretisht një gërvishtje në faqen e djathtë, si dhe dy shenja në krahun e majtë e të djathtë. Ndërkaq, mësohet se pritet akti i ekspertimit mjekoligjor që po kryhet nga specialistë të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 42-vjeçarit Sopjani. Policia ka pohuar se cilësimi juridik i veprës penale i është lënë në dorë Prokurorisë së Lushnjës. Ndërkaq, burime nga kjo e fundit kanë pohuar për gazetën, se po pritet përfundimi i aktit të ekspertimit mjekoligjor për të konkluduar nëse vrasja është kryer me dashje apo nga pakujdesia.
Vrasja
Në momentin që vëllezërit Rustami janë përleshur me 42-vjeçarin Sopjani, kanë qenë të pranishëm edhe familjarë të të dyja palëve. Ata janë qëlluar me grushte e shqelma me njëri-tjetrin, ndërsa kanë përdorur edhe mjete rrethanore. Por, nga burime të gazetës, mësohet se dyshohet të ketë qenë pikërisht paterica e një prej vëllezërve Rustami, që është plagosur nëntë vite më parë nga vëllai i viktimës, që i ka marrë jetën këtij të fundit. Nga deklarimet e marra prej personave të pranishëm në vendngjarje, mësohet se vëllezërit Rustami e kanë qëlluar kundërshtarin e tyre me patericën që mbante invalidi që kërkon edhe dëmshpërblimin nga familja Sopjani, për paaftësinë fizike që i është shkaktuar nga plagosja me armë zjarri.
Konflikti
Konflikti mes dy familjeve Rustani e Sopjani e ka zanafillën e vet nëntë vite më parë dhe ka nisur për shkak të rivalitetit mes tyre për zotërimin e një pike përpunimi inertesh në lumin Shkumbin, në afërsi të zonës ku banonin atëherë të dyja palët. Grindjet dhe debatet e herëpashershme për pronësinë e kësaj pike i ka çuar familjet deri në konflikte të ashpra, që kanë rrezikuar marrjen e jetëve njerëzore. Në këtë konflikt janë përdorur edhe armët, nga ku ka mbetur i plagosur njëri prej vëllezërve Rustami. Ky i fundit, pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, ka pësuar dëmtim fizik të pariparueshëm. Për këtë plagosje me armë të nëntë viteve më parë, Prokuroria e Lushnjës akuzoi Agim Sopjanin, vëllain e viktimës së djeshme. Ai u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me tetë vite burgim, që tashmë i ka shlyer. Por, familja Rustami ka vendosur të kërkojë edhe dëmshpërblim për dëmin fizik që i është shkaktuar të plagosurit. Ata e kanë paditur familjen Sopjani, të cilës i ka kërkuar dëmshpërblim dhe pagesën e paaftësisë së përhershme. Mesditën e së mërkurës, të dyja palët janë grindur, pasi kanë dalë nga salla e gjyqit, ku ishte zhvilluar seanca e radhës për këtë çështje civile. Mësohet se Rustamët kanë kërkuar me ngulm dëmshpërblimin, që është kundërshtuar nga pala tjetër.