Lagarde zyrtarizon qëndrimin për të shtyrë për më vonë masat e kursimit


Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se mbështet propozimin për të shtyrë afatet e axhendës së reformave për Greqinë si një mënyrë për të zbutur vuajtjet e këtij vendi. Kreu i FMN-së, Christine Lagarde, e deklaroi atë çfarë përflitej prej kohësh në një intervistë për BBC nga Tokio. Por kontribuuesi më i madh i planit të shpëtimit të Greqisë, Gjermania, e hodhi menjëherë poshtë idenë.


“Ne duhet të qëndrojmë te plani që kemi njoftuar më herët”, deklaroi ministri i Financave të Gjermanisë Wolfgang Schaeuble.


Greqia ka kërkuar dy vjet kohë për të arritur shkurtimin e shpenzimeve të kërkuara nga kredidhënësit, të cilët përfshijnë vendet e eurozonës, si dhe FMN-në. Kërkesa për shtyrje të afateve të axhendës së kursimeve lidhet me argumentin e thjeshtë sesa më shumë shkurtohen shpenzimet buxhetore, aq më shumë tkurret ekonomia dhe të ardhurat fiskale.


“Nëse njerëzit qëndrojnë larg tregut të punës, ata humbasin shpresën”, deklaroi Lagarde, “dhe kjo është arsyeja se pse zbatimi i politikave të konsolidimit fiskal, megjithëse të nevojshme, përbëjnë shqetësim për rritjen ekonomike, e cila bën të mundur hapjen e punës”.


Së fundmi, Greqia njoftoi se papunësia në vend ka arritur në 25.1 për qind, pra një në çdo katër grekë është i papunë ndërsa mes të rinjve, gjysmat nuk kanë punë. Parashikimi është që ekonomia e Greqisë të reduktohet me 6.8 për qind për këtë vit, ndërkohë që llogaritë e kredidhënësve qenë bërë duke parashikuar rënie ekonomike me 4.8 për qind. Greqia parashikon rënien e gjashtë radhazi të ekonomisë më 2013.


Kriza ka shkaktuar edhe probleme të rënda politike dhe shoqërore.