Gjatë debatit, Ryan u tregua solid, por Biden besohet se fitoi
Debati mes dy kandidatëve për zëvendëspresident vlerësohet se përfundoi me një fitore taktike të demokratëve, pavarësisht se kandidati republikan, Paul Ryan, u tregua shumë solid dhe i aftë, bën të ditur “Reuters”. Sondazhet sugjerojnë se jo shumë amerikanë pritet të ndryshojnë mendje se për kë do të votojnë, por kjo përbën një fitore taktike për demokratët.
Zëvendëspresidenti aktual, Joe Biden, arriti të plotësojë boshllëqet që Presidenti Obama krijoi gjatë debatit me Mitt Romney javën e kaluar. Analistët thonë se performanca agresive e Biden pritet të gëzojë partizanët mes demokratëve, të cilët qenë të shqetësuar për faktin se pala e tyre nuk kishte luftuar mjaftueshëm me pasion.
“Nëse doni një përgjigje, atëherë fakti është që debati përfundoi barazim”, thotë David Steinberg, një profesor komunikimi në Majami. “Por barazimi i leverdis palës në pushtet”.
Ryan u përpoq të dëshmonte para amerikanëve se disponon aftësinë e nevojshme për politikën e jashtme përballë Biden, i cili është një veteran i çështjeve ndërkombëtare. Në fund, Ryan e kaloi me sukses testin. Sulmet e tij mbi politikën e Obamës në Libi krijuan të çara që Romney ka gjasa t’i shfrytëzojë në dy debatet e mbetura.
Biden ofroi për debatin pasionin që i pati munguar Obamës. Ai ka qenë senator për 36 vjet para se të zgjidhej zëvendëspresident më 2009 dhe argumentoi mbi përpjekjet e administratës për të dalë nga recesioni dhe për të përmirësuar jetën e amerikanëve, përfshirë edhe vendimin për t’u tërhequr nga Afganistani. Pika e fortë e Biden qe sulmi kundër Romney-t duke kujtuar se pagesa e tij e taksave qe e ulët dhe se ai kishte sugjeruar më herët që industria e makinave në SHBA të falimentonte dhe se kredimarrësit për shtëpi në vështirësi të humbnin shtëpitë e tyre. Gara në SHBA mbetet në tërësi e hapur më pak se një muaj para zgjedhjeve dhe dy debatet e ardhshme pritet të jenë shumë të rëndësishme.