YLLI POLOVINA
Lajmi i radhës për gjakmarrjen, por këtë herë një kuvend përkujtues për njërin nga viktimat e saj, priftin Dritan Prroni, me jetë të marrë dy vite më parë, kaloi në opinionin publik pa ndonjë gjurmëmbetje. Nuk qe pasojë e ndonjë shpërfilljeje. Ishte thjesht një mënyrë sa për të bërë pak prehje. Pothuaj çdo javë, mediat transmetojnë nga një krim real me marrje gjaku dhe kjo kronikë e dhimbshme tashmë është bërë mpirëse.
Këtu nis edhe problemi i ditës: gjendja po e lodh opinionin publik, po e sfilit. Të paktën po e shndërron në një dukuri rutinë. Nuk është e para herë që ndodh kjo. Fenomeni është qindravjeçar, përtej Mesjetës së Hershme, pse jo edhe shumë më parë. Princi Lekë Dukagjini, në vijim të një tradite të mëparshme, i përpunoi dhe i hartoi më mirë profesionalisht rregullat e ligjit (Kanunit) për ta frenuar. Ai kurrë nuk u zotua se gjakmarrjen do ta hiqte. Iluzionin se në luftën kundër saj mund të mbërrijë momenti i asgjësimit, i zerimit, duhet mospranuar. Veç në ndodhtë në dy apo treqindvjeçarin tjetër.
Shpresa që të nxit se për disa dekada ia paska dalë diktatura e para nëntëdhjetës, është naive. Ajo bëri shumë, por kryesisht nëpërmjet forcës dhe frikës dhe në statistikën e përgjithshme më tepër rezultat kanë dhënë nismat jo ideologjike të pajtimit të gjaqeve se burgjet. Gjakmarrjen mund ta kufizojë dhe nxjerrë në periferi të problemeve aktuale shqiptare vetëm një shoqëri e tërë e lirë dhe e zhvilluar mendërisht. Si e tillë, në të gjithë historinë tonë shpresa mbetet pas nëntëdhjeta Është alarmante që ajo në njëzetë e dy vitet e saj nuk ka dhënë shenjë se ia del. Në dyvjetorin e vrasjes së priftit katolik Dritan Prroni, ku organizatorët qenë persona të matur e të ditur, u tha se në dy dekadat e fundit prej gjakmarrjes, ndërsa viktima të saj qenë 5.700, të vrarët kanë mbushur shifrën e 5200 vetëve.
130 (NJËQIND E TRIDHJETË) janë fëmijë.
Sipas rregullave të jetesës moderne një shoqëri, vend dhe një popull i tillë, duhet të vihet botërisht në karantinë.
U bënë kaq vite që kemi rënë “në qetësi” dhe nuk i ushqejmë mediat perëndimore dhe lindore, si edhe ato fqinje, me shfrime të papërmbajtura të luftës së brendshme politike, as me trafiqet e prostitutave dhe të lypësve të mitur. Kaluam me dinjitet hapjen e kufijve me vendet e BE-së, ndërsa çfarë nuk thanë se ikësit prej nesh do të bënin lëmsh rregullat e Europës. Asgjë nuk ndodhi, përveç një çudie. Ata bashkëkombës që kërkonin azil në Belgjikë dhe e shkaktuan problemin, ngulnin këmbë se prej Shqipërisë ia patën mbathur nga që ishin në gjak dhe mund t’i vrisnin (?!)
Gjetja e përgjegjësve kryesorë për gjakmarrjen, lojë që për fat të keq vazhdon e nuk ka të vetëpërmbajtur, siç për njëmijë vjet ka vazhduar, do të vijojë edhe më pas, duke lënë mënjanë një rrethanë: është shqiptare dhe lidhet me vetë karakteristikat e bashkësisë sonë. Ne, me kaq tepër prirje të marrim hak, kemi një raport problematik me jetën dhe për pasojë me vdekjen. Sigurisht tashmë, prej dekadash të panumërta, gjakmarrja është përqendruar në një hapësirë të caktuar e të kufizuar të territorit tonë, por do të qe gabim ta trajtojmë atë si çështje lokale, me personazhe një Mark, Preng apo një Nikollë. Lekë Dukagjini e hartoi gojarisht kryeveprën e tij kanunore, siç edhe dihet që nene të tëra kundër gjakmarrjes gjendeshin edhe në paketën e ligjeve të shtetit të Kastriotëve (edhe të Skënderbeut) apo u ndërfutën, gjatë mesjetës, në nyje të veçanta të statutit qytetar të Shkodrës, por historia e mijërave familjeve tona, edhe nga trojet e Jugut, është e lidhur me një dukuri. Zhvendosjet e tyre nga një qytet apo krahinë në një tjetër, përfshi edhe Çamërinë, kanë ngjarë që hershëm, për shkak konfliktesh të përfunduara me vrasje. I lutem secilit lexues kurioz të depërtojë sa të mundë në pemën gjenealogjike të familjes së vet dhe në jo pak raste ka për ta ndeshur këtë karakteristikë.
Në territorin ku prej disa shekujsh gjakmarrja gëlon dhe tanimë, nëpërmjet zhvendosjes së vrullshme demografike, po e spërkat vesin jo vetëm në një mit të tolerancës dhe qytetërimit, siç është Shkodra, por edhe në Tiranën metropolitane, defekti ynë i përbashkët thjesht ka marrë theks për shkak të temperamentit lokal, për të cilin ata mund të bëjnë më shumë në vetedukim. Mendësia është po ajo. Aty mund të jetë vërtet syri i ciklonit, por stuhia shfryn spazmë në të gjithë ne, ku më pak dhe ku më shumë.
Ne, shqiptarët, nuk e vlerësojmë jetën e njëri-tjetrit. Është një nga treguesit e shumtë të profilit tonë me minimum jetik të forcës së bashkimit dhe kohezionit të brendshëm. Jetën ne e shpërfillim, edhe pse e duam. Mirëpo jeta kërkon kulturë të madhe. Ajo nis nga ndjenja e respektit. Kjo e fundit tek ne është në gjendje problematike, përderisa, si për të dhënë një shembull të rëndomtë, nuk themi kurrë faleminderit. Ku në ndonjë skaj të globit, si të tillë, ka ndonjë të ngjashëm? Ose verifikoni me durim shumicën e shkaqeve përse tek ne merret jeta e tjetrit! Asnjë prej vrasësve nuk është i çmendur apo i doktrinuar dhe i fanatizuar prej ndonjë ideologjie raciste, siç ngjan në rastet kur lëshohet breshëri plumbash në ShBA apo deri edhe në Suedi. Jo, të dalë të tillë mendsh nuk kemi. Por zotërojmë një Guinness: të vrasim për hiç gjë. Si të jesh mizë. Në shkaqet prej të cilave në vetëdijen tonë provokohet dëshira për vrasje, arsyet janë nga më të absurdet: gërvishtje makine apo çështje gardhi, vije uji apo sepse donte të vriste vetëm njërin dhe shkon e qëllon me automatik kallashnikov kur viktima ndodhet ulur në klub, në një tavolinë. Kështu e humbin jetën edhe disa të tjerë. Në qytetin tim të lindjes gjatë vitit 1997 një bandë të rinjsh vriste vetëm sepse nuk donte t’i shihje, qoftë edhe për një çast. Kurse një nga serialet më të mëdha e më të gjata të luftës me likuidim fizik nisi nga një zbavitje dridhëse. Njëri la një kutiçkë alumini në mes të rrugës dhe vendosi të vriste atë që do t’i binte me këmbë. Dhe ashtu ndodhi.
Studiuesja britanike, mjaft e njohur për temën e gjakmarrjes, Antonia Young, kohët e fundit, vetëm duke parë gjendjen e të ngujuarve, pra të të vrarëve ende jo fizikisht, por gjithsesi shpirtërisht, një shifër kjo tejet e madhe, u shpreh se nuk është vetëm tragjike, por edhe punë e çmendur.
Gjakmarrja qëndron në këmbë dhe nuk tutet, edhe pse veprimtaria pajtuese, ajo e ashpërsimit të dënimit penal apo shkishërimi, i tregojnë se triumfi i saj në prag të kandidimit dhe të anëtarësimit të plotë në BE apo edhe në mes të festës së 100-vjetorit si shtet, ka disa kundërshtarë. E përsërisim, ndoshta me idenë se mbase kemi të drejtë, që nën veprim të fortë të këtyre faktorëve gjakmarrja është ndodhur dhe herë të tjera e nuk ka bërë mbrapa. Ajo ka fituar imunitet.
Kemi bashkëshoqëruese të historisë dhe identitetit tonë një gjyle të madhe lidhur në këmbë, në një problem, të cilin, në të gjithë rruzullin, në përmasën tonë, nuk e ka popull tjetër. Kaq shekuj i panënshtruar, ai mund të dëshmojë se është fatal. Shumë e vështirë dalja kundër vetes, vetëkulturimi dhe vetëqytetërimi ynë, por nuk ka rrugë tjetër shpëtimi nga ky kob. Sepse gjakmarrja ka vrarë edhe vetë Lekë Dukagjinin. Dhe a e dini si? Princi ynë i Mesjetës e hartoi paketën e ligjeve për t’ia ndalur revanshin ogurzi. Pesë shekuj më pas imazhi i tij deri te ne mbërriti i shtrembëruar. Shumica jonë beson se qe ai fajtori, ishte ai që i vuri rregullat e vrasjes reciproke. Dhe jo vetëm kaq. Jeta dhe veprimi i tij në historinë kombëtare, nga më interesantit dhe më mbresëlënësit, prijësit që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, për një dekadë të tërë udhëhoqi qëndresën shqiptare kundër pushtimit osman, është lënë mënjanë. Vendin në histori ia kemi rezervuar stërprapthi: vetëm me Kanunin.